“Panorama Online” shkruan sot se Mark Frroku do të mbetet në burg deri në përfundim të hetimeve për një vrasje të kryer në bashkëpunim në Belgjikë. Burime të “Panorama Online” nga organi i akuzës bëjnë të ditur se prej 10 ditësh autoritetet belge kanë sjellë dosjen me rreth 2500 faqe për deputetin Frroku. “Në dosje ka fakte dhe dëshmi për akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Ndërkohë është në hetim në Shqipëri edhe për fshehje pasurie dhe pastrim parash”, tha një zyrtar i Prokurorisë. Shkrimi mediave belge “Deputeti është dënuar në mungesë, në vitin 2010, me 10 vite burg për vrasjen e një shqiptari, Aleksandër Kurti, në stacionin e trenit MIDI në Bruksel. Ky vendim është rrëzuar dhe një gjyq i ri duhet të ishte zhvilluar në Nivelles”.