3.3 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Liria fetare në Shqipëri/ DASH: Problem kthimi i pronave

Më të lexuarat

Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë.

Raporti përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.

Shqipëri

Raporti vë në pah se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Megjithëse raporti flet me nota pozitive për harmoninë fetare në Shqipëri dhe qëndrimin e qeverisë ndaj besimeve të ndryshme, ai vë në dukje se është shënuar pak përparim lidhur me kthimin e pronave të institucioneve fetare. Qeveria ka trajtuar kërkesat e grupeve tradicionale fetare lidhur me kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, megjithatë shumë raste mbeten ende të pazgjidhura.

Qeveria, thuhet në raport, ka legalizuar 137 xhami, krahasuar me 6 syresh një vit më parë. Shumica e tyre ishin ndërtuar pa leje gjatë viteve të 90-ta. Kryeministri ka shpallur një projekt sprovë që përfshinë 10 shkolla me synimin për nxitjen e tolerancës fetare në shkollat e mesme si mjet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por, ai ka theksuar se nisma e tij nuk do të ndikojë mbi sistemin arsimor sekular të vendit.

Raporti thekson se Këshilli Ndërfetar që duhej të vepronte si një forum i udhëheqësve të komuniteteve fetare ku do të diskutoheshin shqetësimet e përbashkëta, nuk është mbledhur sikurse një vit me herët. Papa Françesku priti në Romë kreun e rendit Bektashi të Shqipërisë, që është pritja e parë e një udhëheqësit fetar tek Papa.

Raporti thekson se zyrtarët e ambasadës amerikane kanë vazhdar të nxisin zgjidhjen e çështjes së pronave, kanë zgjeruar projektet për kultivimin e diversitetit fetar dhe kanë punuar me komunitetet fetare dhe organizatat joqeveritare, për të shkurajuar ekstremizmin e dhunshëm të lidhur me besimin si dhe për të nxitur tolerancën fetare.

Raporti vë në pah se disa politikanë kanë vazhduar të kritikojnë Arqipeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë për lidhjet me qeverinë greke.

Më 12 nëntor, Myftiu i madh Skender Bruçaj, udhëheqës i Bashkësisë Islame, mirëpriti ekipin izraelit të futbollit që po luante me Shqipërinë, duke vënë theksin tek toleranca dhe harmonia fetare ne vend./VOA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit