Në rrethana të jashtëzakonshme, merren masa të jashtëzakonshme, të ketë qenë ky mendimi i atyre që vendosën të përfshinin kafshët në botën e spiunazhit?
Bota e fshehtë e spiunazhit nuk i kurseu jo vetëm burrat, gratë dhe fëmijët, por as edhe kafshët. Shumë të dobishëm për mbledhjen dhe përçimin e të dhënave dhe thuajse aspak të dyshuar, kafshët kanë luajtur rolin e tyre në etjen për informacion.
Njihuni me macet, insektet, pulat, lejlekët, majmunët, lakuriqët e natës, ketrat dhe pëllumbat që janë personazhet “James Bond” në një univers paralel.
Macet dëgjimore
Operacioni “Macet dëgjimore” mund t’ju duket një legjendë e rëndomtë urbane, por plani i mirëmenduar i CIA-s nuk ishte aspak një shaka. Agjencia Amerikane e Inteligjencës doli me idenë e instalimit të pajisjeve dëgjuese te macet.
Në vitet gjashtëdhjetë, CIA po e mendonte shumë seriozisht futjen e mikrofonave në trupin e maceve dhe përdorimin e bishtit të tyre si antenë, por projekti dështoi kur macja e parë eksperimentale u shtyp nga një taksi.
Informatorët insekte
Duket e pamundur, por Agjencia Amerikane e Projekteve Kërkimore të Përparuara ka krijuar insekte robotike me sensorë dhe pajisje dëgjimore si pjesë e Iniciativës së Insekteve Hibride.
Insektet janë të pajisura me teknologji të shkallës së ulët dhe mund të përdoren për të transmetuar informacione.
Pulat klandestine
Gjatë operacionit të dytë të OKB-së në Irak si kundërveprim për pushtimin e Kuvajtit, amerikanët dolën me një plan qesharak të përdorimit të pulave si mjet për të zbuluar sulmin kimik.
Nëse pulat do të ekspozoheshin ndaj gazit helmues, ato do të jepnin shenja shumë më parë sesa njerëzit. Për fat të keq projekti dështoi kur shumica e pulave ngordhën nga një sëmundje që nuk lidhej me armët kimike.
Majmuni misterioz
Kur një majmun kaloi kufirin nga India në Pakistan në vitin 2011, autoritetet vendase nuk u menduan dy herë dhe e arrestuan si agjent spiunazhi.
Majmuni mbeti në kopshtin zoologjik të Punjabit nën kushte më luksoze sesa paraardhësi i tij që ishte kapur nga vendasit gjatë luftës së Napoleonit. Atëherë ata menduan se kafsha e veshur me uniformë ushtarake ishte një spiun francez ndaj e varën.
Lakuriqët e natës bombardues
Një tjetër frymëzim amerikan, Xhaxha Semi zgjodhi të bashkëngjiste bomba të vogla tek 6000 lakuriqë nate dhe i dërgoi ata në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Projekti i quajtur “Rrezet X” u anulua kur lakuriqët e natës sulmuan shënjestrën e gabuar gjatë stërvitjes dhe i vunë zjarrin fushës ajrore të Nju Meksikos.
Lejleku tinëzar
Policia e Burundit nuk shfaqi asnjë tolerancë ndaj një lejleku që vinte nga Afrika Jugore, i cili fluturonte mbi shtetet me një pajisje GPS të lidhur në të.
Shpendi u arrestua, por hetimet zbuluan se shumë larg nga të qenët një agjent i fshehtë, lejleku ishte pjesë e programit të kërkimit të Universitetit të Cape Town në lidhje me formën e migrimit të shpendëve.
Ketrat kolegë të James Bond
Në vitin 2007, policia iraniane arrestoi 14 ketra, pasi dyshonte se shërbenin për spiunim, duke pretenduar se brejtësit ishin pajisur me mjete përgjimi nga Perëndimi.
Fati i ketrave mbetet i panjohur, por mendohet se ata ndajnë një qeli me dy pëllumba, që u arrestuan një vit më pas nga autoritetet iraniane. Sipas tyre, pëllumbat po tregonin pak si shumë interes ndaj pjesës nukleare të Natanz-ës.
Luanët e detit
SHBA-ja i dha një kuptim tërësisht të ri Forcave Detare gjatë vitit 2003 në luftën kundër Iranit. Ashtu si delfinët, edhe luanët e detit, pjesë e programit të marinës, merreshin me detektimin e minave, por mbanin gjithashtu në gojë borseta që shërbenin për të ‘prangosur’ ndërhyrës nënujorë.
Minjtë psikologë
Siguria në aeroporte kurrë nuk kishte qenë më e shtrënguar, por Izraeli mendoi se mund ta përforconte atë edhe më shumë kur në vitin 1970 trajnoi minj të nuhasnin terroristët.
Minjtë ishin stërvitur që të shtypnin një levë kur hasnin nivel të lartë të adrenalinës te pasagjerët. Por skema u braktis kur brejtësit dështuan në bërjen e dallimit midis terroristëve dhe pasagjerëve që kishin frikë nga fluturimi.
Pëllumbat privatë
Iranianët dyshuan me të drejtë se pëllumbat përdoreshin gjatë të dyja luftërave botërore për të transmetuar informacione të rëndësishme tek operativët në fushëbetejë.
Britania ndërkohë nderoi plot 32 shpendë me medaljen “Dickin”, çmimin më të lartë për kafshët, ndërkohë që Çërçilli punësoi fajkonj për të sulmuar pëllumbat gjermanë./GSH/kohaislame.com