Libia ka shënuar të dielën dyvjetorin e kryengritjes, që ka çuar në rrëzimin e Muammar Qaddafit.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Muhammad Megaryef, njëherësh kreu de facto i shtetit të Libisë, ka shprehur falënderime për “martirët e revolucionit” dhe “revolucionarët e vërtetë”.
Ai ka thënë se Libia nuk do të lejojë të bëhet “bazë për terrorizmin”.
Megaryef i ka bërë këto komente para qindra njerëzve të tubuar në Bengazi, ku edhe ka nisur revolta.
Kryengritja në Libi ka përfunduar me vrasjen e Qaddafit në tetor të 2011-ës.
Përvjetori i së dielës është shënuar nën masa të rrepta të sigurisë. Kufijtë me Egjiptin dhe Tunizinë janë mbyllur, si dhe disa fluturime ndërkombëtare janë pezulluar nga frika e shpërthimit të dhunës së re.
Përvjetori i dytë i kryengritjes ndodh në kohën kur autoritetet e reja libiane përballen me thirrjet për “revolucion të ri” dhe akuzat se kanë dështuar të realizojnë reformat e nevojshme.