4.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Mami, kam vendosur të besoj në Allah

Më të lexuarat

Gratë perëndimore po i kthehen Islamit gjithnjë e më shumë. Kay Jardine zbulon përse janë kaq të vendosura të bëhen muslimane.
Depresioni dhe pagjumësia ia bënë vitet e adoleshencës Kimberley McCrindle shumë të vështira. Talljet e shokëve e shoqeve të klasës për shkak të peshës dhe pamjes së saj e bënë studenten 19-vjeçare të ndihej sikur nuk i përkiste atij vendi dhe gjithnjë në kërkim të asaj që do ta bënte të lumtur, jo të vetmuar.
McCrindle, nga një familje ateistësh, u përball me fenë vetëm kur interesimi i saj e çoi atë në mësimet e së dielës në kishë. Por paqja dhe lumturia qe ajo kërkonte ende i shmangej asaj, për t’u shfaqur kur ajo filloi kolegjin në Edinburgh, Skoci, ku krijoi disa miq muslimanë dhe zbuloi Islamin.

 

“Po kërkoja paqen,” thotë ajo. Kam pasur një të shkuar të vështirë. Vitet e mia të adoleshencës nuk ishin kushedi çfarë; më tallnin në shkollë, të tjerët më quanin të trashë e të shëmtuar dhe isha në kërkim të diçkaje që do të më bënte të lumtur. U përpoqa të shkoja në kishë një herë në javë, por nuk e quaja veten të krishterë; ishte thjesht interesim. Por nuk bënte për mua, nuk ndihesha e qetë atje.
Kur ecën në një xhami, ndien paqe. Të falësh pesë namazet ditore është më të vërtetë diçka që të përqendron. Kjo të jep një qëllim në jetë. Kurani është si një udhërrëfyes që të ndihmon, të bën të ndihesh më mirë.”
McCrindle u bë muslimane para tre vitesh. Ajo është një prej atyre grave të shumta britanike që po kthehen drejt Islamit, feja me rritje më të madhe në botë. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare, dihet se numri i të konvertuarve është në rritje e sipër dhe shumica e tyre janë femra, siç pohon Nicole Bourque, një mësimdhënës i antropologjisë sociale në Universitetin e Glazgout dhe një ekspert mbi konvertimet në Islam.
“Konvertimet ndodhin gjatë gjithë kohës” thotë ajo. “Do të vlerësoja se vetëm në Glasgou ka rreth 200 të konvertuar, por ky është një vlerësim i përafërt. Të dhënat janë të vështira për t’u siguruar.” Vlerësime të tjera e çojnë këtë shifër në afërsisht 500 të konvertuar.
Tërheqja që Islami u bën shumë grave të çliruara evropiane është i vështirë për t’u kuptuar nga shumë njerëz për shkak të perceptimit në Perëndim se kjo fe e trajton gruan keq.
Për 27-vjeçaren Behija Malik, ose Lucy Norris për prindërit e saj, kjo është e vështirë për t’u kuptuar. Behija, që jeton në Edinburgh, binjakja e saj Viktoria dhe vëllai i tyre, Mateu, u rritën si të krishtere praktikues në zona rurale në Ëest Midlands, ku kanë ndjekur shkollat fetare të së dielës në një kishë të vogël pranë shtëpisë. Kur u rritën, ata reshtën së shkuari në kishë dhe para shtatë vitesh, në moshën 20-vjeçare, Behija dhe motra e saj u konvertuan në Islam – gjashtë muaj pas vëllait të tyre.
Gjashtë muaj pasi filloi të mësonte për Islamin, Behija kuptoi se jeta sipas Islamit do ta bënte të lumtur. “Mendoj se është diçka që e ndien në zemër. Nuk mund ta shprehësh me fjalë. Është sikur të flet zemra, diçka që e ndien brenda dhe e di se është për ty. Allahu e ka zgjedhur këtë gjë për ju, është përtej fuqisë tënde.”
Gratë që kthehen në Islam janë të ndërgjegjshme për perceptimet perëndimore se ato janë të shtypura, por këto gra shprehen se ky perceptim është i rremë. Për shumë prej tyre pranimi i Islamit vjen pas një udhëtimi shpirtëror, i cili jo vetëm që nuk i shtyp, por ua përmirëson statusin e tyre social dhe u jep të drejta të reja.
Hafsa Hashmi, e cila jeton në Glasgou, u kthye në Islam para 24 vitesh. Ajo thotë se në Islam qëllimi yt nuk është më kjo botë, por bota tjetër, e përjetshmja. “Prandaj, përse duhet të shkojmë pas gjërave materiale?” shprehet ajo.
Për Tasnimin, Behijen dhe Hafsën jeta fokusohet tek pesë namazet ditore dhe të gjitha shprehen se nuk i merr malli për diçka të jetës para konvertimit. “Më mjafton Islami,” thotë Behija. “Nuk të nevojitet gjë tjetër pasi ke zbuluar Islamin.”
Bërja muslimane i ka sjellë Tasnimit lumturinë që po kërkonte. “Është një ndryshim i plotë i qëndrimit, sjelljes dhe mënyrës së të menduarit,” thotë ajo. “Tani kam më shumë vetëbesim, jam e lumtur dhe e kënaqur. Kam arritur atë që kërkoja.”

Kay Jardine, gazeta The Herald, 8 mars 2002
Përkthyer me shkurtime nga Eglantina Muça

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit