O ju që mendoni! Çdo të thonit rreth një personi që e ka parë veten e tij në një qytet të panjohur, ose në një shkretëtirë që gjithashtu nuk e njeh dhe kjo gjë ka ngjarë pa dëshirën dhe vullnetin e tij. Por, nga ana tjetër, ai e kuptoi se dikush e ka sjellë, madje ky dikushi ka dërguar përfaqësues dhe udhërrëfyes për ta udhëzuar dhe pas gjithë kësaj, këtij personi nuk i intereson që të njihet me këta udhërrëfyes, të cilët nuk duan veçse shpëtimin dhe udhëzimin e tij. I lufton ata, por ata e durojnë dhe e mbartin, i shanë por ata i afrohen.
Njeriu normal do ta thoshte se puna e parë që duhet të bëjë ky i humbur është të kërkojë dhe të dijë se kush e solli në këtë botë të panjohur pa dëshirën e vet, të dijë se për çfarë qëllimi u soll, e nëse do të gjente përfaqësuesit e atij që e solli duhet të nxitonte që të provonte besnikërinë e tyre e pasi të konstatojë se ata janë të besueshëm, duhet t’i nderonte dhe t’i ndiqte ata.
Ai njeri të cilit nuk i intereson çështja e vetes së tij, çëshjta se kush e solli dhe çështja e të dërguarve nga ana e Allahut të Madhëruar, nuk ka dyshim në mëndjelehtësinë e tij. Nëse njeriu do të mendonte pak gjatë jetës së tij rreth kësaj bote, sesi ishte dhe i pajetë e pastaj u bë njeri i plotë, siç thotë Zoti në Kuran: “Nga faktet e Tij është dhe ajo se Ai ju krijoi prej dheu, e mandej ju e zhvilluat në njerëz që veproni të shpërndarë.”[1] Të mendonte pak sesa ndryshim ka dheu i pajetë i cili nuk dëgjon, nuk sheh, nuk mendon, nuk lëviz, nuk ndjen, nuk rritet, nuk shtohet, madje nuk ka asnjë cilësi të jetës, lidhur me këtë njeri të gjallë i cili e mbush jetën me lëvizjen dhe gjallërinë e tij?
Sikur njeriu të mendonte në historinë e kalimit të tij nga bota e dheut të pajetë në botën e njerëzve të gjallë dhe të shikonte se si u transformua dheu në një pikë uji nëpërmjet transformimit të dheut në ushqim, e më vonë si u transformua ky spermatozoid në një gjak të ngjizur, pastaj në një copë mishi, në eshtra e si u mbuluan këto eshtra me mish? Si morën jetë dhe si u bë njeri i plotë?
Sikur njeriu të mendonte sesi të gjitha këto gjëra ndodhën pa përzgjedhjen e tij,atëherë ai do ta kuptonte se puna e parë që duhet të bënte ishte njohja dhe prezantimi me Atë që ka në dorën e Tij ekzistencën dhe jetën, fillimin dhe krijimin, dërgimin në këtë botë pa marrë lejen dhe përzgjedhjen e vetë njeriut. Kurani thotë: “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të dha formën që deshi vetë.”[2]
Çfarë të bëri të largohesh nga Zoti yt që të krijoi e të dha formën, o njeri? A mos vallë mendon se ke ardhur nga hiçi? A mendon se hiçi e cili në fakt nuk ekziston vetë, është ai që të krijoi? A s’e ke kuptuar se hiçi nuk krijon gjë e se ti nuk ke krijuar gjë nga vetja jote? Atëherë patjetër që ti ke një Krijues i Cili të krijoi: “A thua janë të krijuar prej hiçit apo ata janë vetë krijues?”[3]
Meqë ekzistenca (jeta) dhe krijimi yt qenkan në dorën e Zotit, i Cili të formoi dhe të krijoi në formën më të bukur, atëherë duhet që ta njohësh Atë që ka në dorë të gjithë çështjen tënde e ti nuk je gjë tjetër veçse peng i vullnetit të Tij dhe ky prezantim duhet të jetë detyra jote e parë, o njeri.
Autor: Abdulmexhid Zendani
[1] – Sure Rum: 20.
[2] – Sure Infitar: 6-8.
[3] – Sure Tur: 35.