O ti që ankohesh për kohën e lirë dhe përton, dije se papunësia mbjell pasivitet. Ai që dëshiron të prodhojë, patjetër duhet të angazhohet me atë që është e dobishme dhe me vlerë në fe dhe në dynja dhe ta mbushë kohën e lirë me vlera, qofshin ato fjalë ose vepra. Nëse dëshiron ta angazhohesh, bëj përpjekje në gjëra të lavdishme e jo në gjëra pa vlerë.
Disa njerëz kanë vetëm hallin e barkut, të epshit, u mjafton ushqimi e pija, mendojnë se tashmë e kanë jetësuar qëllimin. Pasha Allahun, ky umet nuk ngadhënjen kështu me këta njerëz!
Atëherë, ki kujdes që të kalosh nga një adhurim i Allahut te tjetri. Shiko jetën e Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në angazhim, përpjekje dhe veprim; komunikonte mesazhin islam, mësonte të paditurit, angazhohej në adhurim. Muslimani duhet të përpiqet e jo ta kalojë kohën kot. Ai i cili synon më të lartën, arrin në lartësi.
O ti i papunë!
Shpërndaje një kasetë (cd), lexo një libër, mëso një të paditur.
Këshillo një gjynahqar, motivo përtacin, planifiko një projekt.
Respekto një të vjetër, ndihmo nevojtarin, përkrah të varfrin.
Ledhato kokën e jetimit, ndihmo familjen, pengo të keqen.
Flit një fjalë të mirë, mëso një ajet, mëso një hadith.
Thuaj salavate mbi Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Pengo të keqen, vizito varrezat, sillu mirë me prindërit, dëgjo të dobishmen…
Vëlla i respektuar!
Me rëndësi është që të punosh diçka për Islamin sipas mundësive që ke. Kujto se orët janë të llogaritura dhe çdokush ka për ta shijuar vdekjen.
Veselamu alejkum ve rahmetullah!
Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu/klubikulturor/kohaislame