1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Lëvizja BESA me platformë ‘edhe shqiptarët pa hipoteka’: Detyrimisht të merren vesh të gjitha bombat

Më të lexuarat

Lëvizja BESA njofton opinionin e gjerë se mbetet thellë e interesuar për zhvillimet në lidhje me “bombat” e liderit të partisë opozitare maqedonase LSDM, veçmas ato që kanë të bëjnë me pjesën shqiptare të këtij procesi. Sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, por edhe të konfirmuara nga paralajmërimet e kryetarit të LSDM-së, ato të dhëna kanë të bëjnë veçmas me marrëdhëniet ndëretnike, që nënkuptojnë marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. Prandaj ne, si shqiptarë dhe si Lëvizje BESA, konsiderojmë se publikimi i atyre të dhënave është jetik për shqiptarët në Maqedoni. 

 

Lëvizja BESA ka informacione se gjatë këtyre ditëve po bëhen kalkulime dhe pazare, në mënyrë që informacionet që kanë të bëjnë me këto marrëdhënie të mos publikohen dhe kjo të kamuflohet në emër të stabilitetit. Prandaj sot i bëjmë thirrje z. Zaev ose cilitdo politikan tjetër që pretendon se ka të dhëna të këtilla, që ato t’i publikojë detyrimisht. Ne shqiptarët kemi të drejtë ta dimë se kush dhe çfarë ka bërë në dëmin tonë – kushdo qoftë ai. 

 

Prandaj BESA do të jetë zëdhënëse e interesit shqiptar në Maqedoni dhe nuk do ta lejojë askënd të bëjë pazare mbi interesin e shqiptarëve në Maqedoni. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që paqja, stabiliteti dhe pushteti në Maqedoni të sigurohen mbi dëmtimin e shqiptarëve. Ne jemi të bindur se nuk ka stabilitet pa drejtësi, pa demokraci, pa barazi e pa transparencë të shtetit ndaj shqiptarëve dhe të gjitha kombeve të tjera në vend. Konsiderojmë se nuk ka çmim që mund ta arsyetojë krimin e asnjë pushteti ndaj qytetarëve të tij. BESA konsideron se pikërisht mospublikimi i të dhënave e shton mundësinë që ky vend të destabilizohet dhe të rritet doza e mosbesimit mes komuniteteve, por edhe ndaj institucioneve.  

 

Nisur nga kjo, Lëvizja BESA sot e tutje është këtu që ta organizojë kombin shqiptar në Maqedoni dhe të kërkojë me çdo kusht publikimin e të dhënave që kanë të bëjnë me politikanët shqiptarë në Maqedoni. Prandaj i bëjmë thirrje Rilindjes Demokratike Kombëtare, Lëvizjes për Reforma në PDSH, Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Unionit të Intelektualëve Shqiptarë, OJQ-ve të ndryshme shqiptare, akademikëve shqiptarë, intelektualëve të pavarur shqiptarë, shkrimtarëve, artistëve, analistëve dhe gazetarëve shqiptarë, si edhe shoqatave të veteranëve të UÇK-së, që bashkërisht ta ndërtojmë një platformë kombëtare dhe të kërkojmë nga z. Zaev që të publikohen të gjitha të dhënat për dëmtimin e shqiptarëve në Maqedoni. 

 

BESA konsideron se ky është momenti më i volitshëm historik që shqiptarët e Maqedonisë ta pastrojnë të kaluarën e tyre dhe t’i pastrojnë hipotekat e politikanëve të tyre në Maqedoni. Ndryshe – nëse sot nuk reagojmë bashkërisht, fuqishëm dhe me vendosmëri, gjithmonë do të mbetemi peng të atyre hipotekave. 

 

Për këtë qëllim BESA prej sot e ngre iniciativën për organizimin e platformës së re shqiptare me emrin “Edhe shqiptarët pa hipoteka”, që në emër të së vërtetës detyrimisht të merren vesh të gjitha “bombat” që kanë të bëjnë me politikanët shqiptarë në Maqedoni. Ne mendojmë se në këtë mënyrë mund të pastrohen të gjitha hipotekat që na rrinë mbi kokë si Shpata e Demokleut dhe vetëm ashtu do të ketë kuptim që shqiptarët të vazhdojnë të merren me politikë edhe në të ardhmen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit