Ligjvënësit belgë kanë vendosur t’ua lejojnë të drejtën për të vendosur për të vdekur edhe fëmijëve me sëmundje të pashërueshme, pavarësisht nga mosha e tyre. Disa belgë e mbështesin këtë vendim, ndërsa disa të tjerë janë tejet të indinjuar.
Ligji i miratuar nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të enjten, i lejon fëmijët e çdo moshe me sëmundje të pashërueshme dhe me dhimbje të forta të kërkojnë vdekje të vullnetshme nëse prindërit janë dakord.
Disa vende e lejojnë këtë vdekje për të rriturit. Në Hollandë, kjo është e lejuar për fëmijët mbi moshën 12 vjeçare. Por kur mbreti i Belgjikës të nënshkruajë këtë ligj, vendi i tij do të jetë i pari që do të heqë kufizimet e moshës për këtë praktikë. Reagimet në Belgjikë variojnë nga mbështetja tek kundërshtimi i fortë.
“Mendoj se është diçka e dobishme. Kjo praktikohet në Hollandë, në Zvicër dhe mendoj se po përhapet. Gjërat duhet të evoluojnë”.
Kundërshtarët argumentojnë se fëmijët nuk mund ta marrin një vendim kaq të vështirë.
“Kjo është një çështje delikate, është e rrezikëshme, sepse po flasim për fëmijë, të cilët mund të mos jenë të lirë të shprehen se çfarë mendojnë”.
Të tjerët i tmerron vetëm mendimi për t’i dhënë fund jetës së një fëmije.
“Kjo është diçka e tmerrshme, vetëm ideja është e tmershme. Kjo praktikë duhet të jetë rreptësisht e ndaluar. Ky është mendimi im”.
Prindërit, mjekët dhe psikiatrët duhet të bien dakord para marrjes së vendimit. Disa mjekë e kanë kundërshtuar ligjin, duke thënë se mjekësia moderne ka mjaft mënyra për të qetësuar dhimbjet. Sonja Becq ishte mes 44 anëtarëve të parlamentit që votoi kundër ligjit. 12 të tjerë abstenuan.
“Vëre veten në pozitat e atij pediatri, a të garanton ligji se nuk do të ketë pika të diskutueshme? Këtë garanci nuk ta jep. Pediatrët nuk e kanë, prindërit nuk e kanë dhe as fëmijët me sëmundje të pashërueshme. Kjo është arsyeja, kolegë, që ne do të votojmë kundër këtij propozimi”.
Karine Lalieux ishte mes 86 ligjvënësve që e miratuan projekt-ligjin.
“Çështja këtu nuk është që t’i detyrojmë të rriturit, fëmijët apo familjet të zgjedhin vdekjen e vullnetshme, por t’u japim atyre mundësinë t’u japin fund dhimbjeve pa fund”.
Belgjika miratoi vdekjen e vullnetshme të të rriturve 12 vjet më parë, si një të drejtë për të vdekur me dinjitet. Michel Ghins, bashkëthemelues i grupit për të ndaluar këtë praktikë, thotë se Belgjika duhet të shërbejë si paralajmërim për vende të tjera që të mos lejojnë legalizimin e kësaj lloj vdekjeje.
“Mendoj se fakti që Belgjika po e miraton këtë ligj duhet të tingëllojë si sinjal alarmi për vende të tjera, të cilat mund të mendojnë për legalizimin e kësaj praktike. Kjo sepse po u lejua, do të jetë shumë e vështirë të parandalohen interpretime dhe zbatime nga më të ndryshimet”.
Udhëheqësit e kishës belge e quajnë ligjin të pamoralshëm, por shumica në Belgjikën kryesisht katolike duket se e mbështet./voa/kohaislame