Këto ditë janë ngritur mjaftë debate lidhur me zhvillimet nëBIK e sidomos lidhur me shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit Xhabir Hamiti. Si besimtar i thjeshtë, ashtu si shumë të tjerëve, debatet rreth çështjeve fetare (gjë që vërehet nëpër komente te lexuesve) edhe mua më nxisin kureshtje për t’i lexuar me më shumë vëmendje. Duke Ju falënderuar prindërve të mi dhe prindërve të tyre kam përfituar njohuri bazike për fenë time. Pra, për Fenë Islame. Në anën tjetër, meqë studimet i kam përfunduar rreth viteve të 90-ta nuk kam mundur të mos i përcjell rrethanat e kohës.
I përmenda vitet e 90-ta pikërisht për shkak të përsëritjes së ngjarjeve të njëjta. Ngjarjeve të njëjta me protagonistë të ndryshëm.
E si mos te janë përsëritje zhvillimet në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës me zhvillimet e fundit ne Kuvendin e BIK-ut.
Në njërën anë, duke qenë i vetëdijshëm që krahasimi është shumë i rëndë,ndërsa në anën tjetër nuk është hera e parë që ky dhe disa të tjerë rreth tij i shkaktojnë dëme jo vetëm shpirtërore qytetarëve të këtij vendi përmes interpretimeve fetare sipas qejfeve të qarqeve te caktuara antishqiptare dhe antiislame qofshin të brendshme apo të jashtme. Dhe nëse dikujt i duket e tepruar kjo që po e them atëherë shikoni ngjashmëritë paradoksale:
1. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit te Kosovës (KSAK-ut, që as emrin s`po mundem t’ia përmendi) në mbledhjen e mbajtur ne fund të qershorit të vitit 1990 nuk i lejon delegatët shqiptarë, që ishin shumicë, të fusin në rend të ditës Propozimin për ndryshime Kushtetuese,
2. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, e shpall mbledhjen të përfunduar, pa pëlqimin e delegatëve shumicë,
3. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit te Kosovës, kishte ftuar policinë për t’u bërë presion delegatëve shumicë,
4. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit te Kosovës, kishte lëshuar mbledhjen,
5. Delegatët shumicë kishin mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe kishin mbajtur Mbledhjen e Jashtëzakonshme pa prezencën e Kryetarit, duke shpallur Deklaratën e njohur si ”Deklarata e 2 Korrikut”
Ju lutem a nuk ndodhën që të gjitha këto në rastin e shkarkimit të Xhabir Hamitit?
Pa dyshim se po. Në njërën anë Kryetari i Kuvendit të BIK-ut nuk lejon ndryshimin e rendit të ditës të cilin e paska kërkuar shumica e anëtarëve të Kuvendit të BIK-ut.
Kryetari i Kuvendit të BIK-ut e fton policinë!!! (Kundër kujt? Kundër Prijësve Fetar Islam, pjesë e të cilëve ishte edhe vetë deri në atë ditë).
Kryetari i Kuvendit të BIK-ut e lëshon Mbledhjen dhe mendoj në mënyre meritore shkarkohet përmes votës së shumicës së anëtarëve te Kuvendit nga pozita që mbante (nga 30 anëtar sa paska Kuvendi i BIK-ut 23 paskan votuar “për”.
Edhe atëherë edhe tashti fjala është për ndryshime demokratike që i kërkon shumica. Parashtrohet pyetja pse mos te bëhen këto ndryshime, nëse janë të nevojshme, pa hyre unë në vlerësimin e performancës së Prijësve Fetar Islam, por duke mos e fshehur sidomos gëzimin për Xhaminë Qendrore gur themeli i së cilës u vu pikërisht në vigjilje të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.
Në ecurinë normale të kohës gjithçka në rregull dhe nuk do të duhej as unë t`i qasem opinionit me këtë shkrim. BIK-u e bënë punën e vet dhe nuk do të duhej të përzihej as politika as mediat e caktuara, normalisht përveç mbulueshmërisë së ngjarjeve. Më i habitur mbetem me reagimin e KMLDNJ-së, ndërsa duke mos u habitur me disa gazetar e të ashtuquajtur analist të cilët vet i dezinformojnë qarqet e jashtme të caktuara, dhe më vonë të njëjtit i citojnë për konsum të brendshëm!
Të gjitha këto, mendoj se kanë sqarime. Sqarimet mendoj se gjenden kur të merren parasysh një mori faktorësh. Tanimë botërisht dihet se ingranazhet sllavo ortodokse serbo-greko-ruse, përmes qarqeve antiislame gjithnjë kujdesën që në Kombin tonë të nxisin si përçarje dhe intolerancë fetare e ndërfetare ashtu edhe përçarje nga më të ndryshmet përmes metodës së “dysisë”. Si është kjo metodë? Shumë e thjeshtë:Feja a Kombi?I djathte a i majte? Fshat a qytet? Vendas a i ardhur? Paqësor a me lufte? Praktikues a veç mysliman? Tradicional a …? Këso lloj pyetjesh mund të vazhdohen në varësi prej oratorisë.
Në një rast, në Korrik të viti 1999 në një Këshill Komunal në Kosovë, ish Kryetarit te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndjerit Pjetër Arbnori, kur u fol për “të djathtën” apo “të majtën”, iu patë thënë shumë thjesht: ne në Kosovë nuk shikuam a me grusht të djathtë a të majtë, por më dyja duart i mëshuam armikut aq sa mundëm. Kështu besoj që do të jemi të bashkuar në rast nevoje kundër armiqve të lartpërmendur.
Tashti t’i kthehem protagonistit të këtij shkrimi Xhabir Hamiti?
Ai përmes kandidaturës për deputet të Kuvendit të Kosovës si delegat i partisë “ORA” dhe paraqitjeve tija në media, personalisht mendoj, që ka rënë këmbë e krye ne ingranazhet e lartpërmendura. Shumë lutem që kjo të jetë bërë pa vetëdije. Fundja njerëz jemi dhe të gjithë mund të gabojmë.
Si mund të jetë ndryshe kur njeriu që e njeh fenë shumë ma mire se unë të thërret në “Islam Tradicional sipas të parëve tanë”!
Nëse thirret kështu atëherë parashtrohen një varg pyetjesh:
p.sh. Në traditat e cilës anë thërret, a në tradita të Kaçanikut, a të Opojës, a të Malësisë së Madhe, a të Malësisë së Bujanocit, a të Prevezës, a të Rahovecit, a të Bajgores, a të Tropojës. Në traditat e bujqve, barinjve, studentëve, mësuesve, mjekëve apo minatorëve. Pastaj, në traditat e cilës kohë: A në traditat e para vitit 1924, a të pas Luftës së Dytë Botërore, a të kohës së Komunizmit, a të kohës moderne?!
Kjo me të vërtetë ka krijuar një pështjellim,konfuzion dhe luhatje nga më të ndryshmet te qytetarët e vendit tonë të cilët duhet pranuar se kanë njohuri shumë solide rreth fesë së tyre, dhe ka krijuar një averzion ndaj qytetarëve në rast se ata kanë dukje Islame,pavarësisht gjinisë.
Sa i përket traditave tona Kombëtare të mira, jam shumë kategorik se ne nuk kemi nevojë absolutisht për tradita të popujve tjerë. Ndërsa sa i përket Fesë Islame është vetëm Një traditë. Ajo është Tradita Universale e Muhamedit Paqja dhe Mëshira e Allahut qoftë mbi te. Këtë shumë më mire se unë e di edhe Xhabir Hamiti.
Nga Milaim Sylejmani