Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës përmes një udhëzimi administrativ kishte obliguar subjektet afariste që të vendosin flamurin e origjinës së produktit nëpër dyqane në mënyrë që konsumatorët të njoftohen me origjinën e mallrave që blejnë.
Por, në disa raste ky udhëzim administrativ nuk po zbatohet në masën e duhur, e raste tjera, flamuri i shtetit nuk përkon me origjinën e mallit të ekspozuar për shitje.
Mospërputhja e flamurit të shtetit me origjinën e produktit, kryesisht ndodh kur janë në pyetje prodhimet nga Serbia apo edhe brendet ndërkombëtare, por që janë importuar nga ky vend.
Në një rast të evidentuar nga në një dyqan në Prishtinë, flamuri i Kosovës shihet i vendosur te produkti i cili është brend ndërkombëtar, por që prodhohet në Serbi.
Kryeinspektori i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Lulzim Syla, thotë se kanë evidentuar raste kur subjektet afaristë kanë bërë ndërrim të flamujve, por edhe raste kur nuk janë vendosur fare flamujt e origjinës së produktit.
“Kemi raste të atilla (ndërrimi i flamujve të origjinës). Inspektorati i tregut në bazë të inspektimeve dhe informatave që kemi marr nga mediat apo qytetarët përmes rrjeteve sociale, ne si inspektorat jo vetëm se i kemi gjobitur subjektet afariste, por i kemi dërguar lëndën edhe në gjykatë. Ka pasur raste të mashtrimit ku ka hequr flamurin e Serbisë e ka vendosur të Turqisë apo ndonjë shteti tjetër”, thotë Syla.
Ai shton se në rast se subjektet afariste në vend nuk respektojnë udhëzimin administrativ dhe bëhen manipulime me flamuj të origjinës, atëherë pasojnë gjobat, duke treguar se tashmë disa biznese kanë marrë gjoba të tilla.
“Inspektorati i tregut është në terren në vazhdimësi dhe bëjnë kontrolla. Ka pasur raste kur nuk është respektuar fare udhëzimi administrativ dhe lënda është dërguar në gjykatë. Aty ku bëjnë ndryshim të famujve inspektorati i dërgon në gjykatë. Gjoba e ndryshimit të flamujve kur dërgohet në gjykatë është më e madhe, ndërsa aty ku nuk vendoset flamuj japin gjoba mandatore e cila 1000 euro, kurse të cilat shkojnë në gjykatë gjoba shkon deri në 10 mijë euro”, thotë Syla.
Sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, flamuri i origjinës së produktit duhet të vendoset në anën e majtë të çmimit të shitjes apo çmimit për njësi jo më larg se 1 centimetër nga çmimi i produktit.
Madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit duhet të jetë në madhësi proporcionale me çmimin e produktit. Në asnjë rast, madhësia e flamurit që tregon origjinën e produktit të shtetit nuk duhet të jetë më e vogël se 4 centimetra gjerësi dhe 2 centimetra lartësi.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se të kanë evidentuar edhe ata raste kur janë bërë manipulime me flamujt e origjinës së produktit. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se për rastet e evidentuara kishin njoftuar autoritetet kompetente.
“Në disa raste ka pasur tentim të disa bizneseve që t’i mashtrojnë qytetarët konsumatorët duke vënë flamurin e Kosovës pranë një produkti të një shteti tjetër. Udhëzimi administrativ ka qenë një veprim i mirë që në një formë të informojë mirë qytetarët se produktet e cilit shtet po i konsumojnë. Udhëzimi administrativ është i qartë dhe autoritetet duhet ta zbatojë dhe nëse ka nevojë bizneset të ndëshkohen nëse nuk i përgjigjen udhëzimit”, thotë Shahini.
Ndërrimi i flamujve të origjinës së produktit, thotë Shahini, më së shumë janë bërë te produktet të cilat janë importuara nga Serbia.
“Kemi pasur raste kur në një produkt të Serbisë i është vënë flamuri i Norvegjisë, një produkt të Serbisë i është vënë flamuri i Kosovës apo në një produkt të një shteti tjetër është vënë një flamur i shteti tjetër”, thotë Shahini.
Udhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit pati hyrë në fuqi pak kohë pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Vendosja e taksës 100 për qind, vazhdon të jetë në fuqi. Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga ky vendim edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin apo anulimin të kësaj takse.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është bllokuar që nga vendosja e taksës katër muaj më parë. /rel