Në mesin e dukurive të tjera të përhapura të shirkut të madh janë edhe lejimi i gjërave të cilat i ka ndaluar Allahu subhanehu ue teala apo ndalimi i gjërave të cilat i ka lejuar Allahu subhanehu ue teala, besimi se edhe dikush tjetër përveç Allahut subhanehu ue teala posedon të drejtën e lejimit apo të ndalimit apo kërkimi nga ana e njerëzve që të gjykohen në gjykata apo me kanune (ligje) të xhahilijetit (kohës para Islamit). E, gjithë këtë duke e bërë me vetëdëshirë, kurse Allahu subhanehu ue teala e ka cekur se ky është kufër i madh, i cili e nxjerr njeriun prej Islamit. Allahu subhanehu ue teala thotë: “Ata i konsideruan “ahbarët” (priftërinjtë jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut…” (Et-Teube, 31)
Adij ibn Hatimi, kur e dëgjoi Pejgamberin alejhi selam duke e thënë këtë ajet, tha: “O i Dërguar i Allahut, ata nuk i adhuronin prijësit fetarë të tyre.” Pejgamberi alejhi selam i tha: “Gjithsesi, a nuk ju lejonin atyre atë çka ju ka ndaluar Allahu subhanehu ue teala dhe ata gjithashtu e merrnin si të lejuar dhe u ndalonin atë çka u ka lejuar Allahu subhanehu ue teala dhe ata e merrnin si të ndaluar? Ky është pra adhurimi i tyre ndaj prijësve fetarë të tyre.” (Bejhakiu në Sunen El Kubra 10/116, Tirmidhiu nr:3095, dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen, shih Gajetul Meram f.19.)
Allahu subhanehu ue teala i ka cilësuar mushrikët me këto cilësi: “Nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë…” (Et-Teube, 29), e po ashtu në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: “Më thoni atë që Allahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju lejoi Allahu ju ose ju i shpifni Allahut?” (Junus, 59)
Muhamed Salih El Munexhid
Përktheu: Eroll Nesimi
4.4.2008