Ndërtimi i autostradës me Kosovën është vendosur në listën prioritare të Qeverisë.
Ministrat e ngarkuar për ekonomi kanë vendosur ndërtimi i aksit Shkup- Bllacë të fillojë në pranverë. Do të punohet në dy faza. Në fazën e parë do të ndërtohen 1,6 kilometra ndërsa njëkohësisht do të punohet në projektimin e dhjetëra kilometrave tjerë, nga gjithsej 13. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski nuk deshi të komentojë sa do të kushtojë projekti në fjalë.
Pritjet tona, në bazë të vendimit që e mori Këshilli ekonomik i Qeverisë, prioriteti kryesor është aksi Shkup- Bllacë, krahas autostradave tjera që ndërtohen. Këtë desha ta njoftoj. Kështu që, ky aks do të filloj të ndërtohet pranverën e ardhshme. Kam kujdes për këto gjëra, sepse ne duhet një ditë të dalim para qytetarëve dhe të njoftojmë sa mjete janë shpenzuar sepse mund të krijohet ndonjë situatë tjetër- deklaroi Goran Sugareski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Para një jave, zëvendës- kryeministri për euro- integrime, Bujar Osmani deklaroi se autostrada Shkup- Bllacë do të kushtojë rreth 100 milionë euro. Fondet do të sigurohen nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim ndërsa një pjesë nga arka e shtetit.
“Sipas projektit bazë që jemi duke e përgatitur me mjetet e Fondit evropiane për Ballkanin Perëndimor që i siguroi Sekretariati për çështje evropiane, parashihen katër tunele dhe nëntë ura në këtë trase prej 12,4 kilometra”- tha Bujar Osmani.
Kjo autostradë deri në Kosovë është kërkesë shumëvjeçare e komunitetit të biznesit, sidomos e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Deri më tani, projekti në fjalë rregullisht ishte pjesë e programeve zgjedhore të partive, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, por për momentin nuk ka realizim konkret. Në ndërkohë, paralajmërimet e Prishtinës janë se autostrada nga ana e Kosovës deri në kufirin me Maqedoninë, do të jetë gati deri në fund të vitit.