Flet Alma Hoxha, mjeke infeksioniste
Grupmoshat më të prirura për t’u prekur nga variçela. Cilat janë simptomat që shfaq sëmundja e lisë. Rastet kur preken pacientët me sëmundje sekondare. Si mund të parandalohet, këshillat mjekësore
Variçela, ndryshe njihet si sëmundja e lisë (ose lija e dhenve), ka shfaqur rastet e saj të para. Ndonëse ajo është një sëmundje ngjitëse, që shfaqet në çdo stinë të vitit, në dimër rreziku nga prekja e saj jashtë më i madh. “Pranë poliklinikës sonë, ka pasur disa raste me variçelë, pasi kjo stinë është më e prirur për të tilla sëmundje. Këtë javë, kam hasur 6 pacientë me variçelë, gjë që tregon se tashmë ka të prekur”. Kështu shprehet për “Republikën”, Alma Hoxha, mjeke infeksioniste pranë Poliklinikës Qendrore. Sipas mjekes infeksioniste, prindërit duhet të tregojnë kujdes për fëmijët e tyre, pasi ata janë grupmosha më e prirur për t’u prekur nga sëmundje të tilla. “Variçela është sëmundje ngjitëse e përhapur në çdo vend. Haset me shumë në dimër dhe në pranverë. Më të rrezikuar për t’u prekur janë fëmijët 5-9 vjeç, por dhe me të vegjlit, si dhe moshat e rritura që nuk e kanë kaluar në fëmijëri”,- tha më tej Alma Hoxha. Më shumë problem kjo sëmundje përbën nëpër çerdhe dhe kopshte, madje dhe nëpër shkolla, pasi kontakti mes fëmijëve është më i madh dhe për një kohë të gjatë ata janë të izoluar. Ndaj është bërë tashmë fenomen që në dimër fëmijët të preken nga variçela nëpër institucionet arsimore. Normalisht, në vendin tonë nuk ekziston kalendari i vaksinimit për linë, duke ditur që është një sëmundje që kalohet lehtë dhe nuk lë komplikacione tek njeriu. Por ka raste që një kontigjent i caktuar pacientësh duhet të trajtohen patjetër në spital, sidomos për fëmijët që vuajnë nga mono-defiçenca, që janë nën trajtimin me kortizon. Pra, shumica e pacientëve që vuajnë nga një sëmundje e rëndë, e cila është e vështirë për t’u kuruar, atëherë sëmundja e lisë mund të jetë edhe më e rrezikshme për t’u kuruar, siç është rasti i të sëmurëve me leuçemi. Ky kontigjent njerëzish duhet patjetër të mbrohet ose duhet të bëjë vaksinën kundër lisë, ose të mjekohen në spital dhe të mjekohet me anti-viral.
Çfarë shkakton variçela në organizëm
Sëmundja e lisë sjell një sërë pasojash tek organizmi i njeriut. “Duhet thënë se pacienti i sëmurë me variçelë është burim infeksioni dhe, në disa raste, edhe ai me herpes zoster. Periudha e kontaminimit është 1-2 ditë para se të dalin puçrrat (ekzantema) deri në mbarimin e formimit të krusteve”,- shpjegon Alma Hoxha.
Si transmetohet sëmundja e lisë
“Lija transmetohet dhe përhapet nëpërmjet frymëmarrjes si dhe në kontakt me lëkurën”,- bën me dije më tej mjekja infeksioniste. Kjo sëmundje ka si klinikë disa karakteristika, siç janë:Nis me ekzantemat dhe paraqitet si një makul e vogël me ngjyrë të kuqe dhe pas disa orësh shndërrohet në makulo-papulozë e në fund vezikul, që përmban lëng të qartë. Ky lëng më vonë turbullohet dhe, pas disa ditësh, çahet duke formuar kruste, të cilat kur bien nuk lënë shenja. “Elementët e parë dalin në gjoks, në bark dhe pas 24-48 orësh ato përhapen në gjithë trupin, fytyrë, anësi, sipërfaqet me flokë, rrallë prekin pëllëmbën e duarve e shputën e këmbëve”,- vijon më tej infeksionistja Hoxha. Ndërkohë, kjo sëmundje shfaq dhe disa simptoma të tjera, siç janë temperatura subfebrile, por mund të jetë dhe e lartë, sidomos tek të rriturit. Ndërkohë, dhe pruriti (kruarja) është shumë e shprehur, anoreksia, dhimbja e kokës, dhimbjet muskulare dhe pagjumësia.
Rastet kur preken pacientët me sëmundje sekondare
Të sëmurët me sëmundje që ulin imunitetin, si ata me leuçemi, limfome, ata që mjekohen me imunosupresore apo kortikosteroide, mund të kenë një ecuri më të gjatë e më të rëndë të kësaj sëmundjeje. “Ndërlikimet janë të rralla, ku më i shpeshti është infektimi nga streptokoku piogjen. Ndërkohë, mund të jetë një pneumoni variçeloze që ka karakteristikë temperaturën e lartë dhe kollën. Ndërlikimet e sistemi nervor qendror shfaqen më shpesh tek fëmijët, por fatmirësisht, është shumë i rrallë, glomerulonefriti, hepatiti etj.”,- shpjegon më tej Alma Hoxha.
Mjekimi
Sëmundja e lisë, në shumicën e rasteve, është siptomatike dhe mjekohet, siç është rasti i temperaturës së lartë, por dhe qetësimin e kruajtjes. “Në këtë sëmundje është e rëndësishme të theksojmë që tek fëmijët e vegjël nuk duhet përdorur aspirina. Ndërkohë, personat me imunitet të ulur mjekohen me aciklovir intravenoz për 10-15 ditë. Ndërsa acikloviri oral përdoret dhe tek adultet e rinj, pasi pakëson zgjatjen e kohës së shenjave klinike”,- përfundon Alma Hoxha. Për të parandaluar sëmundjen e variçelës përdoret vaksinimi me vaksinë, me virus të dobësuar. Ndërkohë, izolimi është një tjetër formë për të parandaluar variçelën, duke mos pasur kontakt me persona të tjerë të sëmurë.
Këshillat mjekësore
“Një ndër këshillat parësore që u këshilloj pacientëve është që kjo sëmundje të trajtohet si infektive, me regjim të duhur, duke marrë parasysh një ushqim të mirë dhe me vitamina”,- thotë më tej mjekja. Për sa u takon barnave që duhet të përdoren, është e këshillueshme që të përdoren anti-piretik, kjo për uljen e temperaturës, kryesisht paracetamol dhe jo aspirinë. Një tjetër produkt që mund të përdoret është pudra me mentol për të freskuar trupin, pasi lia shoqërohet me kruajtje trupi. Pacientët që i ka zënë lija, duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje, multivitamina dhe ushqyerje të mirë.