Nga Moikom Zeqo
“Kështu njeriu kalon në shekuj. Në vend që të naltësohet ndër sfera të kullueta e të shkasi nga ylli në yll me hapa përparimi, njeriu poshtërohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, me ia vu masken e derrit. Qashtu njeriu ja luajti lojën…kujt ? Vetvetes! Ah, vetvetes, bërtet morali prej mërgimit” – MIGJENI
Si ka mundësi që këto 27 vjet klasa (para) politike shqiptare i ka sjellë në rezultatin gravitacional të kriminalizimit endemik që të tërë elementët e shoqërisë shqiptare? A thua vetëm VETINGU do të jete guri filozofal dhe çelësi i zgjidhjes së enigmës së të ardhmes të Shqipërisë?
A duhet folur hapur për politikën e deformuar shqiptare, apo në mënyre sibiline dhe okulte ? A ka kauzë zhvillimi dhe përparimi, pra edhe të moralit ky popull? Apo është një popull pa vetëdije? Cili politikan shqiptar vizionar sot është shëmbëlltyra e moralit? Seksomanë dhe mediokër, pa vizion, improvizues, të zhytur në një lojë egoistike të neveritshme, politikanet dhe deputetët anonimë, duket sikur nuk kanë asnjë lidhje konceptuale me popullin e tyre. Ajme! Medet!
Në vijim të shtjellimit kaleidoskopik të ideve të ndërlikuara, por edhe llahtarisht të thjeshta të politikës, nuk mund t’i shmangem problematikës më të thekshme: raportit substancial, të patjetërsueshëm të moralit me politikën. Edhe kur nënkuptohet ky raport, apo kur shpallet publikisht, është më shpesh i deformuar, duke krijuar një konfuzion konceptual të pabesueshëm.
Përgjithësisht, tek njeriu i thjeshtë është krijuar një bindje, gati si paragjykim i mbrapshtë se politika dhe morali nuk kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin, madje janë të kundërta, absolutisht të papërputhshme. Madje kjo vështrohet si një qëndrim realist, nëse mendon ndryshe duhet të jesh jashtë realitetit.
Megjithatë, është e habitshme se lufta politike në Shqipëri, nuk bëhet nëpërmjet programeve politike, nuk ka doktrina, nuk ka rrafsh ideologjik, nuk ka madje dhe një rend konceptual ekonomik të shtjelluar me profesionalizëm. Kundërshtarët, vetë të pamoralshëm, sulmojnë njëri-tjetrin, të veshur si moralistë, akuzojnë njëri-tjetrin si specialistë të moralit dhe monopolistë të moralit.
Tërë luftërat politike post-komuniste në Shqipëri, janë një përleshje për fitim klientelist dhe mashtrim ekonomik, por çuditërisht me terma moralistikë, madje dallimet programore e majtë dhe e djathtë nuk ekzistojnë më. Edhe kur flitet në emër të ligjit, nuk kemi një përqasje dhe as një botëkuptim juridik të vërtetë, çka do të nënkuptonte veprime juridike më vendimtare dhe më të fuqishme edhe në raport me rrafshin ekzekutiv dhe politik.
***
Filozofët që e kanë studiuar moralin, thonë shprehimisht, në mënyrë normative se morali nuk mund të ekzistojë jashtë historisë dhe shoqërisë. Nga kjo pikëpamje, mund të ravgojmë deri tek njeriu i Neandertalit, për të gjetur fillesat e koncepteve “e mira” dhe “e keqja”, “e vërteta” dhe “e gënjeshtërta” si dhe “e drejta” dhe “e shtrembërta”. Zhvillimi historik i këtyre koncepteve, do të konstruktonte atë material mendor që lidhet me moralin.
Morali është tërësia e pikëpamjeve, bindjeve, për të mirën dhe të keqen etj., në një shoqëri të caktuar, morali ka një karakter relativ të lëvizshëm, shpesh kontradiktor. Parimi i moralit, gjithsesi ndikon në histori, për Emanuel Kantin, parimi “moral” është një imperativ kategorik (vepro gjithmonë ashtu, që të mos duash, që maksima e veprimit tënd të bëhet ligj i përgjithshëm).
Morali ecën kështu në mënyrë progresive, por jo në mënyrë vertikale, ai ka zigzaget e tij. Morali ndeshet me hedonizmin (kënaqësi mbi çdo gjë) dhe utilitarizmin (vetëm kriteri i dobishmërisë mbi çdo gjë). Nuk mund të ketë një shkencë të plotë dhe universale mbi moralin.
Kanti beson në progresin moral, që e mbështet në idenë e pavdekshmërisë së qënies morale – ekziston një rend moral, gati i padukshëm. Për Kantin, shteti duhet të jetë një formë e moralitetit. Moraliteti ka të bëjë me sferën e asaj “që duhet”, përkundër sferës së asaj “që është”.
***
Filozofët e politikës, ndahen në dy lagje kryesore: në ata që besojnë se politika nuk ka lidhje fare me moralin, se qëllimi justifikon mjetin (makiavelizmi) dhe në ata që besojnë se politika e vërtetë nuk mund të pllenohet dhe të ketë sukses jashtë moralit, madje është atribut i moralit.
Një nga filozofët më të shquar të politikës në ditët e sotme, burrë shteti gjerman Erhard Epler, në librin e tij krejt të veçantë dhe gati shpëtimtar “Rikthimi i Politikës”, beson se përdorimi i termave moralë në politikë, më shpesh është një instrumentalizim spekulativ. Epler thotë: “Gjithmonë kur politikanët flasin për moral, këshillohet për të tjerët një mosbesim”.
Shpesh, në këto raste morali kthehet në diçka, që nuk duhej të transformohej: Në një instrument dhe pikërisht në instrumentin e luftës për pushtet. Që predikimet morale kanë pak efekt dhe ato nga politika, edhe më pak, kjo është e qartë edhe për vetë politikanët. Kur ata janë tunduar për këtë, kur madje propogandojnë apo lajmërojnë rilindjen morale, atëherë na lejohet dyshimi që prapa tyre fshihet një llogari politike: Ndoshta nga anketat mbi opinionet, ka rezultuar se pjesa më e madhe e zgjedhësve mendojnë se aktualisht ka një prishje të moralit.
Këtyre ndjenjave, u duhet “shërbyer”. Në rastin më të keq, një strateg zgjedhjesh ka këshilluar një “përvetësim” të nocionit “moral” për ta profilizuar partinë si mbrojtëse të moralit dhe për t’i paraqitur kundërshtarët politikë si vatra të imoralitetit. Sigurisht, një manipulim i tillë i moralit ka në shumicën e rasteve një sukses të shkurtër, pasi pas fitores së zgjedhjeve, qoftë edhe me skandalin më të vogël të predikuesve pushtetarë, njerëzit pyesin se çfarë ka ndryshuar në të vërtetë”.
***
Lufta politike midis dy partive, ka një karakter vetëm në dukje “moralistik”, groteks dhe të bujshëm. Pyes: Kush është i imunizuar në këtë shoqëri? Kush e mbiquan veten me monopolin e moralit? Pyes: A ka kuptim ky purizëm moral, i cili është vetëm deklarativ, por jo substancial? Pyes: A mund të ndryshojë diçka në moralitetin e një shoqërie vetëm nga sipër? Pyes: A mundet që qoftë edhe një, ose dy parti pushtetare, apo edhe një mazhorancë parlamentare e pashembullt të jetë faktori subjektiv për të ndryshuar konceptet morale të një shoqërie, vetëm nga sipër?
A mundet që edhe përurimi i ligjeve të drejta, të ketë në vetvete fuqi vetëmoralizuese?
A mundet që t’i kushtojmë rëndësi mesianike, apo apokaliptike deklaratave “shpëtimtare” për moralin e një shoqërie, kur në substancën e kësaj shoqërie, ka një deformim të madh moral?
A mundet kur arsimi shqiptar i të gjitha niveleve ka dobësi të llahtarshme, të flitet për njerëz të edukuar me moral? Dikur thuhej se atë që bën një mësues i mirë, nuk mund ta bëjnë as 100 gjykatës të shkëlqyer. Kurse ne i kemi gjykatësit të korruptuar si askush në Europë dhe në botë.
Morali ka të bëjë me objektivitetin e një shoqërie, morali pllenohet nga poshtë, në të gjitha shkallët, tek të gjithë individët e kolektivit. Morali konstruktohet me progresin e vërtetë ekonomik, me punësimin, me dinjitetin. Morali është diçka shumë më universale se vetë politika e ditës.
Fuqizoni arsimin dhe jo privilegjet. Fuqizoni dinjitetin dhe jo poshtërimin. Fuqizoni kriticizmin dhe jo servilizmin. Fuqizoni integrimin e të gjithëve, madje edhe të kundërshtarëve politikë në shoqëri dhe jo segregacionin. Fuqizoni bashkimin dhe jo përçarjen. Kulturohuni si politikanë dhe jo të politikanizoni kulturën. Jini më modestë dhe jo kaq mendjemëdhenj, pa shpirt. Delirantë, jeni preja e iluzionit tuaj. Morali ekziston, por jo tek ju!
Populli është më shumë sesa partitë dhe politikanët. Populli do punë, drejtësi dhe dinjitet.
E tmerrshme, por krejtësisht e vërtetë, është se nën trysninë e mediave, nën petkun mediatik të politikave, fshihet dhe nuk duket pamja e vërtetë e një shoqërie, paradokset e saj, çdo gjë vihet në funksion të politikës dhe jo politika në funksion të jetës.
Morali nuk krijohet në politikë, por ka ndikim në të. Ky ndikim real ngrihet sa më pak politika e përdor atë si instrument të sajin. Politika nuk mund t’u shmanget kritereve morale, nëse nuk i krijon vetë këto kritere. Ajo gjithashtu është po aq pak përgjegjëse për to, sa edhe për të vërtetën.
***
Pushtetet politike, janë të përkohshme. Morali dhe zhvillimi shoqëror, janë të përjetshme.
Le të rikthehemi përsëri tek i madhi Maks Veber. Duhet konsultuar shpesh ky fiolozof i politikës. Veberi thotë: “Ku papritur politikanët e bindjeve përhapen në masë, si bari i keq me parrullën: “bota është e marrë dhe e keqe, jo unë; përgjegjësia për pasojat nuk bie mbi mua, por mbi të tjerët, në shërbim të të cilëve punoj dhe marrëzinë, apo ligësinë e të tjerëve, e të cilëve do të shkatërroj; atëherë unë them hapur se fillimisht kërkoj masën e esencës së brendshme, që qëndron prapa kësaj etike parimore. Dhe më krijohet përshtypja, se në 9 nga 10 raste, kam të bëj me “mëndjelehtë”, që nuk ndiejnë realisht atë çfarë marrin përsipër, por ngazëllehen nga ndjenja romantike”. Veberi thotë: Marrëzia dhe ligësia, nuk mund të shkatërrohen dhe kush provon ta bëjë këtë, është budalla dhe shpesh bëhet edhe i lig. Natyrisht që marrëzia dhe ligësia nuk gjenden vetëm tek të tjetër, por në çdo individ. Kush nuk e pranon këtë, dëshmon vetëm sesa e vërtetë është kjo gjë”.
Veberi indinjohet me politikanët mesianikë, që luftojnë veset e vjetra me veset e reja, që injorojnë një fakt themelor të ekzistencës njerëzore, që janë përgjegjës për pasojat e veprimeve të krijimit të historisë nga sipër dhe jo të krijimit të historisë nga poshtë, ose në bashkëveprim.
Veberi thotë: “Kush kërkon të vendosë drejtësinë absolute mbi tokë me ndihmën e dhunës, ka nevojë për pasues: për “aparatin njerëzor”. Këtij të fundit i duhen treguar shpërblimet e nevojshme, të brendshme ose të jashtme – paga hyjnore, ose tokësore – ndryshe, asgjë nuk funksionon. Të brendshme: nën kushtin e luftës moderne të klasave, kënaqje të ndjenjës së urrejtjes dhe të etjes për hakmarrje, por para së gjithash, të mërisë dhe nevojës për pasje të drejtë “pseudoetikë”, pra të nevojës për shpifje dhe të nxirjes së kundërshtarit. Të jashtme: aventurë, fitore, pushtet dhe shpërblim”.
***
Ne kemi VIP-a, por nuk kemi personalitete të vërtetë. Në cilën fushë të shtetit dhe shoqërisë, pyeten personalitetet e vërteta? Pothuaj në asnjë. Statusi i personaliteteve të vërteta, është zero nga politika dhe kjo gjë nuk ka të bëjë fare me fatin e tyre vetjak, por me fatin e krejt shoqërisë, madje edhe të vetë politikës.
Si mund të kemi një të ardhme, pa patur një imazh për këtë të ardhme? Si mund të ecin para vetëm “disa” duke shkelmuar, duke dhunuar, duke poshtëruar dhe demonizuar “të tjerët”? A kuptohet ky apel? Nëse nuk kuptohet, atëherë cila është zgjidhja? A është vendimarrja politike një atribut i një pakice? Apo është atribut i krejt popullit dhe shoqërisë? Si mund të bëhen të moralshëm disa, duke qenë të pamoralshëm të tjerët?
Për fat të keq opozita në Shqipëri është e dobët, deklarative dhe gati e pabesueshme për shkak të berishizmit të frikshëm historik, të mëkateve. Më e keqe se përçarja, antagonizmi bipolar in extremis është mungesa e ideve të vërteta politike, ka një amulli dhe një plogështi për të marrë nisma politike të thekshme. Opinioni publik në Shqipëri, është i instrumentalizuar nga grupet e interesave, liria e shtypit tani është më e pakët, më e shtangur sesa disa vite më parë.
Kriticizmi intelektual, akademik, universitar ndaj qeverisë dhe pushtetit, gati nuk ekziston. OJQ -te jane fantazma. Servilizmi mediatik dhe klietelizmi i neveritshëm është kthyer në një ritual. Politika është kthyer në një lojë, por jo në një realitet. Natyrisht, e gjithë kjo nuk duhet parë në mënyrë fatale dhe as të thjeshtëzuar. Por pa prekur nervin e sendeve, nuk mund të ketë zhvillim. Kjo mund të jetë edhe e rrezikshme, por absolutisht e dobishme. Këtu është në fund të fundit, sekreti i moralit të vërtetë.