2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ky ishte Salahudini, udhëheqësi që pushtoi “kërthizën e botës” e nuk la pasuri as për t’u varrosur

Më të lexuarat

Salahudin Ayyubi, i njohur në Perëndim si Saladini, nuk ishte udhëheqësi tipik i shekullit të 12, kohë kur suksesi i udhëheqjes matej me thellësinë e gjakderdhjes.

Ai kujtohet nga historia si një udhëheqës i guximshëm dhe i shkëlqyer i këtij shekulli. Baza e tij e fortë që rridhte nga parimet morale e bënë atë të angazhuar për të fituar tokat që dikur të tjerët i ëndërronin.

Perandoria e tij, ajo Ejubide, shtrihej mbi Egjiptin dhe Sirinë, dhe falë aftësive të tij ai arriti të mbronte territore nga një rrezik shekullor.

Ai luajti një rol të rëndësishëm në stopimin e kryqëzatave, duke e rimarrë me sukses Jerusalemin, e duke shënuar emrin e tij në historinë Islame dhe perëndimore.

Salahudini lindi në vitin 1137 në Tikrit të Irakut dhe studioi për Kuran dhe Teologji, e më pas për astronomi, matematikë dhe ligj.

Ai u bashkua ushtrisë si djalë i ri dhe u stërviti nga xhaxhai i tij, Asad-al-Din Shirkoh, një komandant i dinastisë Zengide.

Performanca mbresëlënëse e Salahudinit në betejat e tij të hershme i mundësoi atij të merrte përgjegjësi udhëheqëse gjatë fushatave pushtuese.

Ai nisi të avanconte në pozitë derisa u bë ushtar i mbretit. Kaq mjaftoi që eprorët të nuhasnin taktikat e tij të mjeshtëruara dhe t’i ofrohenin poste.

Siria, në atë kohë, ishte qeverisur nga Zengidët, por kur sunduesi i saj vdiq papritur duke lënë një pasardhës të mitur, u hap rruga për Saladinin që të kapte Sirinë.

Gjatë mbretërimit të tij, Salahudini ndërtoi shumë shkolla, spitale dhe institucione në përpjekje për të ngritur sferën intelektuale dhe qytetare. Ai ishte betuar të sillte drejtësi, paqe dhe begati për ata që ishin brenda sundimit të tij.

Salahudini shpëton Jerusalemin nga kryqëzatat

Salahudini është i njohur për mospërfilljen e kryqtarëve dhe rimarrjen e Jerusalemit. Ai i mundi dhe i shkatërroi një numër të madh të tyre në betejën vendimtare të Hatinit, e cila u zhvilluar me 4 korrik 1187.

Rrugës për në Jerusalem, Saladini pushtoi pothuajse çdo qytet kryqtar. Pas një rrethimi të gjatë, Jerusalemi iu dorëzua në tetor të të njëjtit vit.

Përpjekjet e mëvonshme nga kryqtarët për të rifituar Jerusalemin dështuan, derisa më në fund u dorëzuan dhe u tërhoqën për në shtëpi.

Ndonëse dikush do të priste që Saladini të urrehej nga etnitë e tjera, ai u bë një nga figurat më të respektuara për shkak të bujarisë që shfaqte ndaj të krishterëve pavarësisht nga brutaliteti që muslimanët kishin kaluar në duart e krusandëve.

Kur të krishterët kishin marrë Jerusalemin gjatë kryqëzatës së parë, ata kryen krime dhe vrasje masive, duke krijuar banja gjaku nga banorët e qytetit të shenjtë.

Sipas kujtimeve të shkruara nga kronisti i kryqëzatave, Raymond Agiles, masakra ishte aq e gjerë saqë “gjaku mbërrinte deri në gjunjë”.

Kur Salahudini rimori Jerusalemin, të krishterët prisnin një sulm të ngjashëm. Sidoqoftë, Salahudini jo vetëm ua ndaloi ushtarëve të preknin të krishterët, por i trajtoi me ndershmëri, duke u lejuar atyre që dëshironin të largoheshin në paqe dhe atyre që dëshironin të qëndronin, të jetonin në harmoni. Me të vërtetë, ai ishte një shembull i gjallë i besimit tolerant, progresiv dhe gjithëpërfshirës.

Salahudini, një kavalier fisnik që nuk e përsëriti më historia

Sjellja tejet burrërore ndaj mbretit Richard I dhe respekti i ndërsjelltë që pasoi pavarësisht raportit të tyre luftarak, i dha Salahudinit një post tejet të rëndësishëm në histori.

Në udhëheqjen e tij, askush nuk ishte i përbuzur.

“Kur mbreti Richard I sëmuret në rrethimin e Akrit në vitin 1192, Salahudini jo vetëm që dërgon mjekun e tij personal për ta trajtuar, por i dërgon akull për ta mposhtur temperaturën, si dhe fruta shëruese.

Kur kali i Richard-it u vra gjatë betejës dhe mbreti anglez e gjen veten në këmbë duke u përballur me të gjithë ushtrinë muslimane, Salahudini e la të ecte pa e sulmuar.

“Njëherë, Saladini i dërgon dy breza të rinj në mënyrë që ai të mos ndjehej në disavantazh”, shkruan Michael Hamilton Morgan në librin “Histori e Humbur”.

Sipas historianit francez, Rene Grousset, “është e padiskutueshme se bujaria e Salahudinit, devotshmëria e tij, mungesa e fanatizmit, bujaria dhe mirësjellja, ishin model për shkruesit e kronikave të luftës, që ishin mësuar vetëm me tmerr dhe llahtar.

Salahudin Ayyubi vdiq në 1193 në moshën 56-vjeçare. Edhe pse ishte në krye të një perandorie të madhe që shtrihej nga Egjipti në Siri, ai vetë kishte shumë pak pasuri.

Në kohën e vdekjes së tij, prona dhe pasuria e tij përfshinin një kalë dhe para që nuk mjaftonin as për ta varrosur. Ai ia kishte kushtuar gjithë jetën e tij shërbimit të drejtësisë, duke shmangur madhështinë dhe shkëlqimin personal të cilin e preferonin sundimtarët. Ishte pikërisht kjo që e futi me nder në histori.

Përgatiti: Arbnora Avdiu-Hoxha – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit