-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Lufta ndaj drogës!

Më të lexuarat

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 200 milionë njerëz në botë përdorin substanca narkotike.
Në Kosovë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, thuhet se rreth 5 mijë persona janë përdorues të rregullt të substancave narkotike, derisa të tjerë që abuzojnë me këto substanca janë rreth 20 mijë persona.
Safet Blakaj, drejtues i Qendrës rehabilituese nga droga “Labirinthi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, se marihuana është ajo që përdoret më së shumti në vend, madje edhe nga nxënës të shkollave.
“Droga e tipit marihuanë është shumë e përhapur te të rinjtë në Kosovë. Droga e tipit heroinë ka stagnuar, pra është në një nivel që nuk shënon rritje, derisa kokaina ka shënuar rritje. Zakonisht kokaina në raportet tona dinamike është vërejtur që ka qasje te përdoruesit në Kosovë, sidomos te shtresat më të larta, që kanë një forcë materiale më të lartë. Marihuana i ka përfshirë gjitha shtresat, duke filluar nga moshat shkollore, ku mesatarja është 16 – 20 vjeç”, thotë Blakaj.
Por, kohëve të fundit në treg po hyjnë lloje të reja të drogave, të cilat sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë me rrezikshmëri të lartë.
Substanca narkotike e re në treg, quhet GHB (Hydroxybutyric acid), 
“Sa i përket llojit të dogës GHB , janë shënuar pak raste kohët e fundit, që kanë pasur problem me këtë lloj droge”, shton Blakaj.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.
Sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, përmes kësaj strategjie, autoritetet vendore synojnë të reduktojnë përdorimin e drogave dhe dëmet që sjell me vete kjo dukuri.
Autoritetet e rendit kanë pohuar se janë duke luftuar trafikimin me narkotikë. 

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, flet për numrin e personave të arrestuar dhe sasinë e konfiskuar të drogës:
“Në vitin 2014, janë trajtuar nga autoritetet e rendit640 raste, derisa janë arrestuar 693 persona. Po ashtu, janë konfiskuar 637 kilogramë marihuanë dhe mbi 9 kilogramë heroinë. Janë konfiskuar dhe mbi 22 kilogramë kokainë”.
“Në vitin 2015, janë arrestuar 39 persona nga Policia e Kosovës, dhe janë konfiskuar 22 kilogramë marihuanë. Gjithashtu janë konfiskuar edhe 1.3 kilogramë heroinë”.
Hoxha ka bërë të ditur për disa operacione të suksesshme të Policisë së Kosovës që kanë për qëllim shkatërrimin e rrjeteve për trafikimin e substancave narkotike.
“Policia e Kosovës, respektivisht njësitet antidrogë, në luftën e pa kompromis kundër dukurive negative, krimit të organizuar dhe veçanërisht përpjekjeve për zbatimin e strategjive për luftimin e trafikimit me substanca narkotike, ka realizuar operacione të suksesshme në mbarë vendin”.
“Me këtë rast janë shkatërruar disa rrjete kriminale të përfshira në këto aktivitete ilegale, është arrestuar numër i madh personave të dyshuar, si dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike”, bën të ditur Hoxha.

Ndryshe, Afganistani vazhdon të jetë shteti prodhues më i madh i drogës në botë, ndërkaq Turqia dhe Irani mbesin vendet ku janë konfiskuar sasitë më të mëdha të drogës.
Ulja e trafikimit me drogë në të ashtuquajturën “Linjë të Ballkanit” mbetet sfida më e madhe për shtetet e rajonit, si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova./KosovaSot
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit