Përkundër paralajmërime, Kuvendi i Maqedonisë të mërkurën nuk ka vënë në rend të ditës për të shqyrtuar në komisionet përkatëse propozim-ligjin e hartuar nga VMRO-DPMNE-ja, përmes së cilit synohet rregullimi i statusit të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurimit që pësuan në konfliktin e vitit 2001.
Ndërkohë që BDI mbetet në qëndrimin se miratimi i një ligji që përfshin privilegje vetëm për “branitellat”, do të thotë edhe fund për koalicioni qeveritar.
Bujar Osmani zëdhënës i BDI-së, thotë se me këtë nismë VMRO-DPMNE, shkel marrëveshjen për bashkëqeverisje.
“VMRO-DPMNE edhe pse e ka lansuar në mediume ligjin në fjalë, të njëjtin ende nuk e ka dorëzuar zyrtarisht në Parlament, por ashtu sicc është dorëzuar në mediume, ne kemi bërë të qartë qëndrimin e BDI-së: se jemi apsolutisht kundër”.
“Një ligj i tillë është në kundërshtim me marrëveshjet parimore mes partnerëve të koalicionit qeverisës. Ne nuk do të lejojmë që një ligj i tillë i njëanshëm të kalojë në parlamentin e Maqedonisë”, thekson për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Ndërkaq, kryeministri Nikolla Gruevski duke komentuar zhvillimet e fundit në relacionet mes dy partnerëve të koalicionit. ka deklaruar se koalicioni qeverisës është në krizë dhe ai është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.
“Jemi të gatshëm për zgjedhje të parakohshme nëse BDI vlerëson se ato janë të nevojshme, megjithëse ne nuk i dëshirojmë. Në këto tre vjet, BDI-në e kemi vlerësuar si parti e cila e mban fjalën dhe sillet korrektësisht në pajtim me atë të cilën e kemi dakorduar”.
“Ne jemi munduar gjithashtu të jemi korrekt lidhur me atë që jemi dakorduar. Një pjesë e tyre, mbase sepse ndjenin se VMRO-DPMNE nuk e ka shumicën në Kuvend dhe BDI e mbulon këtë zbrazëtirë, kanë bërë përjashtime nga praktika që kishte BDI”.
“Unë kam biseduar disa herë në të kaluarën me kryetarin e asaj partie. I kam thënë se individë të caktuar po sillen në mënyrë joadekuate dhe kjo tani mbase është kulmi i një sjellje jokorrekte e cila nuk kontribuon për realizimin e qëllimeve të BDI-së e as të përmbushjes së gjërave të rëndësishme për shqiptarët në Maqedoni, por vetëm në krijimin e tensioneve”, ka theksuar kryeministri Nikolla Gruevski.
Ai i la fajin për këto zhvillime BDI-së dhe njëherit duke apostrofuar se ngjarja në Sllupçan është kulmi sjelljes jokorrekte nga ana e partnerit shqiptar në qeveri.
Gjersa partia shqiptare në opozitë RDK konsideron se “propozim ligji për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë, edhe një herë nxjerr në pah politikën populiste dhe në thelb antishqiptare të qeverisë”.
“Zhvillimet e fundit mes VMRO-DPMNE-së duhet parë si spektakël i koordinuar, i përsëritur jo për herë të parë mes këtyre dy partive, që për qëllim kanë rritjen e rejtingut politik para zgjedhjeve”.
“Më duhet të theksoj se pas një dështimi një dy ose tani katër vjeçare, në moszgjidhjen e statusit juridik, moszgjidhjen e statusit të gjuhës, koncentrimin e investimeve të huaja në zonat maqedonase dhe papunësinë e lartë në zonat shqiptare”, thotë Artan Dika, zëdhënës i RDK-së.
Ai shton se edhe partia e tij do të reagojë me amandamente ndaj ligjit në fjalë të propozuar nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, Partia e Re Social-Demokrate, konsideron se situata më e re e tensionimit mes partnerëve të koalicionit qeverisës është si rrjedhojë e faktit se më në fund edhe VMRO-DPMNE edhe BDI e kanë të qartë se gjendja ekonomike është më se e rëndë dhe se duhet të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
“Praktika ka dëshmuar se kur diccka ngec, shndërrohet në problematikë të vështirë për t’u zgjidhur. Kryeministri Gruevski përcaktohet për zgjedhje të parakohshme dhe sipas disa rregullave, ai gjithmonë luan në letrën nacionaliste”.
“Unë edhe në këtë rast nuk e përjashtoj mundësinë që ai të luajë ashpër në letrën që për bazë do të ketë nacionalizmit antishqiptar, letër kjo që i ka sjellë gjithmonë vota partisë së tij, duke e mbrojtur Maqedonië deri tani nga grekët dhe bullgarët. Tani radha i vjen të mbrohet Maqedonia dhe maqedonizmi nga shqiptarët”, thekson Tito Petkovski, nga partia maqedonase në opozitë.
Ai thotë se liderët seriozë në raste krizash ulen për të biseduar dhe për të marrë vendime konkrete si të dilet nga kriza dhe si te ruhen interesat e ngushta partiake.
Ndryshe propozim-ligji i hartuar nga VMRO-DPMNE-ja, për rregullimin e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurimit që pësuan në konfliktin e vitit 2001, parasheh pensione, banesa, punësime, ndihma sociale e shëndetësore, dhe benifite tjera shtesë, vetëm për pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë.
Por, po sipas këtij propozim-ligji, benifitet e përcaktuara nuk mund t’i realizojnë ata persona, të cilët dëmtimet i kanë marrë si pjesëtarë, ndihmës ose bashkëpunëtorë të grupeve të armatosura ekstremiste dhe grupimeve paraushtarake apo personat ndaj të cilëve është ngritur padi penale apo kanë marrë dënime të plotfuqishme për shkak të armëmbajtjes pa leje si për vepra penale kundër shtetit, njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.