10.4 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Larja dhe qefinosja e të vdekurit

Më të lexuarat

  1. Larja e të vdekurit musliman, qefinosja dhe varrosja është farz kifaje (obligim që nëse e vepron një pjesë, bie përgjegjësia nga pjesa tjetër e muslimanëve.), prandaj ai që i merr përsipër këto gjëra, duhet t`i bëjë me nijet të pastër në mënyrë që të marrë shpërblim nga Allahu i Madhëruar.
  2. Ndërsa për kafirin (jo muslimanin) nuk lejohet larja, qefinosja dhe as varrosja me muslimanët. Personi i cili ka marrë përsipër larjen e xhenazes e ka detyrë t`i zbatojë rregullat e larjes, qefinosjes, etj.
  3. Ai person të cilit i është besuar larja, e ka detyrë t`i mbajë të fshehta ato të meta që mund t`i shikojë tek kufoma.
  4. Ai që lan të vdekurin nuk duhet të lejojë askënd të prezantojë gjatë larjes bashkë me të, me përjashtim të ndonjërit që mund ta ndihmojë për të rrotulluar të vdekurin apo për t`i hedhur ujë.(ose për të mësuar ata që do të lajnë të vdekur)
  5. I autorizuari për larjen duhet të tregohet i butë dhe i respektueshëm dhe jo i ashpër e as i vrazhdë me trupin e të vdekurit kur t`i zhveshë rrobat e kur ta lajë atë.
  6. Nuk lejohet të lajë burri gruan dhe anasjelltas, bën përjashtim në rastet kur janë bashkëshortë, apo kur janë fëmijë nën moshën shtatë vjeçare (qoftë djalë apo vajzë).
  7. Është e pëlqyeshme për atë që ka larë të vdekurin, të lahet edhe vetë sikur lahet nga xhunubllëku (papastërtia e madhe) e nëse nuk lahet nuk merr gjynah.

Është uaxhib (detyrë) që të vdekurit t`i lahet i tërë trupi me ujë deri sa të pastrohet, por më mirë është të veprohet si më poshtë :

1. Të vendoset kufoma mbi diçka në të cilën do të lahet dhe të jetë pjesa e këmbëve më e ulët nga pjesa e krahëve.

2. T`i vendoset një copë nga kërthiza deri tek gjunjët, me qëllim që të mos i duket aureti (pjesa e turpshme) gjatë largimit të papastërtive.

3. T`i hiqen rrobat të vdekurit me butësi.

4. Ai që lan të vdekurin duhet të lidhë një copë leckë (apo dorashka) në dorën e tij me të cilën do të pastrojë auretin e kufomës, pastaj e heq copën pas pastrimit të auretit.

5. Të laget lecka me ujë e t`i lahen dhëmbët të vdekurit, si dhe t`i pastrohen vrimat e hundës.

6. Lahet fytyra e të vdekurit, dy duart deri në bërryla, koka, si dhe këmbët deri në zogth, duke filluar nga e djathta.

7. Nuk i futet ujë në gojë e as në hundë, sepse mjafton pastrimi i tyre me leckë.

8. I lahet i tërë trupi tre, pesë, shtatë apo edhe më shumë herë, sipas nevojës që mund të ketë trupi, derisa të pastrohet mirë, duke filluar nga e djathta.

9. Më e mira është që uji të përzihet me sidër ( lloj bime aromatike që shkumon) në mungesë të saj përdorim sapun ose shampo, sepse kjo e lan më mirë. E shkumojmë në fillim kokën, mjekrën e më pas pjesët e tjera të trupit.

10. Më e mira është që në larjen e fundit uji të përzihet me erë të mirë (parfum).

11. Nëse i vdekuri ka flokë, i rregullohen i krihen që të mos i rrinë të shpupuritura e nuk duhet t`i shkurtohen.

12. Nëse i vdekuri është grua i zgjidhen gërshetat nëse ka, e pasi t`i lahen flokët mirë, i bëhen gërsheta dhe i vendosen mbas shpine.

13. Nëse disa pjesë të trupit të të vdekurit, janë të veçuara, atëherë lahen dhe i bashkëngjiten.

14. Nëse i vdekuri është i djegur nga zjarri dhe nuk është e mundur larja e tij, atëherë i jepet tejemum (pastrim simbolik), sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Personi që e pastron të vdekurin i fërkon duart në tokë dhe me to pastaj i fërkon fytyrën dhe shuplakat e duarve të të vdekurit.

Uaxhib në qefinosjen e të vdekurit është mbulimi i tërë trupit më mbulesë (copë), por më mirë është të veprohet si më poshtë :

1.      Të qefinoset në tre copa të cilat të vendosen njëra mbi tjetrën. Vendoset i vdekuri në të (në qefin) dhe më pas mbështillet copa e sipërme, fillimisht nga krahu i djathtë dhe i vendoset të vdekurit mbi gjoks, pastaj  mbështillet nga krahu i majtë. Po në këtë mënyrë veprohet edhe me dy copat e tjera. Pastaj mbështillen të tri copat së bashku të dala mbi kokë dhe nën këmbë e më pas lidhen. Është mirë që copat e qefinit të lyhen me erë të mirë.

2.      Të lyhet i vdekuri me erë të mirë në fytyrë dhe në vendet e sexhdes.

3.      Nëse i vdekuri është grua atëherë ajo qefinoset me pesë copa:

·        Izari, i cili mbulon pjesën nga kërthiza deri tek gjunjët.

·        Këmisha, e cila është një copë me gjatësinë e trupit, paloset në dysh dhe i bëhet një prerje në mes të copës në mënyrë që në të të hyjë koka, e njëra pjesë e copës i hidhet sipër e tjetra i lëshohet pas shpine.

·        Khimari është një copë e cila i mbulon kraharorin dhe kokën, pjesa e dalë mbi kokë i lidhet.

·        Janë dhe dy copa të gjata, më të gjata se gjatësia e trupit, nga koka afro 40 cm dhe nga këmbët afro 30 cm, si dhe 5 rripa ose më shumë sipas nevojës në mënyrë që trupi të jetë i mbuluar mirë dhe të mos zbulohet ndonjë pjesë.

·        Edhe nëse gruaja qefinoset si burrat nuk ka problem.

4.      Kur i vdekuri të vendoset në varr i zgjidhen rripat e lidhura.

25.11.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit