Sigurimi i jetës dhe fitimi i mjeteve për jetesën është një nga gjërat më të rëndësishme në të cilën na nxit feja jonë e pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa ditën e bëmë për gjallërim.” (Nebe`ë, 11). Gjithashtu thotë: “Ai (Allahu) e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar begatit e Allahut dhe të tjerë që do të luftojnë në rrugën e Allahut.” (Muzemil 20)
Tregtia është një nga profesionet më të hershme të njeriut, një nga mjetet për të siguruar jetesën. Në Islam, tregtia shihet si forma më e mirë e fitimit. Dijetarët islamë nënvijëzojnë se është rruga kryesore në sigurimin e të ardhurave. Nga ana tjetër, Islami është fe e drejtësisë, mëshirës, tolerancës, çiltërsisë, besnikërisë, këshillimit, nderit, veçori këto që te muslimani nuk vërehen përpos se gjatë punës dhe raporteve me të tjerët.
Kështu që te muslimani, nëse një raport pune me njerëzit shpaloset me arrogancë, padrejtësi, gënjeshtra, tradhti, ligësi, dhe zili, atëherë ai gjendet larg çdo forme të Islamit. Një njeri i këtillë është mëkatar, ngrënës i pasurisë së të tjerëve pa të drejtë dhe si i tillë është i zhytur kokë e këmbë në mëkate. Sa herë që në marrëdhëniet tregtare sundon shpirti islam, përhapet dashuria, vëllazëria, bashkëpunimi mes tyre dhe mëshira e Allahut i kaplon, prej nga vjen edhe begatia nëpër shtëpitë e tyre dhe ata do të jetojnë në qetësi, paqe dhe siguri.
Prandaj, tregtarët është e domosdoshme të kenë parasysh dispozitat dhe këshillat të cilave duhet t’u përmbahen gjatë marrëdhënieve me njerëzit, pastaj të njihen edhe me gjërat e ndaluara nga të cilat duhet të largohen, duke shpalosur kësisoj gjatë punës së tyre moralin e lartë islam.
Në këtë shkrim jemi munduar të parashtrojmë sa më përmbledhtas disa nga rregullat më të rëndësishme që tregtari musliman duhet të ketë parasysh gjatë punës së tij. Gjithashtu kemi përmendur edhe ndalesat më të përhapura në të cilat bien shpeshherë disa, ndoshta edhe pa vetëdije. Jemi munduar t’i cekim në formë të përgjithësuar, duke iu larguar zgjerimit. Lusim Allahun e Lartësuar të na bëjë nga ata që e kuptojnë të saktën dhe kapen pas saj dhe kuptojnë të kotën dhe largohen nga ajo!
1. Ruajtja e nderit
Gjatë tregtisë, besimtari musliman duhet të synojë nderimin dhe respektimin e vetvetes; nëpërmjet pasurisë së fituar duhet të përmbushë urdhrat e Allahut, të mbrojë fëmijët dhe familjen nga nevoja dhe lëmosha. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Që ndonjëri prej jush ta marrë litarin dhe të mbledhë dru dhe t’i vërë në shpinë, është më mirë për të sesa të shkojë te dikush që Allahu i ka dhënë pasuri dhe të kërkojë lëmoshë nga ai, i dha ai apo jo.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
2. Tregtari i sinqertë
Sinqeriteti është kulmi i vlerave të larta dhe themeli i çdo raporti të mirëfilltë njerëzor, çka te tregtarët dhe shitësit është shpeshherë e vështirë ta hasësh. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Tregtari i sinqertë dhe besnik do të jetë në xhenet, nën shoqërinë e Pejgamberëve, sidikinëve (të sinqertëve) dhe shehidëve.” Shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë.
Është vërtet e vështirë që gjatë raportit me njerëzit tregtari të tregohet i sinqertë, prandaj edhe Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, premtoi se fundi i tregtarit të sinqertë është i lavdëruar dhe rezultati i tij është ai që do të shpresonte çdonjëri. Sinqeriteti, përveç shpërblimit që sjell në botën tjetër, ka dobi të shumta edhe për këtë botë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, premtoi reflektim të begatisë në tregtinë që bëhet me sinqeritet. Ai ka thënë: “Nëse ata të dy (shitësi dhe blerësi) janë të sinqertë dhe ia sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, ndërkohë që, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
3. Përmbajtja ndaj dispozitave islame
Përmbajtja ndaj dispozitave të Islamit gjatë tregtisë, duke filluar nga ato më të qartat dhe të rëndësishmet, duhet të jetë objektivi i çdo besimtari të sinqertë. Besimtari duhet gjithashtu të largohet nga llojet e shitblerjeve të ndaluara, si shitja e asaj që është vlerësuar si haram (alkooli etj.), dhe të përmbushë kushtet e shitblerjes, kështu që tregtia e kryer do të jetë e saktë.
4. Largimi nga haramet
Gjatë punës, nga dëshira e madhe për të nxjerrë sa më tepër fitime, tregtari mund të haset me harame të ndryshme, si kamata, mashtrimi (hileja), tradhtia, gënjeshtra, padrejtësia etj. Sakaq, edhe dhënia e tepruar pas pasurisë e bën të jetë mospërfillës ndaj zbatimit të urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe t’i anashkalojë ato.
5. Mospërdorimi kamatës
Gjëja më e rrezikshme ndaj së cilës njerëzit nuk tregojnë kujdes, sidomos tregtarët, është ngatërrimi i kamatës me vjeljen e fajdesë (interesit) që ofrojnë bankat. Në Islam, puna me kamatë është rreptësisht e ndaluar dhe ky mëkat konsiderohet nga më të rëndët, për të cilin Allahu i Lartësuar pohon se njeriu që punon me kamatë i ka shpallur luftë Atij. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë, atëherë dijeni se i keni shpallur luftë Allahut dhe të Dërguarit të Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj askënd nuk dëmtoni e as vetë nuk dëmtoheni.” (Bekare, 278-279)
6. Betimi i shpeshtë
Gjatë shitblerjes, tregtari duhet t’i largohet betimit në Allah, i shtyrë nga qëllimi i bindjes së blerësit për kualitetin e mirë të mallit apo për ta shitur me çmim më të lartë mallin. Kjo për shkak se betimi pa nevojë është i papranueshëm dhe bërja shprehi e tij sjell dëme të sigurta si nga aspekti i fesë ashtu edhe nga aspekti i kësaj bote. Nga dëmet më të njohura dhe më të sigurta për të gjithë është se betimi pa nevojë dëmton reputacionin dhe humbet besimin te blerësit, prandaj i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Betimi e shter mallin dhe e asgjëson fitimin.”Shënon Ahmedi.
Gjithashtu thotë: “Kini kujdes ndaj betimit të shpeshtë gjatë shitjes, për shkak se ai e shter tregtinë, pastaj e çrrënjos fitimin.” Shënon Muslimi.
Ndërsa sa i përket pasojave në botën tjetër, Muhamedi salallahu alejhi ue selem na tregon se njëri nga tre grupet e njerëzve që Allahu i Lartësuar nuk i shikon Ditën e Gjykimit është: “Njeriu i cili e bën Allahun si mall të tij, nuk blen gjë vetëm se me betimin në Të dhe nuk shet gjë vetëm se me betimin në Të.” Shënon Bejhekiu.
7. Ngrënia në peshore
Fjala është për tregtarin, i cili gjatë shitjes së mallit duhet t’i largohet ngrënies në peshore gjatë matjes apo pakësimit të sasisë gjatë numërimit. Allahu i Lartësuar e ka ndaluar këtë dhe u tërhoqi vërejtjen në ajetet kuranore me kërcënim atyre që veprojnë kësisoj: “Të mjerët ata që peshojnë! Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangët.” (Mutafifin, 1-3)
8. Largimi i tradhtisë dhe mashtrimit (gënjeshtrës)
Tradhtia dhe mashtrimi janë dukuri mjaft të rrezikshme në shoqëri. Te shumë njerëz këto vese janë bërë element i dukshëm gjatë marrëdhënieve ndërnjerëzore, madje disa i konsiderojnë edhe si aftësi mjaft të çmuara, që duhen njohur dhe lëvruar mirë, nëse dëshirojnë përparim dhe avancim në punën që bëjnë. Për shumë tregtarë këto vese shihen si shkathtësi dhe mjeshtëri që luajnë rol të rëndësishëm gjatë tregtisë. Fatkeqësisht, shumë prej tyre besojnë se pa tradhti ose së paku pa gënjeshtër është e pamundur të fitohet, mendojnë se mashtrimi dhe gënjeshtra janë pjesë e këtij profesioni! Prandaj, te njerëzit është e përhapur bindja se personi më i pabesueshëm në shoqëri është tregtari.
