0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Lojtarët muslimanë të Liverpulit në shtypin spanjoll: ç’ndikim do të ketë Ramazani në finalen e Champions League-s?

Më të lexuarat

Ende pa u shuar jehona e kualifikimit të Liverpulit për në finalen e Champions League-s, ku e pret përballja ndaj Realit të Madridit, në Spanjë kanë nisur të analizojnë gjithçka.

Finalja e Kievit do të luhet ndërsa në botën islame do të ketë nisur muaji i ramazanit, gjatë së cilit besimtarët muslimanë agjërojnë, si pjesë e ritualit të tyre. Mohamed Salah, sulmuesi egjiptian i Liverpulit, senegalezi Sadio Mane, si dhe gjermani me origjinë turke, Emre Can, janë të tre muslimanë praktikues, sipas së përditshmes spanjolle “Marca”, që u kushton atyre një artikull jo shumë të gjatë dhe shtjellues, si kundërshtarë të Realit të Madridit.

“Liverpuli rezervoi vendin në finalen e Champions League-s me një fitore të përgjithshme 7-6 ndaj Romës të mërkurën, ndërkohë që përplasja me Realin e Madridit në Kiev, më 26 maj, do të bjerë gjatë Ramazanit,” shkruan e mirënjohura “Marca” në krye të faqes së saj elektronike.

“Ramazani fillon më 15 maj,” vijon analiza e së përditshmes spanjolle, “dhe është një muaj me rëndësi të jashtëzakonshme për ndjekësit e Islamit, që u kërkon muslimanëve praktikues të agjërojnë nga agimi në perëndim të diellit; e shoqëruar kjo me një rregullim të orarit të gjumit, për t’i lejuar njerëzit të hanë e të pinë përpara daljes së diellit.”

Nënvizon “Marca”: “Liverpuli ka tre muslimanë praktikues në skuadër, Mohamed Salah-un, Sadio Mane-n dhe Emre Can-in, ndërsa Reali ka vetëm një, Achraf Hakimi-n. Ka një pikëpyetje për atë se si do të ndikohen lojtarët e sipërpërmendur nga Ramazani, e në do ta ndryshojë kjo përgatitjen e tyre për finalen.”

“Do të kenë kaluar 11 ditë të Ramazanit kur të arrijë 26 maji,” vijon analiza, “dhe këta lojtarë do të jenë në kushte të ushqyeri që nuk ekzistojnë gjatë pjesës tjetër të sezonit. Finalja është lënë për në 20:45, pas orësh të tëra agjërim, sido që ka një mundësi për lojtarët që të mos agjërojnë një ditë, për ta zëvendësuar atë në një datë të mëvonshme. Kjo është saktësisht ajo çka bëri Mesut Ozil gjatë Euro 2016-s, edhe pse nuk është diçka shumë popullore.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit