4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Lindja dhe vdekja e ideve

Më të lexuarat

Nga: Sabaudin Jashari

Lindja dhe vdekja e ideve

“Kush punon me dijen që mëson Allahu i jep atë dije që nuk e ka ditur” Thënie e profetit Muhamed (a.s)
Jetësimi i ideve të jep guxim për të menduar
Historia dhe realiteti tregojnë se njerëzit më të guximshëm për të menduar, janë njerëzit punëtorë. Shpesh herë ndodh që në çastin e lindjes së një ideje të re, veçanërisht të atyre ideve që kanë të bëjnë me problematika aktuale dhe që shqetësojnë shumë njerëz, të përjetosh ngazëllim, optimizëm, shpresë dhe hov të brendshëm. Të gjithë këto emocione pozitive shndërrohen në besim e vetëbesim që në momentin kur ideja e re fillon e konkretizohet apo trupëzohet. E që të dy, besimi dhe vetëbesimi, vazhdojnë e rriten gradualisht me rritjen e konkretizimit të idesë në teren.
Në krahun tjetër, historia dhe aktualiteti vërtetojnë se njerëzit më pak të guximshëm për të menduar, janë njerëzit që nuk dinë të konkretizojnë idetë e tyre. Mendoj se shkaqet vërtiten në auditorin e frikës, dyshimit, skepticizmit por jo rrallë herë edhe të përtacisë, paragjykimit dhe mosbesimit tek vetja dhe tek të tjerët.
Çdo njëri prej shkaqeve të mësipërme meriton qasje dhe analizë, por ai që më së shumti tërheq vëmendjen dhe bën të ndalesh, është skepticizmi. Ai është tamam si puna e krimbit që gërryen rrënjët e bimëve të njoma e të gjelbra, të cilat sapo shfaqen ashtu të bukura, fillojnë e vyshken e thahen e nuk arrijnë të plotësojnë procesin e frytdhënies. Por pasoja më e rëndë nuk konsiston tek vdekja e një ideje apo disa ideve të caktuara, e cila është pasojë jo e vogël, por tek dobësimi I guximit për të menduar, madje shpesh konsiston edhe tek vdekja e këtij guximi. Mu në këtë stad të menduarit dhe të punuarit kalojnë në gjendjen e vdekjes klinike.
Shprehitë e skepticizmit
Të shumta janë shprehitë e skepticizmit ndaj ideve, siç thonë mendimtarët, por dy më karakteristiket janë: e para është referimi tek përvojat e dështuara dhe e dyta është referimi tek mos-ekzistenca e përvojave.
Realisht, është më se normale, në dukje, që për të vlerësuar paraprakisht një ide të re, të kthehesh tek përvojat që mund të ketë krijuar në të kaluarën kjo ide, apo më drejtë simotra e saj. Siç është përsëri normale që mungesa e një përvoje të mëparshme, të ftojë për tu treguar të matur me këtë ide.
Por ajo që në të vërtetë nuk është absolutisht normale, është mos-referimi tek premisat reale aktuale për të vlerësuar vlefshmërinë apo mos vlefshmërinë e një ideje të re. E ai që ka guximin për ti parë idetë e reja me syrin e origjinalitetit të aktualitetit, është ai që është mësuar dhe ka krijuar përvojë me jetësimin në kohën  e duhur të ideve të reja. Është ai që ka arritur ti shpëtojë atmosferës mbytëse të vakjes së ideve, mykjes së tyre dhe zvarritjes së tyre.
Çdo ide që lind, sado e ngjashme që të jetë me ndonjë ide të kaluar, ajo mbetet dhe gëzon origjinalitetin e saj, sepse lind në kushte të reja dhe të dhëna të reja. Sakaq, vlerësimi i saj, më shumë se tek përvojat e vjetra apo mos-ekzistenca e përvojës, duhet të referehot tek atmosfera origjinale e kushteve aktuale nga ku ka lindur. Kjo mbetet pista kryesore nga ku ideja merr guximin të fluturojë drejt implementimit të saj. Ndërsa të referuarit vetëm tek përvojat e vjetra, i shkakton ideve të reja mplakje të parakohshme dhe mykje të paarsyeshme. Kurse referimi vetëm tek mungesa e përvojës, e zbeh idenë e re me virusin e ankthit dhe konfuzionit të skepticizmit.
Cikli i ideve
“Përpjekja për konkretizimin dhe zbatimin e ideve, natyrshëm ballafaqohet me probleme dhe paqartësi që shndërrohen vetvetiu në pyetje që i bëjnë thirrje mendjes për përgjigje dhe zgjidhje. Kjo ngarkesë dhe detyrë e shtyn njeriun për më tepër kërkim, studim dhe dije. Përgjigja që mendja gjen tek dija, në vetvete përbën një ide. Ideja kthehet në iniciativë. Iniciativa kur zbret në realitet vërteton saktësinë apo pasaktësinë e vet. Në rastin e saktësisë merr udhën e konkretizimit, e në rastin e kundërt përsëri kthehet tek mendja për të saktësuar veten e saj apo për tu zëvendësuar. E kështu pandërprerë lindin ide të reja. Në këtë formë mbushet dhe përparon jeta me ide dhe njeriu rritet, zhvillohet dhe lartësohet” Xhasim Sultan. “Strategjia e perceptimit të dinamizmit”
Idetë si inspirim
Allahu I Madhëruar e lidh ngushtë zgjidhjen e problemeve me devotshmërinë. Por devotshmëri nuk do të thotë thjesht mos bërje e të ndaluarës, por prej devotshmërisë është edhe bërja e të mirës. Pra ai që është I interesuar ti ruhet së keqes, apo ai që kërkon hapësirë për të mirën, nëse janë në të vërtetë të shqetësuar dhe përpiqen realisht do të gjejnë zgjidhje sado të mëdha të jenë vështirësitë dhe sado të mbyllura të jenë rrugët. “Ai që tregohet i devotshëm ndaj Allahut, Allahu do ti japi zgjidhje dhe do ta furnizojë andej nga nuk ia pret mendja” Kuran
Shpesh herë ndodh të mendojmë se zgjidhjet materiale të një problemi të caktuar kanë shteruar. Kjo në vetvete nuk përbën problem. Problemi konsiston nëse arrihet në këtë konkluzion pa u menduar gjatë si pasojë e shkaqeve të lartpërmendura. Siç konsiston problemi në lënien e kërkimit të zgjidhjes dhe humbjen e shpresës në ekzistencën e saj edhe nëse kemi kërkuar për shumë kohë.
Ndërsa ai që këmbëngul në kërkimin e zgjidhjes, edhe nëse idetë e zgjidhjes kanë shteruar, duke mos humbur shpresat, Allahu i inspiron zgjidhje madje i jep edhe mundësitë materiale të zbatimit të saj. Pra që të ndodh ky inspirim ideje duhet: shqetësim i vërtetë e i sinqertë, këmbëngulje reale dhe e vazhdueshme dhe shpresë e pandërprerë dhe e pa venitur. Këto cilësi përbëjnë devotshmërinë që meriton të shpërblehet me inspirim ideje për zgjidhje dhe faktorë  material të realizimit të saj.
Nëna e Profetit Musa (a.s) nuk ishte profete. Megjithatë zgjidhja që i dha problemit shumë kritik të djalit të saj, profetit të ardhshëm Musa (a.s) duke e hedhur në lum, qe konkretizim i idesë që i erdhi si inspirim prej Zotit të gjithësisë mu në momentin kur idetë e zgjidhjeve materiale kishin shteruar.
 
Ç‘meritojnë idetë
Sakaq i bie që idetë të jenë në vetvete një lloj inspirimi hyjnor. Nuk e kam fjalën këtu për çdo lloj ideje që lind në çfarëdo lloj kushtesh… . Por e kam fjalën veçanërisht për ato ide që kanë të bëjnë me probleme reale e të rëndësishme dhe që lindin pas një shqetësimi, lodhje, preokupimi dhe mundi shterues. Pikërisht këto lloj idesh, meritojnë një vëmendje dhe vlerësim të veçantë dhe duhen vlerësuar si mirësia hyjnore e dritës së syve. Pra edhe idetë janë mirësi ashtu si mirësia hyjnore  e ajrit, bukës, ujit, dritës, gjymtyrëve… etj. Si të tilla meritojnë falënderim të shprehur në guxim dhe përpjekje për ti jetësuar.
Umeri (r.a) dhe idetë hyjnore
Transmetohet se në më shumë se dhjetë raste, idetë e Umerit u mbështetën nga Kurani i Zotit të gjithësisë.
Studiuesit e jetës së tij, pohojnë se nga shkaqet kryesore, ishte interesimi i tij i madh dhe i vazhdueshëm për të jetësuar fjalën e Zotit. Transmetohet se i është dashur thuajse tetë vjet për të mësuar suren Bekare. Nuk kalonte tek verseti vijues pa mësuar, kuptuar dhe zbatuar versetin pararendës. Siç qe, si shkak, edhe interesimi dhe këmbëngulja e tij e sinqertë për tu dhënë zgjidhje hyjnore problemeve që hasnin myslimanët. Kështu ndodhi me alkoolin, me mbulesën e femrave myslimane, me robërit e luftës në betejën e Bedrit… etj. Idetë që dha Umeri (r.a) u mbështetën nga Allahu i gjithësisë.
Idetë dhe shkaqet e zbritjes së Kuranit.
Dihet se Kurani nuk zbriti për një ditë. Zbritja e tij u shtri në njëzet e tre vjet. Një nga dijet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me studimin e Kuranin është dija e shkaqeve të zbritjes së tij. Karakteristikë kryesore e këtyre shkaqeve është se janë probleme që i kanë hasur myslimanët gjatë punës, përpjekjes, vuajtjes dhe sakrificave për të ndërtuar jetën e tyre sipas dëshirës së Zotit të gjithësisë. Pra, janë probleme me të cilat janë ballafaquar gjatë implementimit të atyre zgjidhjeve hyjnore që zbrisnin vazhdimisht për probleme në teren.
Sakaq zbatimi i një ideje hyjnore i hapte rrugën zbritjes së tjetrës. E kështu u ndërtua në tokë ndërtesa e hijshme hyjnore me dorën e Profeti (a.s) dhe shokëve të tij deri sa zbriti tulla e fundit: “Sot për ju e plotësova fenë tuaj, mirësitë e Mia ndaj jush I përsosa dhe Islamin e kam bërë për ju fenë më të cilën Unë kënaqem” Kuran   

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit