Duke folur për faktorët që sjellin hapjen e gjoksit (lumturinë shpirtërore), Ibën Kajimi i rendit kështu:
1- Faktori më i madh që sjell hapjen e gjoksit dhe lumturi shpirtërore ështëteuhidi (njëjësimi i Allahut). Lumturia shpirtërore e njeriut do të jetë në varësi të përsosjes, fuqisë dhe shtimit të teuhidit. Sa më të përsosur e të fuqishëm, që njeriu ta ketë Teuhidin, aq më të hapur do ta ketë gjoksin dhe aq më shumë do të ndjejë kënaqësi shpirtërore.
Allahu i Lartësuar thotë: “A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të këtillë janë në humbje të qartë!” [Zumer: 22]. Po ashtu thotë: “Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell”. [Enam: 125].
Kësisoj, udhëzimi dhe teuhidi janë ndër faktorët më të mëdhenj të hapjes së kraharorit, ndërsa shirku (vënia shok Allahut) dhe devijimi nga rruga e drejtë janë ndër faktorët më të mëdhenj të shtrëngimit dhe ngushtimit të kraharorit.
2- Drita që Allahu e hedh në zemrën e robit, pra, drita e imanit. Drita e imanit e hap dhe e zgjeron gjoksin dhe e mbush me gëzim zemrën. Nëse kjo dritë nuk gjendet në zemrën e robit, ajo ngushtohet dhe shtrëngohet, ajo bie në burgun më të ngushtë dhe më të vështirë. Tirmidhiu shënon në librin ‘Xhami’, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur hyn drita në një zemër, ajo hapet dhe zgjerohet”. Të pranishmit e pyetën: “Kush është shenja e këtij zgjerimi, o i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “T’i kushtohesh vendbanimit të përjetshëm, të distancohesh nga vendbanimi i rremë dhe të përgatitesh për vdekjen para se të të bjerë”.[1]Kështu, njeriut do t’i hapet gjoksi sipas hises së tij prej kësaj drite. Në fakt, e këtillë është edhe drita e dukshme, fizike dhe errësira e dukshme: e para ta hap kraharorin dhe të jep qetësi, kurse e dyta ta shtrëngon.
3- Faktori i tretë është dija, pasi ajo e hap gjoksin dhe e zgjeron atë, duke e bërë ndoshta, shpirtërisht, edhe më të gjerë sesa dynjaja, ndërsa padituria shkakton ngushtim, kufizim dhe izolim në zemër. Sa më e gjerë të bëhet dija e njeriut, aq më i hapur dhe më i gjerë bëhet kraharori i tij. Megjithatë këtu nuk është fjala për çdo lloj dije, por për dijen e trashëguar nga i Dërguari i Allahut, pra, për dijen e dobishme. Pikërisht, zotëruesit e kësaj dije janë njerëzit me gjoksin më të hapur, njerëzit më zemërgjerë, njerëzit me sjelljen më të mirë dhe njerëzit që bëjnë jetën më të mirë, më të këndshme dhe më të kënaqshme.
4- Të kthehesh tek Allahu i Lartësuar me pendim dhe duke bërë punë të mira, ta duash Allahun me gjithë zemër, t’i kushtohesh Atij dhe të prehesh duke e adhuruar Atë. Nuk ka gjë që mund ta hapë gjoksin e t’i japë kënaqësi zemrës më shumë sesa kjo. Një njeri që prek një përjetim të tillë shpirtëror ndonjëherë mund të thotë: “Nëse do të jem në xhenet në një gjendje si kjo, atëherë unë do të bëj një jetë të këndshme”. Dashuria për Allahun e Lartësuar ka një ndikim të habitshëm në hapjen e gjoksit, kënaqjen e prehjen e shpirtit dhe lumturinë e zemrës, gjë të cilën e di veçse ai që ka një ndjesi të tillë. Sa më e madhe e më e zjarrtë të jetë dashuria për Allahun, aq më i gjerë e më i hapur bëhet kraharori. Ai që ka një dashuri të tillë ndjen ngushtësi në zemër veçse kur shikon njerëzit e papunë, të ngeshëm e të zbrazët nga kjo lloj dashurie: shikimi i tyre është pluhur për syrin e tij, kurse shoqërimi me ta është ethe për shpirtin e tij.
Ndër shkaqet më të mëdha të ngushtimit në kraharor është shmangia nga Allahu i Lartësuar, lidhje e zemrës me diçka tjetër veç Allahut, shkujdesja ndaj dhikrit (përmendjes) të Tij, dashuria për diçka tjetër veç Tij[2], pasi ai që dashurohet pas diçkaje tjetër veç Allahut, do të torturohet për shkak të saj, duke e pasur zemrën të burgosur në dashurinë për atë gjë. Kjo bën që të mos gjendet mbi faqen e tokës njeri më të mjerë, më të trazuar, më të trishtuar, e me zemër më të shqetësuar sesa ai. Kështu pra, janë dy lloje dashurie, njëra prej të cilave është xheneti i dynjasë, është kënaqësi për zemrën, është hare, lumturi, ushqim dhe ilaç për shpirtin, madje është jeta e shpirtit dhe kënaqësia e syrit, dhe ajo është dashuria me gjithë zemër vetëm për Allahun. Në këtë gjendje njeriu i kushtohet Allahut me prirjet, pasionet, dëshirën dhe tërë dashurinë. Dashuria tjetër është mundim dhe pikëllim për shpirtin, është burg për zemrën dhe ngushticë në kraharor, është shkaku i dhimbjes, i trishtimit, i brengosjes dhe i mundimit, dhe ajo është dashuria për diçka tjetër veç Allahut të Lartësuar.
5– Përmendja pandërprerë e Allahut të Lartësuar në çdo gjendje dhe në çdo vend. Dhikri ka një ndikim të çuditshëm në hapjen shpirtërore të gjoksit dhe në lumturinë e zemrës, por nga ana tjetër edhe shkujdesja ndaj dhikrit ka ndikim të çuditshëm në ngushtimin, izolimin dhe mundimin shpirtëror të gjoksit.
6- T’u bësh mirë krijesave dhe t’u bësh dobi atyre me të gjitha mënyrat e mundshme, si me pasuri, me pozitë, duke i ndihmuar me trup, e të tjera mënyra mirëbërje. Kjo, pasi bujari, mirëbërësi është njeriu me kraharorin më të hapur, bën jetën me të këndshme dhe ka zemrën më të lumtur, ndërsa koprraci, pra, ai që nuk bën mirë, është njeriu që ndjen ngushticën më të madhe në kraharor, bën jetën më të mjerueshme dhe është më i pikëlluari e më i brengosuri.
Në një hadith të saktë, Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, ka dhënë një shembull për koprracin dhe mirëbërësin, duke thënë se shembulli i tyre është si dy burra që janë veshur me parzmore hekuri: Sa herë që mirëbërësi bën mend të japë sadaka, parzmorja e tij hapet, shtrihet mbi trup dhe zgjerohet, aq sa ia mbulon krejt rrobat e trupin dhe i fshin edhe gjurmët që lë duke ecur në tokë, kurse koprraci sa herë që bën mend të japë sadaka, çdo hallkë e parzmores ngjitet dhe shtrëngohet në vend, duke mos lejuar që të hapet e t’i mbulojë trupin”[3]. Ky është shembulli i hapjes dhe i zgjerimit shpirtëror të kraharorit të besimtarit që jep sadaka dhe shembulli i ngushtimit dhe shtrëngimit të zemrës së koprracit.
7- Trimëria, pasi trimi e ka kraharorin të hapur, mendjen krejt të qetë dhe zemrën të gjerë, ndërsa e kundërta ndodh me frikacakun: ai është njeriu me kraharorin me të ngushtë dhe zemrën më të kufizuar e më të izoluar. Gëzimi, hareja dhe kënaqësia, që mund të përjetojë frikacaku është njësoj si ajo e gjallesës shtazarake, pasi ai është i privuar nga gëzimi, kënaqësia, lumturia dhe hareja e shpirtit, sikurse është i privuar prej tyre çdo kurnac, madje edhe çdo njeri që i ka kthyer shpinën Allahut, që është i shkujdesur ndaj përmendjes së Tij, që nuk e njeh Atë dhe as emrat, cilësitë dhe fenë e Tij, që e ka zemrën të lidhur me diçka tjetër veç Tij. Sigurisht që kjo lumturi e hare shpirtërore në jetën e varrit shndërrohet në kopshte të gjera e të bukura, ndërsa ngushtimi dhe izolimi shpirtëror shndërrohet në vuajtje dhe burg. Kështu pra, gjendja e njeriut në varr, për sa i përket lumturisë ose mundimit, burgut ose hapjes dhe lirshmërisë do të jetë si gjendja e zemrës në kraharor. Këtu nuk duhet te merret parasysh hapja e kraharorit të njërit për një shkak aksidental dhe as ngushtimi i kraharorit të tjetrit po për një shkak aksidental, por për vetinë e qëndrueshme të zemrës, e cila i sjell hapje e zgjerim ose ngushtim dhe izolim. Pikërisht ajo është kriteri i lumturisë ose i mjerimit. Allahu na ndihmoftë!
8- Ndër faktorët më të rëndësishëm është edhe nxjerrja e asaj që dëmton shpirtërisht zemrën, domethënë eliminimi i tipareve të dëmshme e të dënueshme, të cilat i shkaktojnë zemrës ngushtim dhe mundim dhe që bëhen pengesë për shërimin e saj. Kjo për vetë faktin se pajisja me faktorët, të cilët zgjerojnë shpirtërisht kraharorin, pa nxjerrë vetitë korruptuese e të këqija prej zemrës, nuk jep efekt për hapjen dhe zgjerimin e kraharorit. Efekti maksimal që mund të japë veprimi i shkaqeve për një njeri të tillë është fakti se në zemrën e tij vërtiten dy veti, njëra e dëmshme dhe tjetra e mirë, kështu që gjendja shpirtërore e këtij njeriu do të jetë sipas vetisë që do të dominojë në zemrën e tij.
9- Lënia e shikimit të tepërt, bisedës së tepërt, dëgjimit të tepërt, shoqërimit të tepërt me njerëzit, ngrënies së tepërt dhe gjumit të tepërt, pasi këto teprica shndërrohen në dhimbje, pikëllim dhe dëshpërim për zemrën, çka bën që ajo të kufizohet, të izolohet, të ngushtohet dhe të mundohet. Madje përgjithësisht vuajtja e dynjasë dhe e ahiretit vjen prej tyre. Mendo sa i ngushtë është kraharori i atij, që i ka të gjitha të metat e mësipërme, sa e mjerueshme është jeta e tij, sa e keqe është gjendja e tij dhe sa fort e izoluar është zemra e tij. Dhe nga ana tjetër, mendo sa e lumtur është jeta e atij që i ka të gjitha ato cilësitë e lavdërueshme, që i aspiron ato dhe që prej secilës prej tyre ka bërë pjesë për vete. Ky person do të ketë pjesë të bollshme prej fjalës së Allahut të Lartësuar: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në lumturi”. [Infitar: 13]. Ndërsa i pari do të ketë pjesë të bollshme prej fjalës së Allahut të Lartësuar: “Dhe vërtet që të ligjtë, keqbërësit do të jenë në xhehim (zjarrin flakërues)”. [Infitar: 14]. Ndërmjet këtyre të dyve ka mjaft rangje të ndryshme lumturie e mjerimi, numrin e të cilëve e di vetëm Allahu i Lartësuar.
Qëllimi është që të bëjmë të ditur, se i Dërguari i Allahut ka qenë krijesa më e përsosur në çdo veti me të cilën arrihet hapja e kraharorit, zgjerimi i zemrës, kënaqja e syrit dhe jeta e shpirtit. Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem është krijesa më e përkryer në këtë hapje, këtë jetë dhe këtë kënaqësi, dhe kjo përveç faktit që Allahu i Lartësuar e veçoi atë edhe me hapjen fizike të kraharorit.
Sa më përpiktë që njeriu të pasojë Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem, aq më të plotë do ta ketë hapjen shpirtërore, kënaqësinë dhe lumturinë. Në varësi të pasimit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, njeriu do të gjejë hapje shpirtërore, kënaqje të syrit dhe lumturinë e shpirtit. Pejgamberi ynë sal-lallahu alejhi ue selem, qëndron në majën e përsosmërisë së hapjes të kraharorit, ngritjes së famës, heqjes së barrës e gjynaheve, por edhe pasuesit e tij do t’i arrijnë këto gjëra në varësi të pasimit të tij sal-lallahu alejhi ue selem.
Po kështu Allahu do t’i ruajë pasuesit e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, do t’i mbrojë nga të këqijat, do të largojë prej tyre dëmet, do t’i fuqizojë dhe do t’u japë ndihmë sipas përpikërisë së tyre në pasimin e tijsal-lallahu alejhi ue selem. Rrjedhimisht do të ketë njerëz, që do t’u jepen këto mirësi me pakicë dhe do të ketë të tjerë që do t’u jepen me shumicë. Kush gjen mirë le t’i shprehë lavdi dhe mirënjohje Allahut dhe kush gjen diçka ndryshe le të qortojë veçse vetveten.
IBËN KAJIM EL XHEUZIJE
Përktheu: Ismail BARDHOSHI/albislam.com
[1] Në fakt, hadithin nuk e shënon Tirmidhiu, siç e ka përmendur Ibën Kajim më sipër, por Taberiu, Ibën Ebi Shejbe dhe Ibën Ebi Dunja. Gjithsesi hadithi është i dobët.
[2] Dashuria për diçka tjetër veç Allahut është dy llojesh, njëra prej të cilave është shirk (idhujtari) dhe ajo është dashuria e idhujtarëve për idhujt e tyre. Idhujtarët i duan hyjnitë e tyre krahas Allahut, ashtu siç duan Allahun. Kjo është dashuri adhurimi dhe pasohet me frikë, shpresë dhe lutje nga adhuruesi për hyjnitë. Lloji i dytë është dashuria e natyrshme, e cila nuk e çrrënjos teuhidin dhe nuk të nxjerr nga feja, por në ndonjë rast mund të cenojë përsosjen e sinqeritetit dhe të dashurisë ndaj Allahut. E këtillë është dashuria për gratë, për fëmijët, për arin dhe argjendin, për pasurinë etj. Njeriu mund të pasionohet pas gjërave të tilla, ashtu si pasioni i të uriturit për ushqim dhe të eturit për ujë. Njerëzit në raport me këtë dashuri ndahen në tre kategori. Kategoria e parë janë ata që i duan për hir të Allahut, duke i përdorur pra, si mjete për të arritur tek Allahu. Kështu, nëse njeriu i do këto gjëra, për t’i përdorur si mënyrë për të arritur tek Allahu dhe për t’i shfrytëzuar si mundësi për t’i bërë ibadet Allahut e për të bërë atë që pëlqen Ai, shpërblehet për to. E tillë ka qenë dashuria e njeriut më të përsosur për gratë dhe erën e mirë, gjë të cilën e ka shprehur vet në një hadith të vërtetë. Pasioni për këto dy gjëra e ndihmonte atë për të dashur më fort Allahun dhe për të përçuar sa më mirë mesazhin e Tij te njerëzit. Kategoria e dytë janë ata që pasionohen pas këtyre gjërave thjesht nga prirjet e natyrshme dhe dëshira vetjake, por gjithsesi ata nuk u japin atyre përparësi kundrejt asaj që do e që pëlqen Allahu. Në këtë rast pasioni pas këtyre gjërave nuk quhet gjynah, pasi ato konsiderohen prej gjërave të lejueshme, për të cilat njeriu nuk dënohet. Megjithatë pasioni pas tyre në këtë rast bëhet pengesë për përsosjen e dashurisë ndaj Allahut. Kategoria e tretë janë ata që pasionohen pas këtyre gjërave, duke i shndërruar ato në qëllimin dhe objektivin e jetës. Ata u japin përparësi atyre kundrejt asaj që do e që pëlqen Allahu. Në këtë rast njeriu konsiderohet i padrejtë ndaj vetvetes dhe pasues i epshit të tij. [Marrë nga libri i Ibën Kajimit “Shpirti”].
[3] Shënojnë Buhariu dhe Muslimi. Kuptimi i ilustrimit të mësipërm është se njeriu bujar kur bën mend të japë sadaka, i hapet kraharori dhe i priret shpirti për të bërë mirë e për të dhënë sadaka, ndërsa koprraci kur çon nëpër mend sadakanë, shpirti i tij kursehet, e për rrjedhim i ngushtohet kraharori dhe i shtrëngohen duart.