Faqet ueb nga Malajzia paraqitën disa “pop-up” me ngjyrë të zezë në faqet e tyre në shenjë proteste kundër ndryshimeve të ligjit të internetit, për të cilin aktivistët dhe blogerët thonë që cënon lirinë e shprehjes online.
Shumica e faqeve ueb më të famshme shfaqën mbështetjen e tyre ndaj fushatës “Internet Black-out Day” kundër amendamentit Evidence Act (numër 2) duke zëvendësuar kryefaqet e tyre me sfonde të zeza.
Zyrtarët shtetërorë mohojnë akuzat se ndryshimi i ligjit ishte bërë për të heshtur kritikat përpara zgjedhjeve.
“Pop-up”-et e zinj në faqet e tyre u shpjegonin vizitorëve rreth Seksionit 114 (a) që i bën njerëzit më të përgjegjshëm për deklaratat e publikuara në faqe ueb dhe rrjete shoqërore.
Blogerët si kolumnistja Marina Mahathir, që është vajza e ish kryeministrit Mahathir Mohammad, mori po ashtu pjesë në Ditën e Hijëzimit të Internetit, duke postuar pop-up dhe banerë që tregojnë “Ndal 114A”.
Portalet e lajmeve Malaysiakini dhe Free Malaysia Today e po ashtu edhe faqja ueb Bar Council morën pjesë në protestën online.
Shumë përdorues lokalë të internetit ndryshuan fotografitë e profileve të tyre në Facebook dhe Twitter në një të zezë që shkruante “Ndal 114A”.
Kjo ditë, që po e quajmë në shqip si dita e “hijëzimit”, koordinohet nga Qendra e Gazetarisë së Pavarur si pjesë e fushatës “Ndal 114A” dhe iu kërkon përdoruesve që të shfaqin pakënaqësinë e tyre duke i “hijëzuar” faqet e tyre ueb dhe fotografitë e profileve të tyre për të kundërshtuar amendamentin, që automatikisht do të vendoste fajësinë mbi përdoruesit në internet të cilët do të postonin materiale fyese duke përdorur pajisjet e tyre (edhe në qoftë se pajisjet e tyre janë hakuar).
Kritikët duan që ligji të ndryshohet ose të largohet tërësisht.
Premesh Chandra, që është themelues i faqes së lajmeve online Malaysiakini, tha se barra e provës në përdoruesit e internetit ishte e padrejtë.
“Me fjalë të tjera, nëse komentet shpifëse postohen në një blog, zotëruesi i blogut ka gjasë që të paditet ose ngarkohet me shpifje kriminale,” tha Malaysiakini në një deklaratë në faqen e vet ueb.
Interneti ka qenë çelës për të ndihmuar lëkundjen e një numri të madh votuesish nga mbështetja e koalicionit qeveritar, thotë Jennifer Pak e BBC-së në Kuala Lumpur.
Mediat online kanë zbuluar edhe skandale korrupsioni në mesin e partive qeveritare, të cilat kanë qenë në fuqi për gati 55 vite, shton më tej Jennifer Pak.kohaislame