Operacioni për fshehjen e kufomave “Thellësia” do të mbetej sekret shtetëror i Serbisë sikur kamioni frigorifer me trupat e shqiptarëve nuk do të dilte përmbi ujë.
Më 4 prill 1999, një kamion frigorifer që i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni i ra në sy një peshkatari serb që lundronte nëpër lumin Danub në territorin e Serbisë.
Shumë shpejt u kuptua nga policia lokale se brenda në kamion ishin 86 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në Kosovë në vitin 1999.
Ata ishin hedhur në Danub në përpjekjen për të mbuluar krimin e kryer në disa fshatra të Pejës nga grupi paramilitar “Çakallët”.
Kështu fillon dokumentari më i ri i BIRN-it i quajtur “Të paidentifikuarit” i cili do të shfaqet premierë sot në Prishtinë, pak ditë pasi ishte shfaqur në Beograd.
Në dokumentar flasin disa nga të mbijetuarit e masakrës së kryer në Qyshk, Lubeniq, Pavlan dhe Zahaq nga paramilitarët famëkeqë “Çakallët”, të udhëhequr nga Nebojsha Miniq.
Mejreme Hamza nga Lubeniqi, e cila ka të vrarë nëntë anëtarë të familjes, kujton momentin kur paramilitarët e ndanë atë nga burri i saj.
“E kam kthyer kryet për ta parë burrin dhe këtë ende nuk mund ta paramendoj. Ai ma ka bërë me dorë duke më thënë ‘ec, m’i shpëto fëmijët se vetë nuk kam shpëtim’”, kujton ajo.
Gratë dhe fëmijët dëbohen për në Shqipëri. Meshkujt më të vjetër se 16 vjeç i futën në tri shtëpi. Kur ata u kthyen në shtëpi pas përfundimit të luftës, trupat e të vrarëve nuk gjendeshin në fshat.
“Ishte një tmerr i madh”, rrëfehet Zoran Rashkoviq në dokumentar, ish-anëtar i “Çakallëve” i cili kthehet si dëshmitar bashkëpunues për prokurorinë serbe.
Ai thotë se burrat e ndaluar i mashtruan duke u thënë se do të vijë policia për t’i identifikuar dhe u ekzekutuan rreth 15 vetë në njërën shtëpi.
“Njëri nga ne ka parë se njëri është ende gjallë dhe i gjuajti në kokë duke thënë se nuk dua të lë asnjë të gjallë për t’u treguar shqiptarëve për këtë”, tha Rashkoviq.
Shefi i tij, Miniq kishte nofkën “Mrtvi” apo “I Vdekuri” ishte komandant i Skuadrës 177 të Ndërhyrjes së Ushtrisë Jugosllave, nëntë prej ish-anëtarëve të së cilës u shpallën fajtorë në shkurt të vitit 2014 për vrasjen e mbi 100 civilëve shqiptarë në prill dhe maj të vitit 1999.
Megjithatë, në fund të marsit të këtij viti, vendimi u anulua dhe çështja u dërgua për rigjykim.
Trupat e 118 shqiptarëve ose janë djegur ose janë larguar nga vendi i krimit dhe disa prej tyre më vonë janë gjetur në varreza masive në qendrën trajnuese të policisë në Batajnicë afër Beogradit në vitin 2001.
Përveç emrave të kriminelëve që morën pjesë direkt në vrasje, dokumentari “Të paidentifikuarit” shpalos edhe emra të tjerë të zyrtarëve të lartë të Serbisë që dhanë urdhra për largimin e kufomave shqiptare nga Kosova në Serbi.
Dy ditë pas zbulimit të kamionit frigorifer në Danub, një shef i lartë policie në qytetin e Borit, Çaslav Golluboviq i telefonoi kreut të Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme Serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili e urdhëroi atë t’ia mbante të fshehtë këtë incident publikut dhe t’i dërgonte trupat në Beograd.
Operacioni sekret shtetëror filloi. Trupat filluan të largoheshin nga aty dhe kamioni u çua në Beograd herët në mëngjes.
“Ata po vepronin nën urdhrat e Ministrisë së Brendshme Serbe – sepse asgjë s’mund të bëhej pa Ministrinë e Brendshme”, thotë Millan Stevanoviq, shefi i Departamentit të Krimit të Policisë në Klladovë.
Ditën e nesërme një tjetër kamion u ngarkua me “53 trupa si edhe tri koka të prera nga trupat e tyre”, tha Boshko ‘Bole’ Radojkoviq, tekniku i skenës së krimit. Kamioni ishte çuar në një qendër stërvitore policore në Batajnicë, rrethinë e Beogradit.
Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike Vllastimir Gjorgjeviq u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për vrasjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës, si edhe përfshirjen e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbulimin e krimit.
Mirëpo, deri më sot asnjë nga urdhërdhënësit për fshehjen e trupave të shqiptarëve nuk ka dalë para gjykatës në Serbi.
Dragan Zhivanoviq, ish komandant i Brigadës 125 kishte urdhëruar sulmet në fshatrat Qyshk dhe Zahaq dhe për momentin është i vetmi nën hetime.
Obrad Stevanoviq, ish-ndihmës i Ministrit të Punëve të Brendshme kishte shkruar në një ditar takimi për planifikimin e fshehjes së trupave “Pa kufoma, pa krim”. Sot ai është profesor në Akademinë Policore në Beograd.
Dragan Iliç, ish shef i drejtorisë së policisë së krimit, ka kërkuar personalisht para nga MPB-ja për shpenzimet e operacionet të bartjes së trupave nga kamioni frigorifer. Ai është gjeneral i pensionuar dhe jeton në Beograd.
Petar Zekoviq, ish-ndihmës i Ministrit të Punëve të Brendshme, është caktuar si njëri nga organizatorët kryesorë për bartjen e trupave nga Kosova në Serbi. Edhe ai është gjeneral i pensionuar dhe jeton në Beograd.
Sllobodan Borisavleviq, ish shef i kabinetit të shefit të sigurisë publike, ka deklaruar në polici se ka qenë ai që ka paguar për shpenzimet e fshehjes së trupave. Ai tani jeton në Beograd.
Goran Radosavleviq ‘Guri’, ish komandant i trajnimit në Petrovo Selo ka dhënë ndihmën e madhe për pastrimin e terrenit, sipas një dokumenti të MPB-së. Ai është gjeneral në pension dhe jeton në Beograd. Ai është edhe anëtar i kryesisë së partisë në pushtet – Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Vlladimir Vukqeviç, prokurori kryesor për krime lufte, edhe përkundër këtyre dëshmive, nuk ka ngritur aktakuzë kundër gjeneralëve të ushtrisë dhe policisë./kallxo