Të gjithë ata kosovarë që dëshirojnë të importojnë automjete më të vjetra se 10 vjet këtë mund ta bëjnë deri më 31 dhjetor të këtij viti, pasi që më 1 janar 2018 hyn në fuqi ligji i ri për automjete, i cili parasheh rregulla të reja të importit dhe regjistrimit të veturave.
Sipas këtij ligji, nga janari i vitit të ardhshëm askush nuk mund të importojë automjet më të vjetër se 10 vjet. Ligji i ri për automjete ka sjellë ndryshime të mëdha të normave për regjistrimin e automjeteve.
Po ashtu, ligji i ri për automjete precizon se asnjë automjet nuk mund të blihet, shitet apo te regjistrohet pa u paguar të gjitha gjobat që janë shqiptuar ndaj atij personi që ka bërë kundërvajtje në trafik. Ligji i ri parasheh ndëshkime edhe për të gjithë ata që bëjnë ndërrimin e kilometrave të veturave.
Ligji i ri parasheh që personi që bënë regjistrimin e automjeteve duhet të paguajë edhe taksat e tjera siç është taksa për tatim në pronë me qëllim të inkasimit të hyrave në buxhetin e Republikës së Kosovës.