1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë

Më të lexuarat

Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit janë duke u përkeqësuar për shkak të një hetimi në Londër rreth vrasjes së një ish-spiuni rus. Juristët e përfshirë në këtë hetim akuzojnë Presidentin rus Vladimir Putin se drejton një shtet mafioz. Ndërkohë, avionë të forcave ajror britanike interceptuan avionë bombardues rusë pranë hapësirës ajrore britanike, dhe autoritetet thirrën urgjent në një takim ambasadorin e Moskës.

 

Dy avionë luftarakë rusë Tupolev TU-95, u interceptuan pranë hapësirës ajrore britanike. Këto fluturime janë shpeshtuar që kur filloi konflikti në Ukrainë, thotë Elizabeth Quintana e Institutit të Bashkuar Mbretëror.

 

“Të dyja palët janë duke testuar aftësitë mbrojtëse të njëra-tjetrës, shpejtësinë e reagimit, dhe po zbulojnë dobësitë. Janë gjithashtu duke i dërguar sinjale pakënaqësie njëri-tjetrit.”

 

Në situata normale, avionët rusë kalojnë mbi anën veriore të Britanisë. Këtë radhë, trajektorja e fluturimit ishte e ndryshme, thotë zonja Quintana.

 

“Ishin në bregun jugor, në kanalin ndërmjet Britanisë dhe Francës, dhe po fluturonin pa ndezur paisjet sinjalizuese. Krijuan shqetësim të veçantë pasi do të thotë se kanë kaluar ndërmjet trafikut të rënduar trans-atlantik.”

 

Zonja Quintana mendon se Moska i ka drejtuar bombarduesit e saj drejt Britanisë si reagim ndaj një hetimi publik në Londër për vrasjen e ish-spiunit rus Alexander Litvinenko.

 

Ai u arratis drejt Britanisë në vitin 2000, pasi ishte bërë një kritik i spikatur i Kremlinit. Litvinenko vdiq në vitin 2006 pasi kishte në trup lëndën radioaktive polonium. Në shtratin e vdekjes, ai akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin se pati urdhëruar ekzekutimin e tij.

 

Hetuesit britanikë akuzojnë dy agjentë rusë se helmuan pijen e Litvinenkos në një restorant në Londër. Autoritetet ruse dhe të akuzuarit e mohojnë përfshirjen e tyre.

 

Avokati i familjes Litvinenko, Ben Emmerson, filloi të paraqesë provat gjatë hetimit.

 

“Është një akt terrorizmi bërthamor, i kryer në rrugët e një qyteti kryesor, duke rrezikuar jetën e publikut.”

 

Ai vazhdoi me akuza ndaj Presidentit rus Vladimir Putin.

 

“E vërteta e hidhur që do të zbulohet nga provat është se një pjesë e rëndësishme e krimit të organizuar rus menaxhohet drejtpërsëdrejti nga zyrat në Kremlin. Rusia e Vladimir Putinit është një shtet mafioz.”

 

Qeveria britanike refuzoi fillimisht të hapte hetime, pjesërisht për shkak të dëmit që mund t’u shkaktonte marrëdhënieve me Rusinë, por ndërroi vendim vitin e kaluar. E veja e Alexander Litvinenkos thotë se veprimet e fundit të Rusisë mbështesin pikëpamjen e saj.

 

“Marrëdhëniet shumë të vështira me Perëndimin dhe sanksionet ekonomike mbështesin çështjen tonë. Ajo që po ndodh në Ukrainë provon se Rusia mund ta ketë urdhëruar kryerjen e kësaj vrasjeje.”

 

Proçesi i paraqitjes së provave do të vazhdojë për rreth 8 javë, dhe vëzhguesit parashikojnë se do të shfaqen që akuza të tjera të rënda ndaj qeverisë ruse./zeriamerikes

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit