7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Kyçja policore e Et’hem Beut: ç’duhet bërë që marrëzia dhe xhambazllëku të vetëfrenohen…

Më të lexuarat

Shteti shqiptar ka shënuar së fundi një ndër aktet më të turpshme karshi qytetarëve të vet, për sa ekziston. Më saktë, Policia e Shtetit, nën pretendimin e masave të forta të sigurisë në kuadër të Samitit të komandantëve të NATO-s zhvilluar në Tiranë, ka urdhëruar mbylljen për një ditë të xhamisë së njohur të Et’hem Beut në qendër të Tiranës.
Janë shumë aspekte nga mund ta kapësh absurdin e këtij vendimi, ku veçohet statusi që gëzon kjo xhami, si dhe zgjidhja profesionale në emër të sigurisë, për “t’i vënë drynin” xhamisë. Et’hem Beu nuk është një objekt kulti dosido.
Monumentalizmi i saj shumëdimensional, i cili sfidon pothuajse gjithë asamblin arkitektonik të qendrës së kryeqytetit, përfshirë Pallatin sovjetik të Kulturës; Hotel Tiranën dhe Muzeun Historik, që të dy komunistë; duke garuar denjësisht me Bankën dhe ministritë italiane, e lënë pas gjithashtu për interes turistik edhe Katedralen gjigande Ortodokse, kjo xhami është vërtet një lule “mos më prek”.
Komunistët vërtet e mbyllën në kuadër të ndalim-besimit, por nuk guxuan t’i prekin qoftë dhe një petale, shenjë e dorëzimit përballë shenjtërisë së saj imponuese.
“E kemi me kimet…”, do shprehej madje dhe një personazh i Kinos së Enverit tek “Kapedani”. Por të gjitha këto, përfshirë dhe bindjen e proklamuar nëpër botë në raste autoreklame kombëtare për një paqe unike mes feve dhe nga fetë prej shtetarëve të sotëm shqiptarë, nuk ia ka vlejtur në rastin e marrjes së një vendimi, që siç duket nuk është vënë në asnjë peshore diskutimi dhe vlerësimi.
Të mbyllësh një xhami me kaq lehtësi, pa marrë në konsideratë asnjë sensitet njerëzor, vështirë të jetë thjesht një naivitet zyrtarësh tuafë. Një shtet i mençur, i ndjeshëm ndaj shtetasve të vet, inteligjent e dinjitoz, serioz po ashtu, nuk ka gjasë të bjerë në nivele të tilla ordinere.
Ky shtet, kjo polici, posedon një arsenal formash e mënyrash për të bërë të mundur sigurinë e jetës së ndokujt apo ndocave me rëndësi, ku operativiteti është baza e suksesit në raste të tilla, pa qenë nevoja të sillet me xhambazllëk që do e urrenin edhe ata për të cilët ajo ka ndërmarrë akte të tilla: ushtarakët e lartë të NATO-s.
Sepse pyetja më e thjeshtë është: ç’lidhje ka xhamia, çdo xhami xhanëm, e në rastin konkret ajo e Et’hem Beut, me një Samit të NATO-s? Ka lidhje, aq sa mund të kenë të gjitha firmat e veshjeve sportive tek Toptani Center dy hapa më larg, përfshirë dhe Akullore Mango-n pak më tutje, tek Ushtari i Panjohur.
Dhe sigurisht që asnjëra nga këta nuk është mbyllur për arsye sigurie.
Të bën përshtypje fakti që akti i mbylljes së Et’hem Beut vjen disa ditë pas një debati të nxehtë provokuar nga një “fake news”, budalla por dhe djallëzor, që sajoi një Skënderbe të mbuluar ditën e Kurban Bajramit.
Një furi linçimi verbal shpërtheu në rrjete sociale karshi komunitetit të besimtarëve myslimanë, ku nuk mungoi dhe ndonjë zyrtar shteti që kërkoi të binte therror për heroin, duke dalë zbuluar në një anë trashanike të personalitetit “të kënduar”, siç do e cilësonte veten.
Ishte një prej atentateve që po i bëhej fare haptazi harmonisë fetare si vlerë kombëtare, ndërsa merakliu i madh i saj, kryeministri Rama jo vetëm nuk ndërhyri, së paku me një deklaratë, meqë ishte dhe rasti më i artë për të denoncuar një produkt kazani, nga ta më përvëluesit për vendin, por zgjodhi të bëjë oponentin me batutë, të ca delirantëve mediatikë anti-Skënderbejanë, duke u treguar, veç një pa-burrë shteti, edhe një ashtu si ato të poshtëbarkut të kalit të heroit.
Nga ana tjetër duhet kujtuar së mbyllja e xhamisë së Et’hem Beut, vjen pak kohë pas ndalimit të një mase besimtarësh në prag të ndeshjes me Izraelin, ku disa prej tyre edhe u mbajtën në arrest. Më pas u dha versioni i një atentati të përgatitur ndaj skuadrës hebreje, gjë që për hir të së vërtetës askush nuk e beson.
Pas këtyre rasteve të paprecedenta, shqetësues është fakti se limitet janë të paqarta, se deri ku shkojnë ato nga ana e shtetit, kur merr të tilla veprime xhambaze.
Në rastin e parë, të ndaluarit duhet të kishin ngritur kolektivisht një padi ndaj organeve të policisë, që i mori për leckash nga jeta e tyre për t’i rrasur hajvanërisht dhe poshtërsisht në qeli; e në rastin e dytë, duhet të jetë KMSH-ja që t’i tregojë vendin dikasterit të Xhafaj-Çakos (flitet që është shpërfillur nga urdhëri policor pa u vënë në dijeni), së paku me një notë proteste. Duhet ta bëjnë, edhe për burrninë e tyre! Përndryshe, marrëzia dhe xhambazllëku nuk do kenë limit. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit