0.1 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Ky ishte Imami Ebu Hanife!

Më të lexuarat

Imam Ebu Hanife

(Numan ibën Thabit)
Imami i umetit, dijetari i Irakut, ndër kokat e ymetit, juristi i pazëvendësueshëm, themeluesi i shkencës së fikhut, prijësi i medh-hebit Hanefij.
Quhet Numan ibën Thabit ibën Zutij et-tejmi, me prejardhje persiane.
Rrjedhë nga një familje e cila sipas mendimit më të saktë kishte prejardhje nga Kabuli (kryeqyteti i sotëm i Afganistanit) (thuhet pastaj të transferuar në Tirmidh, etj.) babai i tij kishte lindur në Islam kurse gjyshi ishte ai që e kish pranuar Islamin në kohën e hulefau rrashidinëve të cilët me ushtritë e tyre e kishin çliruar Afganistanin dhe paraardhësit e tij (Zuti) ishin nxënë robër e pastaj u liruan nga fisi Beni Tejmi ibën Thalebe.
Familja e tij ishin të njohur për tregtinë e tyre me shtof dyqani i të cilëve ishte në Dar Amër ibën Hurejth. Zanat ky të cilin e trashëgoi edhe ai vet dhe punoi në të tërë jetën e tij duke mos e mbyllur as pasi u bë nga radhët e dijetarëve të mëdhenj. Gjyshi i tij kishte shkuar së bashku me të tek Aliu, radijallahu anhu i cili ishte lutur për Ebu Hanifen që Allahu ta begatonte (dhe vërtetë e begatoi me gjënë më të mirë-diturinë)
Lindi në vitin 80 h. në kohën sa ishin akoma gjallë sahabët e vegjël i cili e kishte parë Enes in Malikun kur ky i fundit kishte shkuar në Kufe. Disa dijetarë përmendin edhe emra të sahabëve të tjerë që ai i kishte parë. Kurse dijetarët që mohojnë takimin e tij me këta sahabë kanë për qëllim se ai nuk kishte ndenjur, dëgjuar, mësuar prej tyre, realitet ky i vërtetë për të. Nga gjashtë dijetarët e librave bazë të hadithit prej tij transmeton vetëm Tirmidhiu dhe Nesaiu.
Mësuesat e tij ishin nga radhët e tabiinëve si Ata inën ebi Rebahu i cili njihet si hoxha më i madh dhe më i vlefshëm i tij, nga Shabiu, Adij ibën Thabit, Amër ibën Dinar, Nafi meula ibën Omer, Hamad ibën ebi Sulejmani e shumë të tjerë. Ai nga i cili pat marrë më së shumti dituri dhe ishte më i afërt me të, qëndroi më gjatë tek ai dhe të gjitha dijet e fikhut (jurisprudencës Islame) i morri nga ai, ishte Hamad ibën ebi Sulejmani.
Si fëmijë dallohej me zgjuarsi të pakrahasueshme e cila vërehej tek ai, kjo e shtyti që fillimisht si fëmijë ta mësojë Kuranin përmendësh e pastaj filloi të merrej me apokogjetikë (filozofi Islame) dhe që në moshë të re akoma pa i mbushur të njëzetat shkonte nëpër tubime dhe dialogje me njerëz dhe filozofë e ateistë të ndryshëm që e luftonin Islamin me dyshimet dhe filozofit e tyre. Përmendet se pa i mbushur njëzet vjet katër herë kishte shkuar në Basra për debate të tilla në të cilat ishin mbledhur mohuesit dhe armiqtë më të mëdhenj të Islamit të cilët i kishte lënë me gishta në gojë.
Një ditë e takoi në treg dijetari i asaj kohe Amir Shabiu dhe pasi e vërejti zgjuarsinë e tij e këshilloi që të merrte pjesë nëpër derse të hoxhallarëve e të largohej nga ato filozofi me të cilat merrej deri atëherë dhe t’i kthehej Librit të Allahut e Synetit të Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, për t’i mësuar, dhe vërtetë kjo këshillë ishte shkak që ai të niste rrugëtimin e tij rreth mësimeve të sakta dhe burimore të Islamit.
Morri dije nga të gjithë dijetarët e Kufes, pastaj edhe udhëtoi nëpër qendrat e tjera të dijes Islame si Mekë, Medinë, Basra etj. i cili u dallua në të gjitha shkencat Islame por kulmi dhe skaji i shkencave dhe problemeve të fikhut ishte kurora e dijeve të tij nga i cili u varën të gjithë dijetarët që erdhën pas tij.
Dituria e tij ishte shkak që të vijnë tek ai nxënës nga të katër anët e botës Islame dhe të ulen para këmbëve të tij që të mësojnë fikun. Ndër më të dalluarit ishin: Harixhe ibën Musab, Davud et-tai, Zufer ibën Hudhejli, Ibrahim ibën Tahman, Ebu Jusufi, Muhamedi dhe djali i tij Hamad ibën ebi Hanife.
Shkonte çdo ditë në derset e Hamadit tek i cili mësonte përmendësh çdo gjë e nesër kur ai kërkonte përsëritjen e mësimit të gjithë gabonin përveç Ebu Hanifes që nuk e harronte. Hamadi kur e pa zgjuarsinë e tij urdhëroi që ngjitur me të, të mos ulej asnjë nxënës përpos Ebu Hanifes kurse të tjerët të ulen të gjithë pas tij. Kështu në dersin e tij morri pjesë dhjetë vite pa u shkëputur asnjëherë. Pastaj, thotë Ebu Hanife, më mashtroi shejtani duke më shtytur të kem pozitë dhe kështu desha të kem edhe unë një ders timin e të largohem nga ai i Hamadit. Një ditë vendosa të ulem larg tij e të filloj dersin tim por kur shkova në xhami dhe e pashë atë, nga respekti që kisha, nuk munda ta bëj. Në mbrëmjen e asaj nate i erdhi lajmi Hamadit se një i afërt i tij në Basra kish vdekur i cili kishte lënë pasuri të cilën nuk kish ta trashëgonte pos Hamadit i cili edhe shkoi atje ta merrte. Para se të nisej më urdhëroi të ulesha në vendin e tij të dersit e ta zëvendësoja atë për ditët që ai do të mungonte. Thotë, pa u ulur mirë në vendin e tij veçse filluan të më vijnë pyetje të ndryshme rreth çështjeve të cilat kurrë nuk i kisha dëgjuar. Këto pyetje dhe përgjigjet që i jepja i shkruaja të gjitha, të cilat mu tubuan rreth gjashtëdhjetë mesele. Pas dy muajsh erdhi Hamadi i cili me të parë këto çështje, dyzet prej tyre mi miratoi e në njëzet tjera më kundërshtoi. Kështu e pashë veten se kam nevojë akoma për një mësues dhe vazhdova të mos i ndahem derisa vdiq.
Transmetohte nga Ebu Hanife se kishte parë në ëndërr kinse ai po e përpushte varrin e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, ëndërr kjo e cila e frikësoi shumë. E dikush në vend t tij e pyeti Muhamed Ibën Sirinin i cili e komentoi se ky njeri që e ka par këtë ëndërr do të kërkojë apo gjurmojë traditën dhe mësimet e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem.
Transmetohet nga Abdullah ibën Mubareku se ka thënë: “Sikur Allahu të mos më ndihmonte me dy njerëz (mësuesat e tij) do të isha njeri i rëndomtë sikur të gjithë të tjerët, ata janë: Ebu Hanife dhe Sufjan Theuriu”
Kasim ibën Mean thotë: “Njerëzit nuk janë ulur në asnjë ders më të dobishëm se ato të Ebu Hanifes”
Shafiu thotë: “Maliku u pyet: A e ke parë Ebu Hanifen? E ai tha: “Po e kam parë, ishte njeri i cili po të thoshte se kjo shtyllë e xhamisë është e arit do të sillte aq shumë fakte sa do të të bindte”
Esed ibën Amri thotë se Ebu Hanife e kishte falë namazin e sabahut me abdes të namazit të jacisë dyzet vite. Edhe pse ky lajm nuk duhet të merret në mënyrë bukfale por ai duhet kuptuar mirë, kuptimi i tij është se ai rrinte zgjuar tërë natën duke u falë ose duke lexuar. Jo se ai nuk kishte nevoja fiziologjike e të mos ketë prishur kurrë abdesin për asnjë natë përplot dyzet vite.
Ebu Hanife një ditë po kalonte rrugës dhe i dëgjoi dy vetë duke folur për të, njëri tha: Ky është Ebu Hanife i cili nuk fle natën por e kalon në adhurim. Thotë me të dëgjuar këtë fjalë thash në vete: “Vallahi nuk do t’i lë njerëzit të flasin për mua atë që nuk është e vërtetë. Kështu filloi që atëherë të falet, të lutet dhe të bëjë adhurime të tjera tërë natën.
Përveç vetive të tij shpirtërore si ajo e devotshmërisë, mirësjelljes, kujdesit ndaj të tjerëve e sidomos jetimëve e të varfërve ai dallohej edhe me vetitë e tij trupore si bukurinë në fytyrë, njeri i bardhë që anonte kah e kuqja, buzëqeshjen e ëmbël, njeri i mbushur në trup, ishte i pastër, rrobat i mbante të pastërta, i vinte era parfum. Përmendet se mbante xhybe të shtrenjtë çmimi i së cilës arrinte tridhjetë dinarë (lira të arit). Kishte fjalorë të pastër, argumente të qarta, dinte ta shpjegonte mirë atë që e kishte në mendje, fliste rrallë e më shumë dëgjonte, fjalët e të cilit ishin ose mësime e këshilla ose përgjigje për ndonjë pyetje.
Kishte zakon sa herë që shpenzonte para për familjen e tij po aq të holla ju jepte sadaka edhe fukarenjve.
Përmendet se kishte shkuar në haxh më shumë se pesëdhjetë herë. Kurse haxhin e parë e kishte bërë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare me babanë e tij.
Lexonte shumë Kuran, si në namaz ashtu edhe jashtë tij, ceket nga nxënësi i tij Ebu Jusufi se ai e bënte hatme Kuranin në një reqat, ndërsa thuhet se gjatë tërë jetës së tij e kishte lexuar atë plot shtatë mijë herë.
Një njeri i patë thënë duke e këshilluar: Frikësoju Allahut. Ebu Hanife me të dëgjuar këtë fjalë u zverdh nga frika dhe i tha atij njeriu: “Allahu të shpërbleftë, sa shumë kanë nevojë njerëzit për këso këshilla”
Ishte njeri i urtë dhe largpamës sa kërkoi prej tij udhëheqësi i shtetit (Mensuri) që të bëhej kadi (gjykatës i shtetit) post ky të cilin Ebu Hanife e refuzoi nga frika prej Allahut se mos bënte padrejtësi ndaj dikujt.
Ishte pasues i synetit të Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, gjë që e dëshmojnë edhe fjalët e tij:
Ai thoshte: “Allahu e mallkoftë Omer ibën Ubejdin sepse ai ishte i pari që e shpifi rrugën e fjalëve-filozofisë (në çështjet fetare) e cila nuk bën dobi”
Nuh Xhamië transmeton se i ka thënë Ebu Hanifes: “Çfarë thua për fjalët e njerëzve që i kanë shpikur me të cilat përmendin nderin dhe trupin e tjetrit? Ndërsa Ebu Hanife i tha: “Shprehje filozofësh. Ti pasoje argumentin dhe rrugën e selefit (të parëve të mirë) dhe ke kujdes nga çdo shpikje sepse të gjitha ato janë bidate”
“Çdo gjë që vjen nga i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, atë e vëmë mbi kokat dhe sytë tanë (e pasojmë dhe e vlerësojmë më shumë se kokën dhe sytë) ndërsa gjërat që vijnë nga shokët e tij i zgjedhim më të mirat”
“Nëse vërtetohet një hadith si i saktë atëherë ai hadith është medhhebi (bindja) ime”
“Askujt nuk i lejohet ta marrë fjalën tonë (për bazë dhe të punojë me të) derisa nuk e di nga e kemi marrë atë fjalë (si kemi arritur deri tek ai rezultat)”
“Haram është për çdo kë që ta pasojë fjalën time derisa nuk e di argumentin tim nga e kam marrë atë fjalë, kjo për shkak se ne jemi njerëz, sot themi një fjalë të cilën ndoshta nesër e kundërshtojmë vet”
“Nëse them ndonjë fjalë e cila e kundërshton Librin e Allahut apo fjalët e të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, atëherë lëne atë fjalë time”
Pasi nuk e pranoi detyrën e gjykatësit halifja urdhëroi burgimin e tij në të cilin qëndroi disa kohë derisa u sëmur. Përmendet se ai vdiq në burg kurse në një transmetim thuhet se e nxorën nga burgu e pas gjashtë ditësh vdiq.
Vdiq njeriu i cili e themeloi dhe e rregulloi shkencë e fikhut pas të cilit kush vie është i nevojshëm për mësimet e tij ashtu si përmend edhe vet imam Shafiu.
Vdiq i sëmurë në vitin 150 h. në moshën shtatëdhjetë vjeçare.
Pas vete e la djalin e vet të cilin e kishte emëruar me emrin e mësuesit të vet që e donte aq shumë Hamad ibën ebi Hanifen i cili ishte nga radhët e dijetarëve edhe pse nuk ishte nxënësi më i dalluar i tij por prapë mbetet ndër më të mëdhenjtë. Kur i vdiq babai atij i mbetën në shtëpi shumë pasuri dhe mall të cilin njerëzit e kishin lënë tek Ebu Hanife për ta ruajtur. Mirëpo problemi ishte se shumica e këtyre njerëzve nuk ishin në shtëpi por nëpër udhëtime të ndryshme. Hamadi menjëherë i mori ato pasuri dhe i dërgoi tek kadiu që ai t’i mbante, por ky i fundit refuzoi pranimin e tyre e pastaj kërkoi nga kadiu që t’i kontrollonte të gjitha dhe ta dinte shumën e sasinë e tyre që kur të ktheheshin pronarët e vet të mos kishin probleme për asgjë rreth tyre, si mungesë e sasisë ose të ngjashme.
Hamadi nuk jetoi shumë pas babait të tij, ai vdiq gjashtë vite pas Ebu Hanifes pra në vitin 176 h. i cili e la pas vete djalin e tij imam Ismail ibën Hamad ibën Ebi Hanife.
Allahu i mëshiroftë të gjithë!
Lulzim MEHMET Susuri
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit