-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Lidhjet e dyshimta të Agim Bahtirit me kompaninë ‘Burimi’

Më të lexuarat

Dy premtimet më të mëdha të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtirit, kanë një lidhje të dyshimtë.
Zonat e lira ekonomike dhe ndërtimi i fabrikës së kërpudhave bashkohen në një pikë- tek kompania private Burimi nga Mitrovica. Kompania është pronë e biznesmenit Mustafë Fazliu.

Insajderi ka zbuluar se më 25 gusht 2016 kjo kompani është shpallur fituese e tenderit në vlerë prej 277 mijë eurosh të emërtuar “Ndërtimi i Infrastrukturës në Zonën e Lirë Ekonomike në Fshatin Frashër-Faza e Pestë”.

Kjo kompani ka pasur në të kaluarën raporte biznesi me kompanitë e ndërlidhura me kryetarin Agim Bahtiri.
Kompania Burimi kishte konkurruar në tenderin për dhënien në shfrytëzim të pronës në fshatin Zhabar i Epërm, ku po ndërtohet fabrika e kërpudhave.

Gjersa zyrtarisht kishte konkurruar, në anën tjetër mbante në depot e saj makineritë e kompanisë koreane që u shpall fitues në tender. Më pas, ndonëse ishte zyrtarisht konkurrent u angazhua në ndërtim të fabrikës.

Afërsia e kompanisë Burimi me biznesin e familjes së kryetarit

Autoritetet komunale të Mitrovicës nuk kanë komentuar lidhur me afërsinë kompanisë fituese të tenderit me biznesin e familjes së kryetarit Bahtiri.

Lidhja e kompanisë Burimi me biznesin e familjes së kryetarit Bahtiri vërehet tek ndërtimi i fabrikës së kërpudhave. Kompania koreane “Mushroom Park L.L.C”, në pronësi të koreanit Hee-Joo Park, kishte sjellë në Kosovë makineritë për ndërtimin e fabrikës së kërpudhave. Procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për ndërtimin e kësaj fabrike merrnin kohë.

Kompania i vendosi makineritë pikërisht në depot e kompanisë Burimi, pati raportuar Gazeta Jeta në Kosovë. Koreani Hee Joo Park, pronar i Mushroom Park L.L.C, ka në pronësi edhe “Greenpeace Mushroom Farm”, e cila ka partneritet me “Green Mushroom Farm” me bazë në Holandë. Kjo kompani në Holandë është drejtuar nga Agim Bahtiri, deri në kohën kur morri drejtimin e Mitrovicës.

Për tu legjitimuar tenderi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale duheshin dy konkurrent në garë. Përveç kompanisë fituese, në garë ishte edhe kompania Burimi e Mustafë Fazliut, pati raportuar Gazeta Jeta në Kosovë. Ndonëse zyrtarisht humbi në garë përballë firmës së koreanit, kompania Burimi më pas u angazhua në ndërtimin e fabrikës së kërpudhave.

Po ashtu, kompania Burimi ishte një prej disa kompanive të angazhuara edhe në ndërtimin e shtëpisë private të kryetarit Bahtiri, pati raportuar Gazeta Fjala. Derisa autoritetet komunale nuk komentuan asnjërën prej këtyre të dhënave, kompania Burimi dha përgjigje vetëm për njerën prej tyre-angazhimin në ndërtimin e fabrikës së kërpudhave.

“Sa i përket ndërtimit të fabrikës së kërpudhave, kompania jonë ka pasur kontratë për ndërtimin e fabrikës me kompaninë “Mabetex”, ku për të gjitha punët e përfunduara në ndërtim të asaj fabrike, i kemi faturuar dhe na kanë paguar për punët e kryera përmes llogarisë bankare”, ka thënë për Insajderin, Sanije Fazliu zyrtare në kompaninë Burimi.

Negocimi i komunës së Agim Bahtirit me kompaninë Burimi.

Agim Bahtiri, në tetor të vitit 2013, kishte premtuar ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Banorëve të këtij fshati iu kishte thënë “Kryetari që e ka mbështetjen e qytetarëve nuk ka fuqi që e ndalë”.

Besimi i dhënë nga banorët e këtij fshati për kryetarin Bahtiri ka çuar në angazhimin e kompanisë Burimi, e cila është e ndërlidhur me biznesin e familjes së kryetarit.

Kryetari Bahtiri e ka promovuar si sukses të qeverisjes së tij ndërtimin e kësaj zone ekonomike. Por, angazhimi i kësaj kompanie private u bë nëpërmjet procedurës së negociuar.

Në garë ishte vetëm konzorciumi i udhëhequr nga kompania e biznesmenit Mustafë Fazliu. Peshon 277 mijë e 755 euro oferta e konzorciumit të përbërë nga kompanitë:Burimi Sh.P.K dhe NNT ABC.

Njoftimi për dhënie të kontratës u publikua më 25 gusht të këtij viti, në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Kompania e juaj me pronar Mustaf Fazliun ka qenë edhe më herët e ndërlidhur me kryetarin Agim Bahtiri. Komuna e Mitrovicës është duke zbatuar projektin e zonave të lira ekonomike në bashkëpunim me Ministrinë për Tregti dhe Industri.

Përgjegjësia për kontraktimin e operatorëve ekonomik i përket komunës së Mitrovicës. Drejtoria e prokurimit e kësaj komune, në një përgjigje dhënë Insajderit ka pohuar se vendimi për aplikimin e procedurës së negociuar ishte i arsyeshëm.

Sipas kësaj zyre, në maj të vitit 2016 ishte shpallur tender i hapur dhe kishin konkurruar dy kompani. Njëra prej tyre kishte aplikuar me çmim jo-normalisht të ulët, sipas përgjigjes së komunës së Mitrovicës.

Më pas, autoritetet komunale kishin kërkuar interpretim nga KRPP-ja se si të veprohet tutje në këtë aktivitet të prokurimit. KRPP kishte rekomanduar që të anulohet tenderi dhe të hapej i ri. Edhe pse drejtoria e prokurimit mbështetet në rekomandimin e KRPP-së për aplikimin e procedurës së negociuar, në rekomandimin e këtij institucioni askund nuk përmendet se duhet të ndiqet kjo procedurë. Por, KRPP-ja ka rekomanduar që të hapej tender i ri, pasi që herën e parë nuk kishte së paku dy konkurrues të përgjegjshëm.

“Ri-tenderimi është publikuar me datën 08/08/2016 dhe dosjen e tenderit e kanë kërkuar 12 operatorë. Dosjen e aplikimit në tender e ka dorëzuar vetëm një operator: Konzorciumi BURIMI shpk & ABC NNT”, thuhet në përgjigjen e autoriteteve komunale.

Ky konzorcium, sipas kësaj drejtorie, ka plotësuar të gjitha kriteret teknike, profesionale, financiare dhe kriteret e kapacitetit ekonomik.

Drejtoria e prokurimit e kësaj komune thotë se me ndryshimet në ligjin e ri të prokurimit lejohet që të shkohet me procedurë të negociuar, edhe nëse pjesë e garë nuk janë së paku dy konkurrent të përgjegjshëm. Ngjashëm ka pohuar edhe Sanije Fazliu, zyrtare në kompaninë Burimi.

Ka thënë se konzorciumi ishte më meritori për tu shpallur fitues në tender.

“Më dt. 25/08/2016, kompania jonë “Burimi”Shpk në konsorcium me NNT “ABC”, jemi shpallur fitues i tenderit me titull: Zona e Lirë Ekonomike në fshatin Frashër-Faza e peste. Ne si konsorcium kemi plotësuar të gjitha kriteret e vendosura në Njoftim për Kontratë dhe në Dosje të tenderit” ka pohuar Fazliu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit