Lavdërimi i takon Allahut, i Cili ua ka mësuar Kur’anin (robërve të Tij) dhe me të ka përligjur dispozitat, i Cili e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kur’anin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.
Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij:
“Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kur’anin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu.”(Zumer, 23)
Paqja dhe bekimet qofshin për atë që e ndihmoi Allahu me Kur’anin, ia ka ngarkuar atij shpjegimin e dispozitave dhe qartësimin e legjislacioneve të tij, paqja qoftë për familjen e tij, shokët e tij, të cilët na bartën tek ne Kur’anin, si dhe për të gjithë ata që i ndjekin ata dhe gjurmët e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Në mësimin e kaluar biseda sillej rreth vlerës së të përmendurit të Allahut dhe lidhjes së muslimanit me të në çdo situatë.
Në ndalesat vijuese do të flasim rreth përkujtimit (dhikrit) më të vlefshëm: Librin e Allahut të Lartësuar, të cilin Allahu e ka zbritur në muajin e bekuar të Ramazanit.
Ndalesa e parë:
Njerëzimi gjatë historisë së tyre nuk na njohur ndonjë Libër që është madhëruar, kujdesur dhe shërbyer si Kur’ani që nga zbritja e tij e deri në ditët e sotme, duke e mësuar atë përmendsh, medituar, duke bërë gara në komentimin dhe shpjegimin e ajeteve të tij, sqarimin e vlerave të tij, nxjerrjen e domethënieve dhe aspekteve të mrekullisë së tij dhe fakte të tjera që ndërlidhen me Kur’anin.
Ai është përmbledhje e sheriatit dhe bazë e tij, me të janë çliruar vendet, para tij janë gjunjëzuar kalorësit, nga burimi i tij kanë pirë ujë të parët të dijshmit dhe letrarët, atij i janë përulur zemrat, me leximin e tij janë marrë adhuruesit. Njeriu më i mirë është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson edhe të tjerëve, ashtu siç ka sqaruar këtë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. Shënon Buhariu dhe të tjerët se i Dërguari i Allahut, ka thënë:
“Më i miri ndër jush është ai që e mëson Kur’anin dhe pastaj ua mëson edhe të tjerëve.”[1]
Ashtu sikurse vlera e Kur’anit është e madhe, të tillë e ka bërë edhe muajin në të cilin ka zbritur, kësisoj është bërë muaji më i vlefshëm, nata në të cilën ka zbritur është bërë nata më e vlefshme, gjithashtu vlera e tij i ka përfshirë e dhe njerëzit, kështu që më i miri ndër ta është ai që e mëson Kur’anin dhe pastaj ua mëson edhe të tjerëve.
Ndalesa e dytë:
Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Kur’anin me cilësi të shumëllojshme, ndaj, ia vlen për muslimanin të ndalet tek ato duke medituar madhështinë e këtij Libri madhor, duke përsiatur ajetet e tij. Allahu thotë:
“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Bekare, 185)
Gjithashtu thotë:
“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kur’ani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.”(Maide, 15-16)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar duke e përshkruar Kur’anin thotë:
“Thuaj: “Ky (Kur’an) është një mesazh i madh.” (Sad, 67)
Si dhe shumë ajete të tjera që shpjegojnë madhështinë e Kur’anit. Ai është udhëzim për njerëzit, dritë e qartë, këshillë, shërim, mëshirë, dallues i së mirës nga e keqja, mesazh i madh dhe cilësi të tjera madhore e atribute fisnike, para të cilave duke të ndalet muslimani duke medituar e përsiatur, duke u furnizuar e edukuar me të.
Ndalesa e tretë:
Allahu i Lartësuar përkitazi me vlerën e lexuesve dhe medituesve të Librit të Tij thotë:
“Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë. Allahu do t’ua plotësojë atyre shpërblimin dhe do t’ua shtojë nga dhuntitë e Tij. Me të vërtetë, Ai është Falës dhe Falënderues.” (Fatir, 29-30)
Gjithashtu Allahu i Madhërishëm duke urdhëruar për leximin e Librit të Tij thotë:
“Dhe lexo atë që të është shpallur ty nga Libri i Zotit tënd!” (Kehf, 27)
Leximi i Kur’anit konsiderohet ndër adhurimet më të vlefshme, ndër veprat më afruese tek Allahu dhe ndër adhurimet më të mira, e veçanërisht në këtë muaj të bekuar, në të cilin shumëfishohen shpërblimet. Allahu i Madhërishëm për leximin e Kur’anit ka caktuar shpërblime të mëdha, bujaria e Tij është e madhe, bamirësia e Tij është e gjerë dhe dhuratat e Tij janë pakufi, madje edhe për lexuesin i cili ndjen vështirësi dhe mundim gjatë leximit të Kur’anit, ka dy shpërblime. Buhariu shënon nga Aishja, kënaqësia e Allahut qoftë me të, e cila thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Ai që lexon Kur’an bukur do të jetë në shoqëri të shkruesve (engjëjve) të ndershëm, ndërsa kush e lexon duke hasur në vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”[2]
Dijetarët kanë përmendur se shpërblimi i dyfishuar, njëri për lexim kurse tjetri për vështirësinë e lexuesit.
Prej vlerave të Kur’anit është fakti se ai lexuesve të tij u vjen ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit. Ebu Umame el-Bahili transmeton duke thënë:
“E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, të thotë: “Lexoni Kur’anin, se ai do të vijë në Ditën e Gjykimit e të bëjë shefat (të ndërmjetësojë) për lexuesit e tij.”[3]
Ndaj, a ka fat dhe fitim më të madh për atë që Kur’ani do t’i bëhet ndërmjetësues?
Ndalesa e katërt:
Ashtu siç kanë ardhur argumentet për inkurajimin e leximit dhe meditimit të tij, ka ardhur edhe kërcënimi për atë që e braktis me çfarëdo lloj braktisjeje. Lënia e meditimit dhe kuptimit të tij konsiderohet braktisje; lënia e të punuarit dhe mosrespektimi i urdhrave dhe largimi nga ndalesat e tij konsiderohet braktisje; lënia e të punuarit sipas tij dhe të punuarit jo me të, qoftë poezi, thënie, muzikë, lojë ose ndonjë rrugë e marrë jo prej tij, konsiderohet braktisje; mosmarrja e tij për gjykim dhe shkuarja te tjetri, mos leximi dhe mos nxënia përmendsh e diçkaje prej tij konsiderohet braktisje gjithashtu. Shënon Tirmidhiu dhe të tjerët me sened hasen nga Ibën Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të dytë, se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Ai në gjoksin e të cilit nuk ka asgjë nga Kur’ani (nuk di asgjë përmendsh nga Kur’ani) është sikur një shtëpi e lënë dhe e rrënuar.”[4]
A thua pas tërë kësaj, ia vlen për një musliman, ta braktisë Librin e Allahut të Lartësuar; t’i ik shpërblimi i madh e t’i ekspozohet dënimit të dhembshëm?
Ndalesa e pestë:
S’ka dyshim – vëlla musliman – se synimi më i madh dhe objektivi më madhor nga leximi i Kur’anit është të kuptuarit, përsiatjes dhe të punuarit sipas tij. Ndërsa leximi pa kuptim, pa meditim dhe pa punë, nuk e nxjerr lexuesin e tij nga rrethi i braktisjes së Kur’anit dhe ekspozimit ndaj kërcënimit. Allahu i Lartësuar thotë:
“Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë? (Allahu) do t’i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Ta Ha, 123-126)
S’ka dyshim se muslimani i mençur heq dorë nga vetvetja që të jetë prej atyre që do të jenë të harruar në botën tjetër dhe do të kenë jetë të mjeruar, të shqetësuar dhe të vështirë, Allahu na ruajttë dhe ju që të jemi prej tyre!
