4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ligji kundër terrorizmit: version i masave që sollën masakrën e Parisit të vitit 1961

Më të lexuarat

Renditet mes veprimeve më gjakatare të represionit shtetëror kundër protestuesve paqësorë në historinë europiane, por pak e mbajnë mend këtë tmerr.

Më 17 tetor, 1961, në muajt e fundit të luftës algjeriane, me mijëra demonstrues pro pavarësisë së Algjerisë, marshuan përmes bulevardeve të hijshme të kryeqytetit francez. Ata kërkonin të nxisnin fundin e një konflikti që dukej i përjetshëm dhe të ngrinin zërin kundër getoizimit me të cilin përballen shumë njerëz në Francën metropolitane.

 

Por, asnjë prej këtyre qëllimeve nuk u arrit: forcat franceze të sigurisë shpejt zbritën drejt turmave në një konfrontim të përgjakshëm, madje duke hedhur edhe trupat në lumin e Senës kur mbaruan punën e tyre. Disa historianë thonë se policia vrau pothuajse 200 njerëz. Por askush nuk mund ta thojë me siguri.

Ky vit, nuk përbën ndonjë përvjetor special të “masakrës së Parisit”. Por për disa, sidomos në komunitetet me shumicë arabe dhe muslimane, ka rëndësi. Protestuesit algjerianë të vrarë në vitin 1961, u sulmuan bazuar mbi një klauzolë të të njëjtit ligj që presidenti Emmanuel Makron tashmë, me pak rishikime, e ka shndërruar në ligj të përhershëm: gjendja e jashtëzakonshme. Për arabët dhe muslimanët në Francë ky ligj është një kujtesë e dhimbshme e një të kaluare edhe më të dhimbshme.

Makron dhe administrata e tij kanë përfshirë në ligj nenet e gjendjes së jashtëzakonshme që lejojnë autoritetet administrative të kërkojnë dhe të ndalojnë të dyshuarit për terrorizëm pa urdhër nga gjykata, kjo, sipas tyre, si mjeti më i sigurtë për të ndalur valën e dhunës terroriste që ka marrë më shumë se 230 jetë në këtë vend që nga fillimi i vitit 2015. Masat e gjendjes së jashtëzakonshme janë në fuqi që prej të nesërmes së sulmeve të nëntorit në Paris, në vitin 2015. Dy javë më parë, dhoma e ulët e parlamentit francez votoi, me shumicë dërrmuese, për të shtrirë shumë nga masat për një kohë të pacaktuar.

Por, gjendja e jashtëzakonshme e Francës ka një histori të qartë që është thelbësisht e lidhur me të kaluarën koloniale të vendit dhe sidomos me makthin e asaj nate tetori të vitit 1961.

Gjatë fazave të hershme të luftës algjeriane për Pavarësi, qeveria franceze në vitin 1955, miratoi një ligj që do t’u mundësonte autoriteteve të shtypnin trazirat revolucionare. Në një territor që së fundmi mbulon gjithë Francën metropolitane, autoritetet mund të ndalonin revolucionarë të dyshuar algjerianë të mblidheshin në publik dhe të shkëmbenin ide. Në fillim të tetorit 1961, fuqia e gjendjes së jashtëzakonshme përfshinte ndalim-qarkullimin gjatë natës vetëm mbi punonjësit algjerianë, që në atë kohë, ishin të gjithë qytetarë francezë. Ishte pjesërisht edhe për shkak të këtij diskriminimi që u mblodhën aq shumë njerëz për të protestuar natën e 17 tetorit.

Duke e parë ngushtësisht, nuk kishte asnjë “lidhje direkte” midis vetë ligjit dhe sulmit mbi protestuesit algjerianë, thotë Sylvie Thénault, historiane me ndikim në Francë e pavarësisë algjeriane e cila ka shkruar për gjendjen e jashtëzakonshme. Masakra ishte vepër e shefit të asaj kohe të policisë së Parisit, Maurice Papon, të njëjtit njeri që gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte zbatuar deportimin e rreth 1600 hebrenjve të Bordosë drejt vdekjes në kampet naziste të përqëndrimit. Pasi u rrit në rangun e ministrit të shtetit, Papon u dënua më pas për krime kundër njerëzimit, në vitin 1998.

 

“Kishte një element racist, diskriminues në ligj, por kishte edhe dimensione të tjera në këtë vepër, si vrasja e kundërshtarëve politikë”, thotë Thénault. “Në një nivel të gjerë të përgjithshëm, sidoqoftë, mund të thuhet se gjendja e jashtëzakonshme luajti një rol në masat e jashtëzakonshme që u përdorën për të veçuar dhe izoluar algjerianët”.

Për Yasser Louati, aktivist me ndikim për liritë civile, historia flet vetë dhe qeveria franceze, duke kaluar një version të të njëjtit ligj, ka dërguar një mesazh të qartë ndaj popullsive arabe dhe muslimane të vendit. Ai e përcakton kështu: “Do të thotë se jetët e tyre nuk vlejnë shumë”.

“Kjo ishte masakër nga policia, vrasje e më shumë civilëve në çdo vend në botën perëndimore që prej Luftës së Dytë Botërore dhe mbetet e vërtetë sot e kësaj dite”, thotë Arun Kapil, akademik francez për historinë koloniale që jep mësim në Universitetin katolik të Parisit. “Dhe kjo ndodhi në një demokraci perëndimore”, shton ajo.

Si pikë krahasimi, të paktën 91 hebrenj u vranë në vitin 1938, në atë që u quajt Kristallnacht, në gjithë Gjermaninë, dhe të paktën 155 studentë u vranë në vitin 1989 në sheshin Tiananmen.

“Cili është ndryshimi midis asaj kohe dhe situatës tani”, pyet Louati. “Ne nuk na nevojiten më të shohim sesi vriten njerëz nëpër rrugë, pasi kemi me mijëra kontrolle që zbatohen pa urdhër gjykate, për shkak se njerëzit raportohen nga fqinjët apo kolegët e tyre”.

Shumë muslimanë e perceptojnë luftën e Francës kundër terrorizmit si një shtypje të muslimanëve me një emër të ri, dhe statistikat tregojnë se ka një të vërtetë pas kësaj.

Që prej nëntorit 2015, policia franceze ka ndërmarrë afërsisht 4 mijë kontrolle në shtëpi dhe ka vendosur gati 400 njerëz në arrest shtëpie, sipas statistikave të mbledhura nga Amnesty International.

Por, sipas të dhënave të përpiluara nga organizata kundër Islamofobisë në Francë, e cila është krijuar për të përballur diskriminimin, rreth 25 për qind e këtyre kontrolleve në shtëpi përfshijnë muslimanët. Ky komunitet besohet se përbën jo më shumë se 10 për qind të popullsisë totale./tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit