3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Lista Serbe do të kthehet në institucione

Më të lexuarat

Kryetari i Listës “Srpska”, Sllavko Simiq, ka bërë të ditur se ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, është shkarkuar për shkak të dështimit për t’u koordinuar dhe për të bashkëpunuar me qeveritë lokale.

Ndërsa zyrtarët qeveritarë shpresojnë se ky subjekt politik shumë shpejt do të kthehet në institucione

Lubomir Mariq është shkarkuar nga pozita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës për shkak se nuk bashkëpunonte dhe nuk koordinohej me qeveritë lokale. Kështu ka deklaruar Sllavko Simiq, kryetar i Listës “Srpska”, në një deklaratë që ia ka dhënë portalit “Kossev” në veri të Mitrovicës, menjëherë pas zyrtarizimit të Mirjana Jevtiqit në postin e ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, të martën.

“Lubomir Mariq ka qenë para shkarkimit për shkak të mosbashkëpunimit dhe moskoordinimit të Ministrisë që ka drejtuar ai me qeveritë komunale. Deputetët e Listës ‘Srpska’ kanë dëshiruar që mandati t’i besohet Mirjana Jevtiqit, në mënyrë që në krye të Ministrisë të vijë për herë të parë një femër nga komuniteti serb dhe në mënyrë që t’i ikët çfarëdo forme të destabilizimit politik, i cili do të prolongonte formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe”, ka thënë Simiq, shkruan Zeri.

Sipas “Kossev”-it, me këtë deklaratë Simiq ka ardhur në kundërshtim me deklaratën e mëparshme të Listës “Srpska”, sipas së cilës “Srpska” nuk ka marrë pjesë dhe nuk është konsultuar për vendimin për shkarkimin e Mariqit. Por, Simiq ka përsëritur se Mariqi ishte para shkarkimit. “Z. Mariq ishte para shkarkimit, siç ka thënë z. Mustafa, për shkak të koordinimit të dobët dhe mosbashkëpunimit me qeverisjet lokale në Kosovë. Deputetët e ‘Srpska’-s nuk kanë dëshiruar të lejojnë që të thellohet kriza politike, e cila ishte e qartë se dëshirohej të imponohej me këtë rast sepse qëllimi ynë parësor është që sa më parë të fillohet me formimin e ‘Zajednicës’”, ka përsëritur ai.

Por në vijim kreu i “Srpska”-s, e cila është në koalicion qeverisës me PDK-në dhe LDK-në, Sllavko Simiq, e ka quajtur qeverinë e Serbisë “nëna jonë institucionale”, ndërsa është zotuar se do të shkojë prapa kryeministrit Aleksandër Vuçiq.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës shpresojnë se pas bojkotit disamujor “Lista Serbe” shumë shpejt pritet të kthehet në institucionet shtetërore të Kosovës.

Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se janë në bisedime me Listën Serbe që këta të fundit të kthehen në institucione.

“Shkarkimi i Mariqit është bërë në konsultim me Listën Serbe. Jemi duke biseduar për kthimin e Listës në institucione dhe besojmë se kjo mund të ndodhë shpejt”, ka deklaruar Gecaj.

Në anën tjetër, në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizjen “Vetëvendosje” (LVV), vlerësojnë se nuk mund të pritet por as të flitet për marrëdhënie të shëndosha mes këtyre palëve. Zëdhënësi në këtë subjekt, Shkodran Hoti, deklaron se Qeveria e Lista Serbe kanë prioritet interesat e tyre personale. Siç thotë ai, ata janë të gjendje të sakrifikojnë çdo gjë për interesat e tyre.

“Koalicioni PDK-LDK me Listën ‘Srpska’ është produkt i kushtëzimeve, barrën e të cilave e paguan Republika e Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka faktorizuar jashtëzakonisht shumë Listën ‘Srpska’, e cila nuk e njeh shtetin tonë, madje është themeluar si subjekt për të zhvilluar aktivitet kundër shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Hoti. /ZERI/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit