Partitë shqiptare në Maqedoni do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 24 marsit, edhe përkundër bojkotit të opozitës maqedonase.
Partitë shqiptare theksojnë se kriza politike i takon kampit politik maqedonas, midis pozitës dhe opozitës dhe se ajo nuk ka të bëjë me shqiptarët dhe kërkesat e tyre.
Partia shqiptare në pushtet BDI ka theksuar se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe se tanimë janë bërë të gjitha parapërgatitjet për fushatën zgjedhore.
Abdilaqim Ademi, sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe shef i shtabit zgjedhor ka theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe shpallja e kandidaturave për garën zgjedhore të 24 marsit.
Sipas tij, vendi duhet të mbajë këto zgjedhje dhe të shmang zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se ato janë të panevojshme për vendin.
PDSH opozitare e udhëhequr nga Menduh Thaçi ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, edhe përskaj vendimit të opozitës maqedonase që të bojkotoj ato.
“Ne po përgatitemi seriozisht për zgjedhjet lokale dhe jam i bindur se PDSH do të fitojë, dhe do të ishte shumë e pritshme që të shpalosim kërkesa më të mëdha politike. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që PDSH të sillet me përgjegjësi në këto muaj të ndjeshëm për Maqedoninë. Unë kam dhënë sinjal të qartë me prishjen e marrëveshjes me LSDM, pasi që nuk vërejta se Cërvenkovski ofron ndonjë alternativë sa i përket çështjeve të shqiptarëve”, ka theksuar ndër të tjera Thaçi.
Për zgjedhjet e 24 marsit të gjitha përgatitjet ka bërë edhe RDK. Kryetari i kësaj partie Rufi Osmani ka theksuar se RDK është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për garën zgjedhore të radhës dhe se kjo parti në zgjedhje do të shkojë si e vetme, ndërsa bashkëpunimi në raundin e dytë do të varet nga specifikat e komunave dhe oferta politike e partive tjera.
Edhe partitë e tjera minore shqiptare gjithashtu kanë bërë të ditur pjesëmarrjen në zgjedhje, por duke qenë pjesë të koalicionime formale me partitë më të mëdha politike si dhe përkrahjen e dhënë individuale. (INA)/kohaislame