12.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Lënia e qetësimit në namaz

Më të lexuarat

Nga krimet më të mëdha të vjedhjes është vjedhja nga namazi. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Vjedhësi më i keq është ai i cili vjedh në namaz.” Të pranishmit e pyetën: “O i dërguari i Allahut! Si vidhet në namaz?” Profeti iu përgjigj: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.”

Nëse e lë qetësimin në namaz, duke mos e drejtuar mirë shpinën në ruku dhe në sexhde apo nëse nuk drejtohesh mirë kur ngrihesh prej rukusë, apo nuk drejtohesh në uljen ndërmjet dy sexhdeve, gjë e cila është e njohur dhe hetohet te shumica e falësve të namazit, pothuajse nuk mund të gjesh xhami pa shembull të tillë. Pra, pa njerëz të cilët nuk e kryejnë qetësimin në namazin e tyre. Qetësimi në namaz është shtyllë e namazit. Namazi nuk është i vërtetë pa të. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) ka thënë: “Nuk do t’i bëjë dobi namazi falësit, derisa të drejtojë shpinën në ruku dhe në sexhde.” Nuk ka dyshim që kjo është vepër penale, prandaj ai që e vepron këtë në namaz, meriton të qortohet.

Trasmetohet nga Ebu Abdullah el Eshari se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) u fal me shokët e tij, pastaj u ul me një grup prej tyre. Ndërkohë, hyri një njeri dhe filloi të falet. Në namazin e tij filloi të bëj lëvizje të shpejta. I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) tha: “A e shikoni këtë? Kush vdes kështu, në fe jo të Muhamedit, duke e falur namazin ashtu siç bën korbi. Vërtet, shembulli i atij që falet  dhe i bën lëvizjet e shpejta, është si shembulli i të uriturit që nuk ha vetëm se një hurmë apo dy. Çfarë do t’i bëj dobi atij?!”

Transmetohet nga Zejd ibn Uehbi, i cili thotë se Hudhejfja e ka parë një njeri, i cili në namaz nuk plotësonte rukunë dhe sexhden e i thotë: “Ti nuk je falur. Nëse vdes në këtë gjendje, vdes jo në fenë të cilën Allahu ia dha Muhamedit (salallahu alejhi ue selam).”

Ata të cilët e lënë qetësimin në namaz, pasi e kuptojnë rëndësinë e saj apo njoftohen me gjykimin për të, duhet të pendohen tek Allahu për atë që ka ndodhur më parë, por nuk kushtëzohet përsëritja e namazeve të kaluara. Në një hadith i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) i ka thënë një personi që shpejtonte në namazin e tij: “Kthehu e falu se ti nuk je falur!”

Pakujdesia dhe lëvizjet e shumta në namaz

Kjo është një e metë që ka përfshirë një numër të madh të falësve, pasi ata nuk i janë nënshtruar urdhërit të Allahut: “…dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze).” (Bekare, 238)

Gjithashtu, ata nuk e kanë kuptuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Është e sigurtë se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët janë të përulur dhe të kujdesshëm gjatë faljes së namazit.” (Muminun, 1-2)

Kur i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selam) u pyet për rrafshimin e dheut në sexhde, ai tha: “Mos e rrafsho dheun duke qenë në namaz! Nëse je i detyruar, atëherë të lejohet vetëm një herë, sa për të rrafshuar gurët.”

Dijetarët kanë përmendur se lëvizjet e shumta dhe të njëpasnjëshme në namaz pa nevojë e prishin namzin. E si do të jetë puna me ta që lëvizin shumë në namaz, duke qëndruar para Allahut, kur ndonjeri e shikon orën, tjetri i drejton rrobat, i fut gishtat në hundë, shikon djathtas-majtas apo nga qielli e nuk frikësohet fare se mund t’i ikë shikimi apo t’i vjedhë shejtani nga namazi i tij.

 

Muhamed Salih el Munexhid

Përktheu: Ali Shabani

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit