Lavdërimi i takon Allahut të Plotfuqishmit, Fuqiplotit, Atij i takon çka ka në qiejt dhe në Tokë, i Cili thotë për diçka “bëhu” dhe ajo bëhet. Allahun, të Gjithëdijshmin dhe të Butin e falënderoj për mirësitë dhe begatitë e Tij.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin për Pejgamberin tonë të dashur, Muhamedin, përgëzuesin paralajmëruesin, pishtarin ndriçues, thirrësin më të mirë në rrugë të Allahut, përgjëruesin ndaj Allahut, në mirëqenie dhe në vështirësi, paqja qoftë për familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre.
Vërtet, Ramazani dhe agjërimi, ndërmjet tyre ka lidhshmëri të fortë, përputhje të madhe në shumë prej adhurimeve dhe veprave afruese tek Allahu. Vetëm sa vjen muaji i bekuar i Ramazanit veçse të suksesshmit nxitojnë t’i shtojnë ato adhurime, e forcojnë lidhjen e tyre me Krijuesin e qiejve dhe të Tokës, i rikthehen vetvetes për ta llogaritur për neglizhencën dhe lëshimet. Ne vazhdojmë të jetojmë në ato kopshte të gjelbëruara, të stolisura me stolinë e imanit.
Në vijim, do të ndalemi me një adhurim të madh e fisnik, që ka rëndësi të madhe në Ramazan, ndërsa lidhshmëri të fuqishme me muslimanin në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo situatë. Një adhurim shumë i rëndësishëm, por ai është i lehtë për atë që ia ka lehtësuar Allahu i Lartësuar. Ky adhurim është lutja, e ç’di ti se ç’është lutja? Ajo është litar i fortë ndërlidhës ndërmjet Krijuesit dhe krijesës, ka vlerë të madhe, kushte dhe edukata të rëndësishme, fryte të hershme e të vonshme, në këtë botë dhe në botën tjetër. Me të gjitha këto, do të ndalemi në ndalesat vijuese:
Ndalesa e parë:
Realiteti i lutjes është: Të shfaqurit e nevojës për Allahun, të çliruarit nga fuqia dhe forca përveç e Allahut si dhe të ndierit e përuljes. Kjo është shenjë e nënshtrimit dhe e përuljes.
Lutja është të kërkuarit ndihmë Allahut të Lartësuar, të drejtuarit Atij dhe thirrja e Tij, për sjelljen e së mirës dhe të dobishmes, dhe për largimin e të keqes dhe të dëmshmes. Lutja është lavdërim ndaj Allahut të Madhërishëm, ashtu siç i ka hije Atij, kërkim i mirësive të kësaj bote dhe të botës tjetër. Çështja e lutjes është çështje e madhe në fenë e Allahut të Madhërishëm. Robërit në këtë botë nuk zotërojnë për vetveten as të dobishmen e as të dëmshmen, ndaj, ata nuk mund të jetojnë asnjë çast pa Krijuesin e tyre. A thua vallë, njeriu mund të përcaktojë se çka do t’i ndodhë atij, qoftë e mirë apo e keqe, në orët e tij të ardhshme? A di njeriu se çka do të bëhet në të nesërmen dhe të ardhmen e tij?
Njeriu është i lidhur me Allahun e Lartësuar, nuk zotëron për vetveten – e lëre më për të tjerët – as dobi e as dëm. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.” (Furkan, 3)
Gjithashtu Allahu i Plotfuqishëm thotë:
“Thuaju: Kush mund ta pengojë Allahun ndaj jush, nëse Ai kërkon t’ju godasë ose, nëse synon t’ju bëjë ndonjë të mirë?” (Fet’h, 11)
Gjithashtu thotë:
“Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu.”(A’raf, 188)
Ndalesa e dytë:
Këtë lutje që e shqipton njeriu duke ndier nevojën ndaj Allahut të Lartësuar, e shqipton atë me përulje, duke shpresuar e duke u frikësuar, asnjë person nuk mundet pa të në asnjë gjendje dhe situatë, në vështirësi dhe mirëqenie, me shëndet dhe pa të, i madh ose i vogël.
Lutja ka vlerë të madhe dhe gjurmët e begatshme. Argumentet madhore kanë ardhur për shpjegimin e saj me shprehje të ndryshme, herë duke inkurajuar e nxitur për të, e herë të tjera duke shpjeguar rëndësinë e saj dhe rezultatet e saj madhore. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Zoti juaj ka thënë:“Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!”(Gafir, 60)
Gjithashtu thotë Allahu:
“Lutjuni Zotit tuaj përulshëm dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.” (A’raf, 55)
Interesant të ceket se Allahu i Lartësuar e ka shoqëruar lutjen me agjërimin. Pasi ka përmendur agjërimin, pas tij ka thënë:
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (Bekare, 186)
Ndalesa e tretë:
Lutja është traditë e pejgamberëve dhe e të sinqertëve, kurse Allahu iu është përgjigjur atyre. Allahu ka përmendur Nuhun, paqja e Zotit qoftë mbi të,:
“Para tyre (i) ka përgënjeshtëruar (shenjat Tona) populli i Nuhut. Ata e quanin gënjeshtar robin Tonë (Nuhun), i thoshin “i çmendur”, e pengonin dhe e kërcënonin. Kështu, ai iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur, andaj më ndihmo!” Dhe Ne i hapëm dyert e qiellit me ujë të rrëmbyeshëm dhe i shpërthyem burimet e tokës, e u takuan ujërat për një qëllim të paracaktuar. Ndërsa Nuhun e bartëm në një barkë (të ndërtuar) prej dërrasash dhe gozhdësh, e cila lundronte nën Sytë Tanë: Si shpërblim për atë (Nuhun a.s.), i cili u mohua. Ne e kemi bërë atë si shenjë, por a ka kush që ia vë veshin?”(Kamer, 9-15)
Për Zekerijan, paqja e Zotit qoftë mbi të, Allahu thotë:
“(Duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen.” (Merjem, 4-6)
Ibrahimi, paqja e Zotit qoftë mbi të, i përgjërohet Allahut derisa i dhuroi pasardhës në moshë të shtyrë, e lavdëroi dhe e falënderoi Atë. Allahu rreth tij thotë:
“Qoftë lavdëruar Allahu, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet! O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet! O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!” (Ibrahim, 39-41)
Kurse ti – vëlla për hir të Allahut – ke model tek njerëzit e zgjedhur.
Ndalesa e katërt:
Një lutës lakmonte pranimin e lutjes së tij, pranimin e përgjërimit të tij, sjelljen e dobisë për të dhe largimin e së keqes nga ai, e Allahu i Lartësuar ka njoftuar se nga bujaria, fisnikëria dhe bamirësia e Tij kjo do të realizohet patjetër:
“Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!”(Gafir, 60)
Mirëpo përgjigjja nuk realizohet vetëm se me realizimin e shkaqeve të saj, ndër më të rëndësishmet janë: Sinqeriteti i kësaj lutjeje për hir të Allahut të Madhërishëm dhe mos shoqërimin e askujt tjetër në këtë, as pemë ose gurë, ose idhull, ose evlia ose zotëri qoftë kushdo qoftë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Ai është i Përjetshmi, s’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Prandaj lutjuni vetëm Atij, duke iu drejtuar me adhurim të sinqertë.” (Gafir, 65)
Kush i lutet dikujt tjetër, ndonjë pejgamberi prej pejgamberëve ose engjëlli prej engjëjve ose evlia prej evliave ose ndonjë të varrosur, ai ka rënë në shirk të madh, Allahu na ruajttë, përfundimin e të cilëve Allahu e ka shpjeguar me fjalët e Tij:
“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri.”(Maide, 72)
Prej faktorëve të pranimit të lutjes: Ushqimi dhe pija e robit të jetë e lejuar, të mos bashkëveprojë vetëm se me pasurinë e mirë. Allahu është i Mirë dhe se nuk pranon veçse të mirën. Është transmetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të,:
“Përmendi njeriun që ka udhëtuar gjatë, flokëshprishur dhe i pluhurosur që ngre duart lart duke thënë: O Zoti im! O Zoti im! Ndërkohë që haja e tij është haram, pija e tij është haram, është ushqyer me haram, si mund t’i përgjigjet Allahu lutjes se tij!?”[1]
Ata që bashkëveprojnë me mashtrim, dredhi, ata që e shtojnë pasurinë e tyre me kamatë, ata që e hanë pasurinë e tjerëve padrejtësisht; le ta dinë se ata e kanë penguar lutjen e tyre nga pranimi, ndaj le ta kontrollojnë gjendjen e tyre para se të bëhet vonë.
Prej gjërave të rëndësishme gjatë lutjes janë: Lënia e teprimit dhe mosnxitimi në përgjigjen. Është transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Çdo musliman që lutet për ndonjë dëshirë, në të cilën nuk ka mëkat as këputje të lidhjeve familjare, Zoti ia ofron njërën prej tri gjërave: Ose ia plotëson menjëherë dëshirën, ose ia lë për botën e ardhshme, ose e ruan nga ndonjë e keqe e ngjashme.”[2]
Ndalesa e pestë:
S’ka dyshim se të suksesshmit janë ata që insistojnë në lutjen e tyre, kujdesen për kohët e përshtatshme për pranim dhe për vendet e tyre, si muaji i Ramazanit, gjendje agjërimi, në haxhillëk, në pjesën e fundit të natës, kohën e pritjes së namazeve, duke qenë në sexhde, në Qabenë e Shenjtë.
Lutja, gjithashtu plotësohet edhe me edukatën e saj. Nëse lutësi fillon lutjen e tij duke lavdëruar dhe falënderuar Allahun, pastaj bekuar Pejgamberin e Tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe ta e përmbyllë lutjen me këtë, pastaj duke u drejtuar nga kibla, duke ngritur duart lart, të pastër, të zgjidhen fjalët e pakta e me domethënie të shumta, të bëjmë lutje të çiltra dhe jo lutje kalimtare, duke përfshirë këtu edhe frikën dhe shpresën ndaj Allahut, të lutet me vendosmëri, të jemi të bindur në përgjigje, të shpresohet sinqerisht, nëse respektohen këto, atëherë meriton që Allahu t’i përgjigjet lutjes së tij dhe t’i japë atë që kërkon me mirësinë dhe bujarinë e Tij.
Ndalesa e gjashtë:
S’ka dyshim se sinqeriteti në lutje në kohën e mirëqenies konsiderohet një faktor i fuqishëm për pranimin e lutjes në kohën e vështirësisë. Shumica e atyre që u preokupuan në kohën e mirëqenies së tyre, janë marrë me këtë botë, e harruan Allahun e Lartësuar dhe harruan bindjen ndaj Tij, kur i godet ata ndonjë e keqe, fatkeqësi ose i kaplon ndonjë krizë, ata e përmendin Zotin e tyre, i drejtohen Atij që t’ua largojë atë vuajtje. Të tillët gabojnë dhe kundërshtojnë udhëzimin e Pejgamberit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i cili thotë:
“Njihe Allahun kur je në mirëqenie, Ai do të të njohë ty në vështirësi.”[3]
Prej gjërave kundërthënëse sa i përket çështjes së lutjes: T’i drejtohet robi Allahut të Lartësuar duke e lutur dhe shpresuar, ndërsa ai në të njëjtën kohë ndez luftë me Allahun e Madhërishëm me kryerjen e asaj që e zemëron Atë, vepron atë që e shtyn padrejtësinë te krijesat e Tij. Kjo kategori njerëzish e kanë mashtruar vetveten, fjalët e tyre i kundërshtojnë veprat e tyre. E lusim Allahun për faljen dhe shëndetin.
Ndalesa e shtatë:
Vërtet, Allahu i Madhërishëm është Bujar dhe e do bujarinë. Ai është më Bujari dhe më Fisniku dhe dëshiron prej robërve të jenë bujarë, t’i intensifikojnë lutjet, ndërsa prej lutjeve më të dobishme është: Lutja për tjetrin duke mos ditur ky i fundit. Pejgamberi i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka njoftuar se kur muslimani lutet për vëllanë e tij, pa ditur gjë (ky i fundit), lutja pranohet. Tek koka e lutësit qëndron një engjëll i ngarkuar të thotë, pas çdo lutjeje të mirë për vëllanë musliman, të dhëntë Allahu edhe ty të njëjtën gjë!
Prindërit e tu e më lart, bashkëshorten dhe pasardhësit, të dijshmit, të dashurit dhe miqtë e tu, ata që ke të drejta ndaj tyre, vëllezërit muslimanë në çdo anë të botës… mos i harro! Bëhu bujar dhe veço për ta një pjesë të lutjes tënde. Allahu na pranoftë prej nesh dhe ju. E lus Allahun e Lartësuar të na furnizojë iman të sinqertë, bindje të pastër, vepër të mirë dhe lutje të pranuar. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i Lutjeve, Atij i kërkohet ndihma.
Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr
Përgatiti: Almedin Ejupi
/krenaria.com/