1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

“Lutuni të mos e fitoni lotarinë”

Më të lexuarat

Në filmin e famshëm të vitit 1988, “Heathers”, që tani po jepet si shfaqje muzikore në Uest End të Londrës, është një batutë që thuhet kur vajzat e famshme bëjnë një sondazh të çmendur te restoranti i shkollës. “Trashëgon 5 milionë dollarë në të njëjtën ditë kur alienët zbresin në tokë dhe thonë se do ta hedhin planetin në erë brenda dy ditësh. Çfarë do të bësh?” Përgjigjet janë sa të ndryshme, po aq dhe të egra. Disa betohen të bëjnë bamirësi. Dikush do të joshte Madonën në prostitucion. Dikush do të bënte sulme vetëvrasëse në kopshte zoologjike, që “ti dhe luani të vdisni njësoj.”

Këtë javë, fituesit e dy lotarive shumë të mëdha mund të përjetojnë fantazinë më të madhe. Lotaria e së martës ka shkuar në 1.6 miliardë dollarë, dhe ajo e së mërkurës në 620 milionë. Dhe nuk ka asnjë pushtim alien rrotull që shpenzimi të bëhet shpejt.

Por në jetë, ashtu si në fantazinë e shkruar, ka një kleçkë. A ia vlen ky fat i papritur? Vitin e shkuar, një grua në Nju Hemshër ngriti padi për të drejtën për të qenë anonime, ndërsa mori çmimin prej 560 milionë dollarësh. Shumë shtete e bëjnë publike identitetin e fituesit të lotarisë.

Nëse ju duket sikur ia vlen, kujtoni fituesit e lotarisë që kanë përfunduar keq, pasi është përhapur lajmi i fitores.

Në vitin 2006, Abraham Shekspir fitoi 30 milionë në Florida. Më pak se tre vite më vonë u gjet i varrosur nën një pllakë betoni. Doris Di Di Mur, një grua që ishte bërë shoqe me Shekspirin pas fitores, u dënua për vrasje. Ajo kishte ofruar ta ndihmonte Shekspirin të menaxhonte paratë, por e kishte vrarë.

Shekspiri nuk është i vetmi fitues lotarie që është vrarë. Në vitin 2015, Krejgori Bërç Xhunior fitoi 400 mijë dollarë në Ilinoi. Dy muaj më vonë u vra në një grabitje banese nga hajdutë që kërkonin t’i jepte paratë, dhe që kishin hyrë me plan në shtëpinë e tij.

Sigurisht, këto janë gjëra që dihen prej kohësh. “Përralla e Faljes”, e Xhofri Çosër, tregon historinë e tre vëllezërve arrogantë të cilët dolën të kërkojnë vdekjen me qëllimin për ta shkatërruar. Kur takuan një plak të vjetër gjatë udhëtimit, ai u thotë se për të gjetur vdekjen duhet të ndiqnin një rrugë të shëmtuar e plot kthesa. Dhe u tregon me gisht një arkë floriri, të groposur në rrënjët e një peme. Mjafton kaq që vëllezërit të vrasin njëri-tjetrin.

600 vite më vonë, Xh.K Rouling përshtat përrallën e Herri Poterit për të treguar historinë e “Shkopit Magjik”. Në këtë version, vdekja i jep vëllait më të madh një shkop magjik të fuqishëm, por që s’mund ta mbrojë në gjumë. I lumtur nga fuqia e re, ai dehet në një bujtinë aty pranë dhe mburret për fatin e mirë. Por një klient ia pret fytin kur ishte në gjumë. (Dhe kështu vdekja mori vëllain e parë.) Urtësia popullore na ka mësuar ndër shekuj se po të kesh shumë pushtet e shumë flori, do të tërheqësh llojin më të lig të zilisë.

Po prapë, kush nuk do që ta fitojë lotarinë? Thjesht mos trego e bëj sa të mundesh që të ruash anonimitetin. (Në disa shtete të Amerikës është më e lehtë se në disa të tjera) dhe mos u mburr me paratë. Apo jo?

Por nuk është aq e thjeshtë. Edhe po të mos biesh në sy, është e vështirë të përshtatesh me pasuri aq të madhe, që të vjen njëherazi, kur nuk je mësuar. Shumë fitues lotarish kanë vuajtur nga varësia ndaj drogës. Xhek Uitaker, i cili fitoi në vitin 2002, humbi vajzën dhe mbesën për shkak të varësisë ndaj drogës. Ai fajësoi veten për vdekjen e tyre, për faktin që kishte paguar shpenzimet e tyre për drogë. “Mbesa ime vdiq për shkak të parave”, tha Uitaker në vitin 2007. “Gruaja më thotë që do të kishte dashur ta kishte grisur biletën. Atë dëshiroj dhe unë tani.”

Edhe ata që kanë lindur në familje të pasura, e të cilët kanë të afërm që u mësojnë se si menaxhohet paraja, shumë shpesh e çojnë dëm. Duka i fundit i Marlborout u detyrua të vërë pallatin Blenheim në një fond besimi, një nga shtëpitë më të mëdha në Britani, si dhe vendlindja e Uinston Çërçillit, vetëm që djali i tij, një ish i dënuar, të mos e merrte nën kontroll. Në vitin 1999, Duka dhe Dukesha e Northamberlendit dolën në gjyq për të vonuar trashëgiminë që do t’i kalonte djalit të tyre, Xhorxhit, i cili në atë kohë ishte 14 vjeç.

“Janë shumë para dhe ai është shumë i ri”, thoshin ata, dhe druanin se mos paraja do ta çonte drejt veseve. “Xhorxh Persi ka nisur një karrierë në energji gjeotermikedhe prapë, kështjellën Alnuik do ta trashëgojë pas vdekjes së prindërve.”

Shqetësimet e prindërve si ata të Northamberlend kanë nxitur zhvillimin e programeve të quajtura “Brezi Tjetër” në banka private. Këto programe u mësojnë të rinjve si t’i menaxhojnë paratë me kujdes. Nëse fitoni lotarinë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të rrini një javë me aristokratët e rinj të botës, dhe me trashëgimtarët e naftës.

E trishtueshme, por e vërtetë. Përgjigjja më e mirë që jepet në pyetësorë me fantazi për pasurinë e stërmadhe, nuk është kënaqësia e tepruar si te Heathers , por premtimi i Ros Gellerit, te “Friends”, që teksa merr biletën e lotarisë nga miqtë e tij, në sezonin nëntë, thotë: “Do ta vendos në një fond investimi me të ardhura shumë të ulëta.”

Meqenëse të fitosh 1.6 miliardë dollarë duket një telash shumë i madh, ndoshta duhet të mendoni të mos ngatërroheni me këtë lojë fati. Nëse nuk ju bindin këto histori tmerri, mendoni për argumentet e vjetra: Biletat e lotarive blihen kryesisht në lagje të varfra nga njerëz që s’mund të përballojnë t’i çojnë paratë dëm. Edhe sikur të blini një biletë të vetme, prapë, po ushqeni një industri që mbahet nga varësia ndaj bixhozit.

Por nëse duhet të blini patjetër biletë lotarie, shijojeni emocionin. Kryqëzoni gishtat, numëroni yjet me fat dhe lutuni të mos fitoni.

*Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit