09 Tetor 2011
Shkruan: Faik Miftari
Me datë 30 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës solli aktvendimin për papranueshmëri në rastin nr. KI36/11 të parashtrueses Arjeta Halimi për vlerësimin e kushtetutshmërisë për mos-përmbarimit të pretenduar të Aktgjykimit CN Nr. 24/09 të datës 17 nëntor 2009 të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit dhe shkeljes së pretenduar të drejtave të njeriut të parashtresës së kërkesës.
Parashtruesja e kërkesës ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë të mos-përmbarimit të Aktgjykimit CN. Nr. 24/09, të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit të 17 nëntorit 2009. Me atë aktgjykim padia e parashtrueses së kërkesës ishte miratuar dhe i padituri, pra Drejtoria Komunale për Arsim e Vitisë, ishte obliguar “t’ia njohe paditësit (pra parashtrueses se kërkesës) të gjitha të drejtat që burojnë nga statusi i nxënëses së rregullt në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti”.
Përmes kërkesës së saj, parashtruesja e kërkesës kërkon të sigurojë që aktgjykimin e lartcekur, të nxjerrë nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, do ta për-mbarojë Drejtoria Komunale e Arsimit ne Viti. Parashtruesja e kërkesës pretendon se mos-përmbarimi i Aktgjykimit CN. nr. 24/09, te 17 nëntorit 2009 te Gjykatës se Qarkut ne Gjilan, asaj ia mohon te drejtën e arsimimit e cila garantohet me të gjitha aktet vendore dhe ndërkombëtare.
Në vend se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të duhej të sillet konform Kushtetutës së Kosovës, pasi që në nenin 113.al.7 e Kushtetutës së Kosovës decidivisht shkruan:” Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj” si dhe në bazë të nenit 20 dhe 47 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Kosovë si dhe nenit 36 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, apriori ka dashtë të refuzojë lëndën për shqyrtim, pasi që nuk janë shterur të gjitha mjetet e përcaktuara me ligj, fare pa hyrë në shqyrtimin e lëndës, me ç’rast ka bërë shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Me këtë veprim të saj ajo i ka hyrë shqyrtimit të lëndës së parashtruar dhe ka sjell Aktgjykim i cili vetvetiu është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës si dhe Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në të cilin thirret, pasi që këto nuk i japin të drejtë fare të shqyrtojë kërkesën e cila nuk i ka plotësuar kriteret e parapara për shqyrtim.
Me aktvendimin e saj ajo ka hedhë poshtë kërkesën e parashtrueses, edhe pse nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike, dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka pas të drejtë as të hyjë as në komentimin e bazueshmërisë së kërkesës e sidomos duke cituar vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtave Njerëzore (GJEDNJ).
Me këtë veprim të saj qytetarët e Kosovës kanë humb edhe më tej besimin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, sepse në vend se të veprojë dhe gjykojë konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saja, ajo bie vendime dhe aktgjykime të njëanshme dhe bie pre e politikave aktuale ditore të Kosovës.
Prej aktgjykimit të saj shihet se nuk është kërkuar interpretimi i Kushtetutës apo përputhshmëria e ligjeve të caktuara me Kushtetutë, e të cilën drejtë kanë të parashtrojnë vetëm Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Avokati i Popullit , por se është kërkuar interpretimi i mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Viti. E dihet se kërkesën për vlefshmërinë apo interpretimin e një ligji apo vendimi nuk ka të drejtë të iniciojë individi apo personi, me ç’rast bëhet shkelje evidente e Kushtetutës së Kosovës.
Nëqoftëse se parashtruesja e kërkesës kërkon interpretimin e ekzekutimit të Aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit, në të cilin ka vendosur që Arjeta Halimi ka të drejtën e shkollimit dhe se Drejtoria Komunale e Arsimit të Vitisë ka qenë e obliguar që të lejojë të vazhdojë shkollimin në gjimnaz, ndërsa aktgjykimi nuk është ekzekutuar sipas procedurës së paraparë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë vendimi do të merrte Gjykata Kushtetuese e Kosovës për realizimin e të drejtës së shkollimit të obliguar sipas Kushtetutës së Kosovës dhe të gjitha konventave ndërkombëtare për garantimin dhe mundësimin e shkollimit obligativ. Kontesti nuk ka qenë çështja e shamisë, si një e drejtë e garantuar njerëzore për lirinë e stilit të veshjes pa marrë parasysh bindjet politike, kulturore, tradicionale, fetare, por se humbja e drejtës së shkollimit të obliguar.
Në asnjë vend në botë, bile as në shtetet jodemokratike, Gjykata Kushtetuese nuk do të kishte mund të bijë një vendim të tillë të interpretimit i cili do të ndalonte një të miture të humb të drejtën e shkollimit të obliguar për shkak të bindjeve të saja apo stilit të veshjes e që paraqet shkelje drastike e të drejtave dhe lirive njerëzore.
Në fund, sa i përket interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të drejtat dhe liritë themelore në pajtim me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat Njerëzore(GJEDNJ), saktësisht aktgjykimin Nr.27085/05 e datës 4 dhjetor 2008, që është nonsens i llojit të vet për krahasim, do të ndalem në një qasje të veçantë ditëve në vijim.