Kur studentët studiojnë ekonominë, ata mësojnë herët që Adam Smith është “babai i ekonomisë moderne”. Kjo ide është një nga faktet më themelore të ekonomisë perëndimore – por është diçka që ka lindur dyshime tek disa ekonomistë.
Një artikull i fundit në “evonomi” nxjerr në pah punën e lënë pas dore të studiuesit të Shekullit 14 nga Afrika e Veriut, Ibn Khaldun, i cili përshkruajti ide jashtëzakonisht të ngjashme me ato të Adam Smithit gati 400 vite më parë.
Smith njihet, pjesërisht, për shkrimet e tij për ndarjen e punës. Ai dha shembullin e një fabrike të gjilpërave dhe tregoi sesi nëse puna ndahej midis shumë individëve që bënin një detyrë të vetme në mënyrë të përsëritur, shumë më tepër do të prodhohej sesa nëse çdo individ do të përpiqej të ndërtonte vetë një gjilpërë të tërë.
Mendimi Khaldunian mund të jetë lehtësisht i njohur për ekonomistët e sotëm» shkruan Dániel Oláh në evonomi. Ai shprehet se ndarja e punës shërben si bazë për çdo shoqëri të qytetëruar dhe identifikon ndarjen e punës jo vetëm në nivelin e fabrikës, por edhe në një kontekst shoqëror dhe ndërkombëtar gjithashtu.
Për ata që janë të njohur me punën e Khaldun, ndikimi i tij është i qartë. Ibrahim Oweiss, profesor i ekonomisë në Universitetin Georgetown, vëren se Khaldun vendosi studimin e shkencës së civilizimit. “Kontributet e tij të rëndësishme në ekonomi, megjithatë, duhet ta vendosin atë në historinë e mendimit ekonomik si një pararendës kryesor, nëse jo “babai” i ekonomisë, një titull që i është dhënë Adam Smithit, veprat e shkëlqyera të të cilit u botuan rreth tre njëqind e shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së Ibn Khaldun,” shkruan Oweiss. “Jo vetëm që Ibn Khaldun nxiti diskutimet e para të ekonomisë klasike, qoftë për prodhim, furnizim ose kosto, por ai gjithashtu filloi të analizonte konsumin, kërkesën dhe utilitetin, gurthemelet e teorisë moderne të ekonomisë.”
James Bartkus, profesor biznesi në Universitetin Xavier të Luizianës dhe Kabir Hassan, profesor financiar në Universitetin e New Orleans, gjithashtu analizuan ngjashmëritë midis Khaldun dhe Smith-it në një postim në blog me këtë temë. Ata tregojne se, në veprën e tij të vitit 1377, Al-Muqaddimah, Khaldun tregoi se ndarja e punës është një kusht i domosdoshëm i mbijetesës duke demonstruar detyra të ndryshme që duhet të kryhen për të mbledhur ushqimin bazë. Khaldun shkroi:
“Është përtej fuqisë së një njeriu të vetëm që të bëjë gjithçka, ose (madje) një pjesë të saj fare i vetëm. Kështu që, ai nuk mund të bëjë pa një kombinim të shumë fuqive nga bashkëqytetarët e tij, nëse dëshiron të marrë ushqimin për vete dhe për të tjerët. Përmes bashkëpunimit, nevojat e një numri personash, shumë herë më të mëdha se numri i tyre, mund të plotësohen.”
Sipas mendimit të Khaldun, një bashkëpunim i tillë është i nevojshëm për mbijetesë dhe, nga mallrat e tepërta që vijnë nga bashkëpunimi efektiv, punëtorët mund të bëjnë tregti me banorët e qytetit të huaj. Vite më vonë, Smith gjithashtu shkroi se bashkëpunimi mund të çojë në tregti ndërkombëtare.
Bartkus dhe Hassan gjithashtu vërejnë se të dy Khaldun dhe Smith treguan se puna më shumë se ari dhe argjendi, janë burimi kryesor i pasurisë së një kombi.
Khaldun parashtron argumentin e tij si vijon:
“Njerëzit e thjeshtë që i dëgjojnë ata mendojnë se prosperiteti i këtyre popujve është rezultat i sasisë më të madhe të pronave në pronësi të tyre, ose të ekzistencës së minierave të arit dhe argjendit në vendin e tyre në një numër më të madh (sesa gjetkë) … Një civilizim i madh jep fitime të mëdha për shkak të sasisë së madhe të punës (në dispozicion), e cila është shkaku i (fitimit) (4: 280-281). “
Ndërsa Smith shprehet:
“Nuk ishte nga ari ose nga argjendi, por nga puna, që e gjithë pasuria e botës u ble fillimisht; dhe vlera e saj, për ata që e posedojnë atë, dhe që duan ta shkëmbejnë atë për disa prodhime të reja, është saktësisht e barabartë me sasinë e punës që mund t’u mundësojë atyre të blejnë ose komandojnë.”
Shkrimi i Khaldun ishte jashtëzakonisht i dendur dhe i pasur, dhe gjithashtu hulumtoi ofertën dhe kërkesën, se si ndikon rritja e popullsisë në ekonomi, dhe teorinë e taksave – të gjitha ide që u mendua se janë të reja kur ekonomistët perëndimorë i analizuan disa shekuj më vonë.
Megjithëse nuk dihet nëse Smith e lexoi Khaldun-in, sigurisht që është diçka e mundshme sipas Oweiss. Ekonomisti skocez mund të ketë hasur në idetë e Khaldun në Glasgow ose Oxford Univeristy – edhe nëse nuk e dëgjonte direkt emrin e tij. “Që nga kryqëzatat, që zgjatën nga shekulli i njëmbëdhjetë deri në shekullin e trembëdhjetë, shumica e filozofëve perëndimorë u përpoqën të zvogëlonin ndikimin e studiuesve muslimanë përmes një vargu mënyrash, të cilat përfshinin përdorimin e ideve muslimane pa përmendur emrin e një autori musliman,” shkruan Oweiss.
Dhe kështu, puna e Khaldun-it u harrua kryesisht në perëndim. Sigurisht, në disa mënyra, dhënia e epitetit babai i ekonomisë është arbitrar; ka pasur disa diskutime themelore të ideve ekonomike nga Platoni më shumë se 2,400 vjet më parë. Adam Smith është padyshim ekonomist i madh në veprat e të cilit është bazuar teoria ekonomike moderne. Por thellësia dhe nuanca e ideve të Khaldun-it është e habitshme. “Mbetet fakti se veprat e tij janë shkrimet e para origjinale të ekonomisë klasike dhe madje edhe teorisë moderne të ekonomisë,” shkruan Oweiss. /QUARTZ/ Përkthyer nga BE/