Presidenti Ramaphosa vlerësoi muslimanët për pjesëmarrje në çdo sektor që lidhet me ekonominë, duke përfshirë qeverinë, gjyqësorin dhe bizneset
JOHANNESBURG (AA) – Presidenti i ri i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka vlerësuar muslimanët për kontributin e tyre në ekonominë e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Unë isha duke thënë, pavarësisht se popullsia muslimane është vetëm 1,6 për qind, ata kontribuan me 10 për qind në ekonominë e 55 milionë njerëzve”, tha presidenti Ramaphosa në një sofër iftari të shtruar në Cape Town.
Presidenti Ramaphosa i kreu lutjet e mbrëmjes së bashku me udhëheqësit e Këshillit Gjyqësor Musliman, i cili e kishte ftuar atë.
Ai poashtu vlerësoi muslimanët për pjesëmarrje në çdo sektor që lidhet me ekonominë, duke përfshirë qeverinë, gjyqësorin dhe bizneset.
Ramaphosa tha se muslimanët e Afrikës së Jugut janë duke bërë një punë të mirë në vullnetarizëm për të ndihmuar njerëzit me pak fat.
Ai poashtu dënoi terrorizmin dhe tha se Afrika e Jugut nuk do të jetë një vendqëndrim për terroristët.
Presidenti i Afrikës së Jugut tha se Islami kurrë më nuk do të ndalohet në Afrikën e Jugut sikur që ishte qindra vjet më parë.
Më 15 shkurt, Ramaphosa zëvendësoi ish-presidentin Jacob Zuma, pasi ky i fundit u detyrua të dorëzohet pas presionit nga partia qeverisëse ANC.
Mandati i Zuma-s në detyrë u prish nga korrupsioni dhe fraksionizmi.
66-vjeçari Ramaphosa ka premtuar një “agim të ri” në qeverinë e tij. Disa zyrtarë të korruptuar tashmë janë shkarkuar, ndërsa është themeluar një komision hetimor.