Deputetët e partisë opozitare maqedonase LSDM dje pasdite dorëzuan propozimin për votëbesimin e Qeverisë, ndërsa deri tani spekulohen dhe po hartohen disa skenarë dhe plane si nga pozita, ashtu edhe nga opozita.
Siç mëson agjencia e lajmeve INA, lidhur me situatën e krijuar të krizës politike, ka pasur një takim midis liderëve të dy partive të koalicionit Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti për të diskutuar mbi propozimin e interpelancës të propozuar nga opozita maqedonase.
Por, nga ky takim nuk jepen detaje se cili do të jetë epilogu i këtij koalicioni që u përfshi në tensione të brendshme dhe mosmarrëveshje pas një ceremonie të homazheve që ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi i shoqëruar nga oficerë të Armatës i kreu në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.
Në taborin e opozitës maqedonase theksojnë se të premten në mesnatë do të dihet fati i kësaj qeverisje, ndërsa ata kanë theksuar se në seancën e së premtes do të shpalosin të gjitha dëmet dhe paaftësitë e këtij koalicioni që po drejton vendin. Interpelanca është përkrahur edhe nga dy partitë parlamentare shqiptare PDSH dhe RDK.
Mbijetesa e koalicionit qeveritar do të varet nga votat e BDI-së, e cila jozyrtarisht siç mësohet se nuk dëshiron tani për tani shpërbërjen e Qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme që mund të jenë në dhjetor, në rast se ndodh votëbesimi i koalicionit.
Opozita maqedonase numëron 42 deputetë, pa 8 deputetët e PDSH-së dhe 2 deputetët e RDK-së, që gjithsejtë bëjnë 52 deputetë dhe nuk janë të siguruara votat e mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë e Gruevskit. Në anën tjetër, koalicioni qeveritar ka 62 deputetë, të cilët pritet të mos i japin dritë jeshile propozimit të LSDM-së, me arsyetimet tashmë jozyrtare se nuk do të lejojnë rrëzimin e koalicionit të tyre nga një propozim i bërë nga opozita maqedonase.
Në rast se bie qeveritare, atëherë sipas Kushtetutës, presidenti i jep mandatin një mandatari të ri për formimin e Qeverisë me 62 vota të deputetëve, ndërsa në rast se i jepet mbështetje kësaj qeverisje, atëherë sipas rregullores, nuk mund të dorëzohet interpelancë gjatë tre muajve të ardhshëm. /INA/kohaislame