Sakaq, ne e dimë tashmë se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka qenë tregtar dhe e ka lavdëruar këtë punë, pastaj shumë nga shokët e tij, si Ebu Bekri, Uthmani etj., kanë qenë tregtarë të njohur. Por të gjithë këta në punën e tyre kurrë nuk e kanë përdorur mashtrimin dhe gënjeshtrën për të nxjerrë fitime të padrejta.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Në një rast, ndërsa Muhamedi salallahu alejhi ue selem ishte në treg,, kaloi afër një grumbulli ushqimesh (që ishte për shitje). Kur e futi dorën në të, atij iu njomën gishtat (nga lagështira). Ai tha: “O pronar i ushqimit, çfarë është kjo?”Pronari tha: “O i Dërguar i Allahut, e ka zënë shiu (ushqimin).” Ai i thotë: “Po t’i kishe vënë (të njomat) mbi ushqim, që ta shohin njerëzit.” Pastaj tha: “Nuk është prej nesh ai që na tradhton.” Shënon Muslimi dhe Tirmidhiu.
9. Përshkrimi i drejtë i mallit që i ofrohet blerësit apo gjatë reklamimit
Nga hadithi i lartpërmendur kuptohet mjaft qartë se nga cilat kritere duhet të nisemi, nëse dëshirojmë të bëjmë marketing rreth mallit që kemi në shitje. Mënjanimi i hipokrizisë dhe i gënjeshtrës është thelbësor, çka vërtetohet me pjesën e fundit të hadithit: “Nuk është prej nesh ai që na tradhton.”
Por kjo nuk nënkupton aspak se, nëse ka ndonjë mall që nuk është cilësor ose ka ndonjë defekt, njeriu mos ta nxjerrë në shitje apo se është i ndaluar të shitet. Shitësi ka të drejtë t’i shesë të gjitha llojet e mallrave, edhe nëse kanë ndonjë defekt, por në këtë rast ai duhet ta ketë parasysh që ta informojë blerësin për të metat e mallit. Po ashtu, çmimin ai duhet ta caktojë duke marrë parasysh edhe defektin e mallit. Në hadithin e lartpërmendur, Muhamedi salallahu alejhi ue selem e porositi tregtarin që kishte vënë drithërat e dëmtuara nga shiu poshtë, që t’i vërë të njomat përmbi, që t’i shohin njerëzit dhe kush dëshiron ta blejë, të kuptojë se çfarë lloj ushqimi është duke iu ofruar.
10. Të tregojë bujari dhe mirësjellje me blerësit
Kjo shpaloset duke bërë lëshime në çmim gjatë pazarit, gjithashtu edhe shtimi i sasisë gjatë matjes, pasi në këtë ka bereqet dhe mirësi. Shtimi i sasisë gjatë matjes nuk humbet dhe konsiderohet sadaka ndaj blerësit. Gjithashtu, kjo është formë e mbjelljes së mëshirës, dashurisë dhe ndjenjave të mira. Pastaj, kjo forcon edhe besueshmërinë e tregtarit dhe reputacionin e tij, kështu që ky tregtar do të fitojë blerës të rregullt. Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu e mëshiroftë robin që është bujar kur shet, bujar kur blen dhe bujar kur gjykon.” Shënon Buhariu. Kjo do të thotë se është fisnik dhe zemërgjerë e jo cikërrimtar për çdo gjë.
Kurse për mirësjelljen transmetohet se Muhamedi salallahu alejhi ue selem pa një grup njerëzish duke tregtuar dhe u tha: “O tregtarë!” Ata iu përgjigjën thirrjes së Muhamedit salallahu alejhi ue selem duke i ngritur kokat dhe sytë nga ai. Ai u tha: “Vërtet tregtarët do të ringjallen Ditën e Gjykimit mëkatarë, përveç atyre që patën frikë (Allahun), ishin bamirës (të mirësjellshëm) dhe të sinqertë.” Shënon Tirmidhiu dhe e cilëson të saktë.
11. E drejta e zgjedhjes (hijarit)
Transmetohet nga Hakim b. Hizami, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Të dy, shitësi dhe blerësi, kanë të drejtën e zgjedhjes përpara se të ndahen (gjatë tregtimit). Nëse ata dy janë të sinqertë dhe i sqarojnë të gjitha njëri-tjetrit, në tregtinë e tyre do të ketë bereqet, nëse gënjejnë dhe fshehin diçka (ndonjë mangësi apo diçka tjetër), do të largohet bereqeti nga tregtia e tyre.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Edhe shitësi edhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes dhe të kthimit të mendjes (për tregtinë që kanë bërë) derisa janë ende në të njëjtin tubim. Kjo është kështu për shkak se gjatë shitblerjes ndërmjet palëve nganjëherë ndodh që të bëhet tregtia pa menduar mirë dhe me nxitim, prandaj është e mundur që ndonjëri nga ata dy të pendohet për atë tregti. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i dha afat secilit si shans që të mendojë mirë për tregtinë që bën dhe të zgjedhë derisa të mos ndahen (shitësi dhe blerësi). E kur të ndahen, atëherë asnjëri nuk ka të drejtë ta prishë atë tregti, përveç rastit kur ndonjëri nga këta dy kushtëzon që t’i japë të drejtën të mendojë një kohë dhe nëse brenda asaj kohe pendohet, të kthehet.
12. Dhënia e sadakasë
Çdo njeri gjatë marrëdhënieve me të tjerët apo gjatë punës që kryen gabon dhe mund të mëkatojë, madje shumë herë edhe pa e kuptuar. Kurse te tregtarët shansi për mëkat është shumë më i madh dhe më i mundshëm. Sadakaja (lëmosha) ndaj të varfërve dhe nevojtarëve është mënyra më mirë për ta pastruar veten nga këto mëkate e për të pastruar gjithashtu edhe pasurinë e fituar. Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “O tregtarë! Shitblerjes suaj i shfaqen dhe i shoqërohen shumë kotësi (fjalë të kota, të panevojshme) dhe gënjeshtra, prandaj gërshetojeni atë (tregtinë) edhe me dhënien e sadakasë.” Shënon Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
13. Largimi nga monopoli
Monopoli (ose ihtikari) është në ato raste kur tregtari tërheq nga tregu mallin ushqimor që është i nevojshëm dhe i kërkuar nga njerëzit (ka mungesë në kohën e krizës), ose e blen të tërin nga tregu që ta fshehë me qëllim të ngritjes së vlerës së çmimit dhe më pas ta nxjerrë në treg dhe ta shesë më shtrenjtë. Me fjalë të tjera, monopolizimi i artikujve ushqimorë në kohën e skamjes dhe mbizotërimi i rritjes së çmimit nga ana e tregtarëve, atëherë kur njerëzit ndiejnë krizë për gjërat elementare të jetesës, është i ndaluar. Dispozitat rreth kësaj janë të sqaruara gjerësisht në librat përkatës dhe nuk do të zgjerohemi më shumë në këtë, por po përmendim vetëm hadithin në të cilin Muhamedi salallahu alejhi ue selem thotë: “Vetëm mëkatari monopolizon mallin.” Shënon Muslimi.
14. Dhënia e tepruar pas pasurisë
Njeriu që jepet pas fitimeve dhe derdh mundin në këtë duhet ta kuptojë se risku (furnizimi) vjen vetëm nga Allahu i Lartësuar. Prandaj të ketë kujdes në këtë dhe të mbështetet tek Ai që ka në dorë furnizimin- e Ai është Allahu i Lartësuar- dhe të mos jepet vetëm pas sebepeve që e dërgojnë te fitimet, duke harruar Krijuesin e këtyre sebepeve.
Fatkeqësisht, nëpër tregje është përhapur padituria dhe njerëzit nxitojnë vetëm pas gjërave dhe pasurisë. Shumë njerëz mendojnë se i tërë fitimi është i lidhur vetëm me aftësitë, njohuritë, mendjemprehtësinë dhe gjuhën e rrjedhshme të tregtarit. Ata çdo gjë e mbështetin te llogaria dhe statistika që bëjnë vazhdimisht, prandaj e kanë lënë anash mbështetjen tek Allahu i Lartësuar dhe përmbajtjen ndaj normave islame.
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “O njerëz, kini frikë Allahun dhe bëhuni të mirë në kërkimin e pasurisë, vërtet nuk ka njeri që do të vdesë pa e marrë hisen e tij të riskut, kështu që, nëse i ngadalësohet atij (risku), atëherë le të ketë frikë dhe le ta kërkojë atë mirë (me rrugë të lejuara, pa teprim), merreni atë që keni hallall dhe lini atë që është haram.” Shënon Ibën Maxhe dhe Hakimi e cilëson të saktë.
15. Largimi nga gjërat e dyshimta
Këtu është fjala për largimin nga punët apo tregtia që nuk është e sigurt se janë të pastra nga haramet dhe ndalesat. Këtu hyjnë edhe punët që njeriu i kryen fshehurazi dhe nuk do që të tjerët ta shohin. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Hallalli dhe harami janë të qartë. Ndërmjet tyre gjenden gjëra të dyshimta, të cilat nuk dihen nga shumica e njerëzve. Kush largohet nga gjërat e dyshimta, e ka ruajtur nderin dhe fenë e tij. Ndërsa kush kryen gjëra të dyshimta, është futur në zonën e haramit…” Shënon Buhariu dhe Muslimi.
Alaudin Abazi
2.5.2008
Referencat:
“Fikhul Muamelat el-Malije el-Muasire el Mukarin”, dr. Alaudin Za`teri.
“El-Muamelat el-Malije el-Muasire”, prof. dr. Vehbe Zuhejli.
“Et-Taxhiru Mu`min”, Abdulkerim El-Omeri.