Kërcënimet që i kanosen sot sigurisë janë të njëjta për të gjitha shtetet dhe ato mund të përballohen vetëm në kushtet e bashkëpunimit ndërkombëtar, deklarojnë në NATO. Në Konferencën Ndërkombëtare për Sigurinë Evropiane, e cila u mbajt në Moskë, Ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikën e Sigurisë, Dirk Brengelmann, e priti me entuziazëm dhe optimizëm idenë e afrimit mes NATO-s dhe Rusisë.
Po sa serioze janë deklarata të tilla? Sepse, në të vërtetë, përvoja e Moskës në bashkëpunimin me Aleancën mund të vlerësohet më tepër si negative, vënë në dukje analistët.
Menjëherë pas rënies së Paktit të Varshavës u nënshkruan marrëveshjet që parashikonin moszgjerimin e NATO-s në drejtim të Lindjes. Pavarësisht nga kjo, periudha e fundit të shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të u shënua nga një paradë e vërtetë e anëtarëve të rinj të NATO-s – në radhët e këtij blloku hynë pothuajse të gjitha vendet e Evropës Lindore, ndërsa bazat e NATO-s janë vendosur tashmë fare pranë kufirit rus.
E themeluar gati 65 vjet më parë, NATO-ja ka ndjekur me konsekuencë vetëm një objektiv të qartë – zhvillimin e mundshëm të luftës me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e saj në kampin socialist. Por Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, bashkë me të u shemb edhe blloku socialist në Evropë, kurse shumë ish aleatë të djeshëm të Moskës hynë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Zgjerimi i NATO-s në Lindje ka nisur që në fillim të viteve ‘90-të dhe kjo e ka dobësuar në mënyrë të dukshme organizatën, kryesisht për arsye ekonomike. Por nuk ia vlen megjithatë të pritet shpërbërja e saj e shpejtë, mendon analisti politik rus Vladimir Jevsejev:
– Kjo organizatë është mëse evidente që do të vazhdojë të ruhet për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë do të ishte krejtësisht e gabuar të flitej për ndonjë unitet serioz brenda vetë NATO-s. Anëtaret e reja të saj – vendet e Evropës Lindore – shpesh herë demonstrojnë pozicione që bien në kundërtshtim të plotë me ato të Perëndimit. NATO sigurisht do të ruhet si organizatë, por uniteti i saj do të dobësohet.
Perëndimi do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të NATO-s, shprehet eksperti rus për problemet e gjeopolitikës Konstandin Sivkov:
– NATO është një organizatë ushtarake e qytetërimit perëndimor, faktikisht një instrument shpëtimi i elitave perëndimore. Unë i përmbahem mendimit se NATO do të vazhdojë të zhvillohet dhe të forcohet, duke u shndërruar në një mjet gjithnjë e më efektiv të mishërimit të interesave gjeopolitike të Perëndimit.
Megjithatë, Moska nuk e hedh poshtë mundësinë e bashkëpunimit me NATO-n. Sot Rusia i jep asaj një korridor tranzit përmes territorit të saj për transportimin e ngarkesave ushtarake të Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë në Afganistan, ushtrakët amerikanë i blejnë Rusisë helikopterë luftarakë transporti, të cilët janë idealë për përdorim në Afganistan. Dhe këtu lind natyrshëm pyetja: po NATO çfarë do t’i japë për të gjitha këto Rusisë, përveç kërcënimeve të reja në formën e vendosjes së bazave të mbrojtjes antiraket në Evropë fare pranë kufijve të saj?