1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Maksuti në serialin belg në rolin e studentit shqiptar

Më të lexuarat

Artan Malaj është një student nga Shqipëria, i cili e gjen veten në Belgjikë. Ai shkon atje për të studiuar drejtësinë, por me të arritur në Belgjikë ai akuzohet për një vrasje të cilën nuk e kishte bërë.

Malaj portretizohet nga aktori shqiptar Vildan Maksuti. Me këtë rol Maksuti është bërë pjesë e një prej serialeve më të shikuara të zhanrit krim, në Belgjikë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“De Ridder” në shtator ka nisur xhirimet e sezonit të tij të katërt, pjesë e të cilit do të jetë edhe Maksuti në një prej roleve kryesore. Në serial ai flet shqip. “De Ridder” nisi të transmetohet në vitin 2013 dhe ngjarja zë vend në gjykatën e qytetit Ghent, ku Helen Knight, e portretizuar nga Clara Cleymans, është prokurore e cila merr vendimet kryesore. Regjisor i këtij seriali është Eric Taelman, ndërkaq produksion i këtij projekti është kompania “Eyeworks”. Në tre sezonet e kaluara episodet nuk kishin vazhdimësi njëra me tjetrën, ndërsa krejt e kundërta do të ndodhë në sezonin e katër. Maksuti do të portretizojë Malajn gjatë tërë sezonit të katërt.

“Ky është seriali më i shikuar në Belgjikë. Do të marr pjesë tërë sezonin e katërt. Do të paraqitem në rolin e Artan Malajt, një student nga Shqipëria”, ka thënë Maksuti. Por ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth rolit të tij. “Më shumë nuk mund të them. Vetëm mund të them se është një rol tepër pozitiv”, ka shtuar ai.

Maksuti do të bëhej pjesë e një audicioni, ku në garë kishte edhe aktorë të tjerë për këtë rol. Pak ditë pas audicionit ai do ta kuptonte se e kishte fituar rolin. Këtë arritje e konsideron si një hap të rëndësishëm në rrugën e tij si aktor.

“E kuptova se jam pranuar pasi më njoftuan pas disa ditësh pas audicionit. Kjo për mua është tepër e rëndësishme, sepse ky rol më jep një hap të madh në karrierën time”, ka thënë Maksuti, tek ka treguar se xhirimet tashmë kanë nisur. “Xhirimet kanë filluar nga muaji shtator dhe do të zgjasin deri në dhjetor. Aty do të marrë pjesë edhe nëna ime. E kishin të vështirë të gjenin një aktore shqiptare. Unë e propozova nënën time dhe ata më pas ishin dakord. Ani pse ajo nuk është aktore, por vetëm për lexim tekstesh”, ka thënë ai.

Maksuti u lind në Kumanovë, prej ku ishte larguar në moshën 10-vjeçare. Ishte rritur në Blankenberge të Belgjikës. Studioi aktrimin në Akademinë e Arteve të Bukura në Brugge. Aty diplomoi më 2008. Në moshën 20- vjeçare mori rolin e Tahir Ukajt në filmin “Dossier K”. Në këtë film në njërin nga rolet kryesore luan Blerim Destani e në kastë janë edhe Çun Lajçi, Fatos Kryeziu, Afrim Kasapolli e Kushtrim Sheremeti. Prezantimi në “Dossier K” Maksutit do t’i hapte dyer të shumta. Ai mori edhe role në seriale të tjera. Pas “De Ridder” ai ka thënë se e presin edhe plane të tjera, të cilat pret t’i realizojë.

“Jam në bisedime për një serial tjetër, ku do të transmetohet tek i njëjti kanal ku jepet edhe ‘De Ridder’”, ka thënë Maksuti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit