Gjatë ditës kur besimtarët myslimanë kanë festuar Kurban Bajramin, në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi në të cilën thuhet se shihet përmendorja e Skënderbeut në Tiranë, e mbuluar.
Dhe çfarë bie në sy më tej, përcjell Telegrafi, është fakti se, siç thuhet “mbulimi i Skënderbeut është bërë nga komuniteti mysliman, me rastin e faljes së namazit të Bajramit”.
Viktimë e këtij pretendimi kanë rënë edhe disa media shqiptare, madje edhe përfaqësues të jetës politike dhe shoqërore shqiptare.
Por me gjasë, siç edhe mund të shihet në pamjet më poshtë, fotografia në fjalë nuk ka të bëjë me realitetin.
Së paku siç mund të shihet në pamjet e publikuara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, përmendorja e Skënderbeut nuk është mbuluar fare.
Ajo çfarë mund të shihet në pamje, pranë përmendores gjenden vetëm ekranë, të cilët assesi nuk mund të thuhet se kanë mbuluar përmendoren e Skënderbeut.