Prokurori më i përfolur kohëve të fundit në vend, Elez Blakaj, që tani gjendet në SHBA, kishte në ‘duar’ edhe rastin e imamit të BIK-ut, Shefqet Krasniqi.
Prokurori nga Istogu kishte humbur betejën ndaj hoxhës së Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Blakaj kishte kërkuar dënimin e këtij të fundit për tri akuza; shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi, shkruan Indeksonline.
“I pandehuri i ka kryer veprat për të cilat akuzohet se ka shpërndarë me gjuhë të vrazhdë mesazhe që kanë nxitur të rinjtë që të shkojnë ne zonat e konfliktit. Po ashtu ka nxitur urrejtje”, kishte deklaruar Blakaj.
Mirëpo, Gjykata Themelor e Prishtinës e kishte shpallur të pafajshëm në të tri akuzat imamin i cili pas lirimit kishte thënë se e drejta doli në pah.
“Kam qenë i bindur, si ju dhe ata që kanë urdhëruar të më arrestojnë, se nëse në vendin tonë ka vetëm një shkëndijë drejtësie puna ime është shumë e qartë dhe pa asnjë shibël do të del në pah, dhe fal Zotit kjo u vërtetua. Faleminderit për të gjithë ju që më keni përkrahë, pavarësisht të gjitha lakimeve që kanë qenë herë-herë”, ishte deklarata e Krasniqit.
Ndryshe, në aktakuzën drejtuar Shefqet Krasniqi thuhej se në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun dhe përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve Kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste. /Indeksonline/