Ndaj, të kujdesemi për Librin e Allahut, duke e lexuar dhe medituar, mësuar përmendsh dhe kuptuar para se të ikin kohët. Ai është fjalë madhështore e Allahut, rrugë e drejtë, legjislacion i urtë, mesazhi i Tij i përjetshëm, mrekullia e Tij e gjithmonshme, mëshira e Tij e gjerë, begatia e Tij e plotë, drita e syve dhe e mendjemprehtësive drejt rrugës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nuk ka shpëtim pa të, Ai është i fundmi i Librave i zbritur për të fundmin e pejgamberëve, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, me fenë e të cilit kanë përfunduar fetë.
Allahu na furnizoftë ne dhe ju leximin e Librit të Allahut me lexim të vërtetë, na bëftë Allahu prej lexuesve të tij, të cilët janë të afërmit e Allahut dhe të veçantit e Tij. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!
Ndalesa e gjashtë:
Sujutiu, Allahu e mëshiroftë, duke folur rreth aspekteve të mrekullisë së Kur’anit thotë: “Lexuesi i Kur’anit nuk mërzitet prej tij, as dëgjuesit nuk i shkakton neveri, por leximi i tij ia shton ëmbëlsinë, përsëritja e tij ia shkakton dashurinë, ndërsa fjalët e tjera nëse përsëriten kundërshtohen dhe bëhen të mërzitshme me përsëritjen e tyre.”
Sujutiu me këtë sinjalizon në përshkrimin e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për Kur’anin i cili thotë:
“Kur’ani është fjalë e Allahut që me të nuk devijojnë dëshirat, e as nuk ngatërrohet gjuha me të, dijetarët asnjëherë nuk ngopen me të, nuk i zbehet madhështia sado që e kundërshtojnë, mrekullitë e tij nuk kanë të mbaruar.”[1]
Fjalë përmbledhëse nga fjalët me kuptime të plota të Pejgamberit, paqja e Zotit qoftë mbi të. Këto kuptime madhore kishin lënë ndikim jashtëzakonisht të madh tek shokët e Pejgamberit, në aspektin e dijes dhe të mësuarit, në moral dhe sjellje, në kuptim dhe praktikë.
Uthmani, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: “Po të ishin të pastra zemrat e tuaja, nuk do të ngopeshit së lexuari Librin e Zotit tuaj.”
E vërtetë, sikur të pastroheshin zemrat tona nuk do të ngopeshin nga Kur’ani, ndërsa mërzitja dhe neveria do të ishin larg nesh me rastin e leximit të Kur’anit, për faktin se zemrat besimtare nuk mërziten e as nuk lodhen nga leximi i tij. Ndaj, çdo musliman le ta rishikojë vetveten, le ta përmirësojë atë dhe ta njohë zemrën e tij. Kush ndjen nga vetvetja mërzi ose lodhje nga leximi i Kur’anit, zemra e tij ka nevojë për pastrim.
Ndalesa e shtatë:
Vërtet, prej gjërave më të dobishme që e preokupon veten agjëruesi është leximi i Kur’anit dhe përsiatja e domethënieve të tij duke e marrë për model udhëzimin e Pejgamberit tonë, Muhamedit, paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili nga vetvetja ka sjellë shembull për angazhimin me Kur’anin dhe kujdesin ndaj tij. Xhibrili, paqja e Zotit qoftë mbi të, i vinte dhe e përsëriste me të Kur’anin, kurse Pejgamberi ua lexonte shokëve të tij dhe i nxiste për lexim dhe e bënte udhëheqës atë që dinte më shumë Kur’an. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, thotë:
“Kujdesuni dhe ruajeni Kur’anin (atë që e keni mësuar prej tij), se pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, ai (Kur’ani) harrohet më shpejt sesa që i duhet devesë për t’u liruar prej kapistrës së vet (litarit me të cilin i lidhet këmba).”[2]
Meseleja e ruajtjes dhe kujdesit të Kur’anit konsiderohet prej çështjeve të rëndësishme, të cilat i kanë hulumtuar të dijshmit nga të parët dhe kanë shpjeguar periudhën të cilën nëse e tejkalon muslimani, atëherë frikësohet se mos është prej atyre që e kanë lënë pas dore Kur’anin dhe e kanë braktisur atë. Is’hak bin Rahevejh thotë: “Është e urryer për njeriun t’i kalojnë dyzet ditë e të mos e lexojë Kuranin”. Kurse “të mos e lexojë” nënkuptohet leximi i plotë i tij derisa e përfundon (bën hatme), ngase muslimani atë e lexon brenda pesë namazeve të tij. Ndërsa Ibën Kethiri, krahas kësaj ka përmendur se është e urryer për muslimanin ta lexojë Kur’anin në më pak se tre ditë.
Megjithëkëtë realiteti i disa muslimanëve sot kundrejt Librit të Zotit të tyre, është një realitet jo i kënaqshëm, ata i kanë privuar vetvetes një vlerë shumë të madhe dhe hisen e shpërblimin e madh.
Shënon Tirmidhiu dhe të tjerët nga Ibën Mes’udi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Kush e lexon një harf – shkronjë nga Libri i Allahut (Kur’ani), do te ketë shpërblim, e shpërblimi do të dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një harf – shkronjë, por, ‘Elif’ është harf, ‘Lam’ është harf dhe ‘Mim’ është harf.”[3]
Nëse e merr Mus’hafin në dorë e më pas lexon për pesë minuta pastaj llogarit – nëse do – numrin e shkronjave dhe i shumëzon ato me dhjetë të mira e deri në shtatëqind fish, e pastaj shikon në këtë numër të lartë mirësish, të cilat mund t’i fitosh me lejen e Allahut të Lartësuar brenda kësaj kohe të shkurtër duke pasur nijetin e sinqertë!
A thua, sikur secili prej nesh të shfrytëzonte kohën e lirë të tij për leximin e Kur’anit dhe meditimit të tij, imagjino sesa mirësi do t’i fitonim?!
Ndalesa e tetë:
Shënon Imam Ahmedi, Hakimi dhe të tjerët me sened të saktë nga Abdullah bin Burejk nga babai i tij, i cili ka thënë:
“Vërtet, Kur’ani do ta hedh lexuesin e tij, në Ditën e Kijametit kur të ndahet varri i tij, sikur njeriun e zbehtë, e do t’i thotë atij: “A më njeh? Ai do t’i përgjigjet: “Nuk të njoh”. Do t’i thotë: “Unë jam shoku yt Kur’ani, të kam lënë të etur në mesditë dhe pa gjumë natën. Vërtet, çdo tregtar shkon pas tregtisë së tij kurse Unë për ty sot do të shkoj pas tregtisë tënde. Thotë: “Do t’i jepet sundimi në të djathtën e tij kurse përjetësia në të majtën e tij, mbi kokën e tij vendoset kurora e qetësisë, prindërve të tij do t’u vishen stolitë kurse ata do të thonë: “Përse jemi veshur kështu?” Do t’u thuhet atyre dyve: “Për shkak të mësimit të djalit tuaj të Kur’anit, kurse më pas i thuhet atij: “Lexo dhe ngrihu shkallëve të xhenetit dhe dhomave të tij, ai do të ngjitet përderisa lexon, shpejt ose ngadalë e rrjedhshëm.”[4]
Vëllezër të nderuar!
Prej begative të Allahut ndaj këtyre vendeve është edhe fakti se janë përplot me shkolla për mësimin e Kur’anit përmendsh, ka institute dhe hallkat e xhamive që organizojnë mësime në mëngjes e mbrëmje për nxënien e Kur’anit përmendsh. Ndaj, çdo prindi që është preokupuar nga fëmijët e tij, çdo nëne që merret me ndjekjen e modave të reja dhe shëtitet nëpër tregjet dhe kopshtet, të zgjohen nga kjo shkujdesje dhe nga kjo dremitje kundrejt Librit të Allahut të Lartësuar, le t’i shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga ato shkolla, xhami dhe hallka të shumta, ngase gjëja më e mirë që mund t’i ofrosh vetes dhe pasardhësve tu është mësimi i tyre Librin e Allahut të Lartësuar dhe edukimin e tyre sipas tij.
Ndalesa e nëntë:
Çdo lexues i Kur’anit shpreson përftimin dhe dobinë me leximin e tij, me shpresë se Allahu do ta regjistrojë prej të afërmve dhe të veçantëve të Tij. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse do përfitim prej Kur’anit, atëherë përqendroje zemrën tënde gjatë leximit dhe dëgjimit të tij, përqendroje të dëgjuarit tënd dhe ji i pranishëm duke e përkujtuar Atë që të drejtohet dhe flet me të. Ai që të drejtohet ty është Allahu i Lartësuar përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.” Allahu thotë:
“Vërtet, këtu ka këshillë për këdo që ka zemër, dëgjon me vëmendje dhe dëshmon.”(Kaf, 37)
Prej gjërave që ndihmojnë në meditimin, përuljen dhe përfitimin nga Kur’ani është: Prania e zemrës dhe ndjenja e muslimanit gjatë leximit se Vet Allahu i Lartësuar i drejtohet atij me këtë Kur’an.
Gjithashtu: Të mos nxitojë dhe shpejtojë lexuesi gjatë leximit sepse ka ardhur paralajmërim dhe kërcënim për këtë. Gjithashtu prej gjërave të rëndësishme është edhe: Të ndalurit tek ajetet e inkurajimit dhe ato të kërcënimit, me qëllim që t’i lutet Allahut tek ajetet inkurajuese dhe t’i kërkojë ndihmë dhe shpëtim tek ato kërcënuese, të ndalet tek ajetet urdhëruese me qëllim që t’i kryejë urdhrat e tyre dhe tek ato ndaluese e t’u largohet ndalesave të tyre, të ndalet tek tregimet që të meditojë rreth tyre dhe të marrë mësim dhe këshillë.
O muslimanë dhe muslimane!
Ky është muaji i Ramazanit dhe dhuratat e Allahut të Lartësuar vijnë njëra pas tjetrës, begatitë e Tij nuk mund të numërohen. Ja, muaji i Ramazanit vazhdon të na mbulojë me mirësitë e tij, me Kur’anin, i cili është zbritur në të, me agjërimin dhe faljen e namazit. Sikur të plotësonim dhe korrigjonim neglizhencën tonë në leximin e Kur’anit ngaqë kanë kaluar prej tij disa ditë!
Lexuesi i Kur’anit njihet me natën e tij kur njerëzit flenë dallohet gjatë ditës, kur tjerët hanë ushqim, me qarjen e tij kur të tjerët qeshen, me devocionin e tij kur të tjerët përzihen tepër, me heshtjen e tij kur të tjerët zhyten në bisedë, me nënshtrimin dhe përuljen ndaj Zotit kur të tjerët janë kryelartë, me mërzinë e tij kur të tjerët gëzohen, duhet të jetë i mërzitur kur tjerët gëzohen, ai duhet të jetë i butë, i urtë dhe njeri që heshtë, nuk duhet të jetë i vrazhdë, as neglizhues, nuk duhet të bërtasë e as të hidhërohet, siç është përcjellë nga Ibën Mes’udi sa i përket njohjes së lexuesit të Kur’anit.
E lus Allahun e Madhërishëm të jemi të tillë, të na mundësojë mësimin e Librit të tij përmendsh, të na mundësojë meditimin dhe kuptimin e tij, të na bëjë prej atyre që Kur’ani do t’u jetë argument për ta e jo kundër tyre, ndërmjetësues, shërues dhe udhëzues. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!
Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr
Përgatiti: Almedin Ejupi
/krenaria.com/