2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kuvendi të martën në seancë të jashtëzakonshme për kufirin

Më të lexuarat

Bazuar në kërkesën e opozitës, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka thirrur për të martën seancën e jashtëzakonshme për procesin e dialogut me Serbinë.

Debati parlamentar është thirrur në lidhje me siç thuhet “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë tha se qëndrimet e tij politike rreth kësaj çështjeje do t’i bëj publike gjatë seancës të së martës.

“Proceduralisht, kemi vepruar në bazë të një kërkese të deputetëve. Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër me një pikë të rendit të ditës. Sa i përket komenteve politike, do t’i themi nesër ato për arsye se e kemi seancën”, u shpreh Veseli.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se pret që në seancën e së martës të ketë mbështetjen edhe të partive të koalicionit për të kaluar rezolutën për dialogun.

“Unë pres që nesër mbështetja për këtë rezolutë të planifikuar për t’u aprovuar të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, të opozitës dhe koalicionit qeverisës sepse është në të mirë të qytetarëve të vendit”.

“Është informatë e mirë dhe qëndrim i mirë që u dërgohet miqve tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar të vijmë deri në këtë pikë, që vullneti i qytetarëve të shprehet përmes deputetëve të Kuvendit. Mbi të gjitha, është sinjal i qartë për presidentin e vendit se ai duhet të ndalet me veprimet e tij anti-kushtetuese”, u shpreh Hoti.

Hoti foli edhe për komentet e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës të cilët e kanë quajtur absurde thirrjen e kësaj seance. Sipas Hotit, PDK-së “i ka humbur rruga në oborr”.

“Mendoj se PDK-së i ka humbur rruga në oborr. Absurde janë veprimet e presidentit tash e një kohë për të diskutuar për tërësinë territoriale të Kosovës. I ftoj ata që të bëhen bashkë me deputetët tjerë për të aprovuar këtë rezolutë në Kuvendin e Kosovës dhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këto biseda”, tha Hoti, duke shtuar se pret edhe mbështetjen e Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për rezolutën për dialogun.

Partia Socialdemokrate, sipas shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Dardan Sejdiu ka kohë që kërkon një seancë për dialogun.

Sipas tij, në procesin e negociatave me Serbinë, që mbahen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë dy elemente problematike.

“E para është presidenti (Hashim Thaçi) i këtij vendi i cili jashtë kompetencave të tij po vazhdon me aventura sa i përket organizimit të kësaj republike. Dhe e dyta ka të bëjë me faktin se kjo po ndodhë jashtë Kuvendit. Dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit. Ne jemi që të kemi një seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje. Besoj që rezoluta që do të prezantohet nesër do të ketë mjaftueshëm vota që të kalojë”, tha Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq do të zhvillojnë raundin e ri të bisedimeve më 7 shtator. Të dy presidentët, kohët e fundit kanë folur për mundësinë e korrigjimit e kufirt mes dy shteteve, e cila, sipas presidentit Thaçi, mund të jetë pjesë e marrëveshjes eventuale të paqes mes Prishtinës dhe Beogradit.

Thaçi është zotuar se në dialog do të flasë edhe për mundësinë e bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian pret që në fund të këtij procesi të dyja shtetet të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, ua hap perspektivën evropiane të dyja shteteve./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit