4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Libri i Kujtimit të Kosovës, një nga regjistrat më të mirë të viktimave të luftës

Më të lexuarat

Sot në Prishtinë, është prezantuar baza e të dhënave e Librit të Kujtimit të Kosovës i cili është punuar bashkërisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës (FDHK) dhe i cili përmban emrat e atyre cilët e kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Baza e të dhënave përfshinë periudhën nga 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, raporton Anadolu Agency (AA).

 

Natasha Kandiq, koordinatore e projektit “Libri i Kujtimit të Kosovës”, në amfiteatrin e mbushur plot të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, deklaroi se më 10 dhjetor 2014, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, në internet është vendosur regjistri on-line i emrave të 13.535 personave për të cilët Fondi ka vërtetuar se janë vrarë apo zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

 

Kandiq ka shpjeguar se deri tek të dhënat mbi viktimat e luftës është arritur me hulumtimet në terren, rast për rast, duke shkuar nga familja në familje, gjatë këtyre 16 viteve të fundit.

 

“Duke filluar nga 1 janari 1999 deri më 14 qershor 1999, numri total i atyre që e kanë humbur jetën në Kosovë është 10.122. Nga ky numër, 8.701 janë shqiptarë, prej tyre 7.346 janë civil. Gjatë kësaj kohe, për më pak se gjashtë muaj, 7.400 civilë shqiptarë, kryesisht fshatarë, janë vrarë. Janë vrarë apo kanë vdekur 1.191 pjesëtarë të komunitetit serb, prej tyre 385 civilë dhe 806 pjesëtarë të policisë e ushtrisë. 230 ishin Romë” tha Kandiq dhe shtoi se, njëkohësisht ka pasur edhe viktima nga bombat dhe predhat e hedhura nga ana e forcave të NATO-së.

 

Si viktima të NATO-së gjatë luftës në Kosovë, Kandiq thotë se ishin 488 persona. Prej tyre,  249 viktima ishin shqiptarë, 202 Serb dhe 37 Romë e të tjerë. Po ashtu, ka pasur viktima edhe në Serbi (260) dhe Mal të Zi (10).

 

Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova , nga 15 qershori 1999 deri në fund të dhjetorit 2000, lidhur me luftën janë vrarë apo zhdukur 1.257 njerëz, prej tyre 717 serb, 307 shqiptarë dhe 233 romë. “Një nga detyrat më të rëndësishme të kësaj baze të dhënave është që të ndihmojë dhe në mënyrë direkte të kontribuoj në gjetjen e të vërtetës, vërtetimin e fakteve, t’iu ndihmohet gjykatave në gjykimin e atyre që kanë urdhëruar apo kanë marr pjesë drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve, në ruajtjen e kujtesës së përhershme të cilët janë vrarë ose janë zhdukur në luftë dhe të hiqet çdo hije e dyshimit për të dhënat dhe rrethanat e vdekjeve” ka thënë Natasha Kandiq.

 

Ajo ka theksuar se ka qenë lehtë të vriten njerëzit por është vështirë të vërtetohet se si janë vrarë dhe si të pranohen këto fakte.

 

“Dëshiroj t’iu rikujtoi se, falë bazës të dhënave, ne kemi zbuluar se kush ishte njësiti i Skorpionëve (Akrepave). Kemi zbuluar se, ai ishte njësit policor që ka vepruar në Kosovë por që paraprakisht ka vepruar edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku ka marr pjesë në kryerjen e krimeve ndaj njerëzimit, në Srebrenicë”       

 

Kandiq rikujtoi edhe ngjarjet e fundit lidhur me të dhënat mbi Brigadën e 37. të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave e cila ka vepruar në territorin e Drenasit dhe Skenderajt. Gjatë kohës së shkurtër sa ka qëndruar aty, gjatë bombardimeve të NATO-së, ka vrarë mbi 400 njerëz, më së shumti civilë.

 

Për shkak të publikimit të këtyre fakteve, në janar 2012, Fondi për të Drejtën Humanitare është akuzuar nga kreu i Qeverisë së Serbisë se po punon kundër ushtrisë dhe shtetit, ndërsa Fondi deri tek këto të dhëna ka ardhur në bazë të dokumenteve të Tribunalit të Hagës i cili, përndryshe, këto të dhëna dhe dokumente i kishte pranuar nga shteti i Serbisë.

 

Së fundit, Fondi ka dal në opinion me edhe më shumë dokumente dhe fakte për të njëjtën brigadë dhe gjeneral (Ljubisha Dikoviq), tash Shefin e Shtabit të Gjeneralëve të Ushtrisë së Serbisë, sërish duke u bazuar në dokumentet e Tribunalit të Hagës të cilat së bashku me hulumtimet e Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, japin pasqyrën e asaj se çka ka ndodhur gjatë periudhës prill-maj 1999, në disa fshatra të caktuara në Kosovë.

 

“Tash këtu vjen deri tek një problem i madh sepse mund të ekzistojnë deklaratat e dëshmitarëve, ekzistojnë dokumentet ushtarake por aktualisht, këto dokumente dhe deklarata mohohen kategorikisht. Kjo është edhe një dëshmi se, sa vështirë është ta detyrosh shtetin dhe institucionet që t’i pranojnë faktet dhe të vërtetën” tha Kandiq.  

 

Në vitin 2012, duke dashur që të vërtetoi bazën e vetë të dhënave, Fondi për të Drejtat Humanitare kishte bërë krahasimin e regjistrave dhe evidencave të organizatave dhe institucioneve të tjera kosovare dhe atyre ndërkombëtare.

 

Kandiq tha se, fillimisht FDH ka dashur të vërtetojë të dhënat deri tek të cilat ka ardhur përmes hulumtimeve, direkt nga familjet në terren, si dhe nga dokumentet gjyqësore. E dyta, sipas Kandqi, FDH ka dashur të shoh se sa përfshirëse janë këto lista dhe regjistra, duke përfshirë edhe atë të FDH dhe sa i kanë përfshirë emrat e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë.

 

Së pari, FDH kishte krahasuar listat e veta me ato të Lidhjes Demokratike të Kosovës , për të cilën tha se ishte partia e parë e cila kishte mbledhur të dhënat për njerëzitë e vrarë gjatë luftës, duke filluar nga janari 1998 dhe këto të dhëna, listën prej mbi 10 mijë të vrarëve e kishin botuar në vitin 2002.

 

Më pastaj, Kandiq tregoi se kishin bërë krahasim edhe me regjistrin e Arkivit të Kosovës i cili, në vitin 2010, ka botuar librin me emrat e shqiptarëve të vrarë deri në qershor të vitit 1999. Kjo evidencë përmban mbi dhjetë mijë emra.

 

Në fund, sa i përket regjistrave të organizatave kosovare, FDH ka krahasuar listat e veta me ato të Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i cili në të dhënat, buletinet dhe monografitë e veta, po ashtu ka publikuar së paku 8 mijë emra.

 

Për të vërtetuar saktësinë dhe për të qenë më të besueshëm, FDH ka bërë krahasim me edhe dy baza të dhënave të dikujt i cili nuk është nga Kosova.

 

Një nga këto pikat krahasuese ishte edhe regjistri i një punëtori humanitar norvegjez, Josef Martinsen i cili e ka bërë librin me evidencën e mbi dhjetë mijë emrave, të shqiptarëve të vrarë.

 

Si përfundim, Kandiq tha se ka qenë një vendim i drejtë i FDH-së për të bërë krahasimin e bazës të dhënave sepse është vërtetuar se gjatë hulumtimeve në terren, ata nuk i kishin përshirë të gjitha viktimat. 3.190 viktima ishte numri i cili mungonte në bazën e të dhënave të FDH-së.

 

Ndërkohë, Fondi ka vërtetuar se, 581 persona janë viktima të luftës të cilat më herët nuk janë evidentuar; 488 nga të lajmëruarit në evidencat tjera janë të gjallë dhe janë lajmëruar gabimisht; 184 kanë vdekur, por jo në lidhje me luftën; dhe 715 janë plotësisht të panjohur me emrat të cilët lajmërohen në ato evidenca dhe regjistra.

 

Kështu, nga 3190 raste të cilat i mungonin bazës të dhënave të FDH-së, Kandqi tha se kanë mbetur edhe 1071 emra të viktimave të lajmëruara të cilat duhet të vërtetohen.

 

Kur të bëhet kjo, sipas Kandiq, Fondi do të jetë plotësisht i sigurt se, nuk ka lënë asgjë të mangët.

 

“Kjo është shumë me rëndësi sepse ka familje që gjatë luftës janë zhdukur plotësisht dhe nuk ka askush që mund t’i lajmëroi. Ne, për dallim nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kemi disa emra të cilat nuk gjenden në listën e kësaj organizate, pasi që nuk janë të lajmëruara sepse nuk ka pasur kush t’i lajmëroi” rrëfeu Kandiq duke mos fshehur emocionet dhe duke konstatuar në fund se, ndërsa ajo e kishte përfunduar fjalimin e saj gjysmë orësh, lista e emrave të cilët po projektoheshin në mur nuk kishte fund.

 

“Ata vazhdimisht kalojnë dhe në këtë mënyrë, ata do të paraqiten vazhdimisht para nesh , deri sa e vërteta se si i kanë humbur jetët dhe si janë zhdukur në luftë, nuk të pranohet” përfundoi Kandiq.

 

Gjatë takimit të sotëm, prezent ishin Dr.Patrick Ball dhe prof. Michael Spagat, dy ekspertë shumë të njohur dhe të respektuar të cilët merren me shkeljen  e të drejtave të njeriut gjatë luftërave dhe të cilët merren me analiza kualitative dhe kuantitative të humbjeve njerëzore në luftëra.

 

Dr. Patrick Ball, përndryshe ka dëshmuar disa herë në Gjykatën e Hagës lidhur me analizat e tij për humbjet njerëzore në luftën e Kosovës dhe është ekepertë i cili punon me komisione të shumta dhe organizata jo qeveritare, në analizën e thyerjes së drejtave të njeriut dhe dokumentimin e krimeve të luftës nga këndvështrimi i i analizave statistikore kualitative dhe kuantitative.

 

Ndërsa, profesori britanik, Michael Spagat, udhëheqës i Departamentit të Ekonomisë Royal Holloway në Universitetin e Londrës, ka kontribuar në interpretimin e analizave të Dr.Ball dhe asaj se, çka në të vërtet tregojnë këto të dhëna dhe sa këto të dhëna mund të ndikojnë në parandalimin e krimeve të luftës, në mënyrën se si janë bërë, jo vetëm në Kosovë  por në mbarë botën, pikërisht duke i falënderuar dokumentimit dhe analizës së këtyre të dhënave.

 

Të dy këta ekspertë, janë pajtuar se baza e të dhënave e “Librit të Kujtimit të Kosovës” është një nga regjistrat më të mirë të viktimave të luftës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit