1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kush janë terroristët?

Më të lexuarat

Përmbajtja

Fjolla Spanca

Sot një pjesë e mirë e shqiptarëve janë zgjuar pak si mendueshëm, e ashtu hutueshëm e pyesin edhe një herë vetën se si e ku iku gjithë ai vit i gjatë … ndërsa unë them me vete se mbase tani mund ta bëj pyetjen që e mbajta ndrydhur tanë dhjetorin, veç për mos me helmu zemra miqsh! Pra, me e thanë ‘shkurt e shqip’ a ja vrajti kujt synin pema e vitriut, e stolisme në mes të sheshit Skënderbej në Tiranë? Mbeturinat, zhurma e tymi i qofteve aty rrotull a ju duktë kujt se e përbaltën lavdinë e Heroit Kombëtar.

Shumë prej nesh e kujtojmë bukur mirë, aniqë me dhimbje, reagimin qytetar gjatë një feste fetare, ritet e së cilës u zhvilluan në Tiranë; kryeqytetin shpirtnor të të gjithë shqiptarëve! Aso kohe, në Shqipëri, Kosovë e diasporë pretendohej se me kast qe mbuluar busti i Skënderbeut, në sheshin me po të njejtin emër. Të ofenduar, hatërmbetësitë e të idhnuarit uruan ndër tjerash, ringjalljen e Enver Hoxhës … piskamat për pushkatim e ca britma të tjera po jehonin akoma pa mbaruar kremta e shënuar! Madje vazhduan kërcënimet dhe u hap një debat i madh i cili përfundoi duke shpërfaqur prapambeturinë dhe hasmërinë tonë kombëtare, të kalitur ndër vite!

Personalisht, mbaj mend që shumë miq u banë dhe’ atyre ditëve, prej mërisë, helmit, inateve e mallkimit të bashkëqytetarëve, të cilët ndën dimije nxirrnin kokën e thoshin: e mbuluan Skënderbeun terroristat!

Parimisht, në një kohë tjetër, një shoqëri normale para se të shpallte luftë, do kërkonte llogari prej institucioneve që japin leje dhe atyre që organizojnë ceremonitë e caktuara fetare a sekulare. Pastaj, vendimet do ishin marrë në bazë gjykimesh të ftohta dhe jo inatesh boshe! Sidoqoftë, si çdo gjë tjetër në këtë vend, ajo punë u harrua duke lënë mbas veç shijen e idhët të tolerancës së munguar dhe respektit të paqenë!

Për ta vazhdu muhabetin e nisur, sivjet që Skënderbeu (dhe bustet, shtatore e tjera rreth e përçark shqiptarisë) u mbulua me kukulla plastike a do flas kush? A jemi më pak europianë që i dhamë mundësi qytetarëve të shkrepin fotografi shesheve të ‘bombarduara’ prej simboleve të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri? Kush duhet të pushkatohet për ato buzëqeshjet miliona dollarëshe të fëmijëve kur shihnin dritat nëpër qytet? Ku duhet të përplasin kokën qytetarët që festuan ndrrimin e moteve duke i kthyer kurrizin Bej’ve të sheshit? A s’jemi të gjithë nga pak terroristë dhe tradhtarë në kështu organizimesh?!

Me thënë atë qe është, edhe unë dola, kalova, isha aty ku mblidheshin njerëzit! Për gjithsecilin data 25 ose 31 ishte mishërimi i diçkaje të fjetun në zemër! Ishte shenja e një dëshire, një andrre … E mua, nuk ma mbante shpirti t’i thërrisja Enverit për t’u ngrejt nga varri meqë sheshi qe përbaltur e shpërfytyruar! Nuk e doja asnji armë për t’ja shkrepur – askujt – në ballë se gjithsekush gëzon aq sa i zë krahrori!

Duke respektuar zgjedhjen e bashkqytetarit, i urova shëndet dhe dashni rrotull … sheshin që e kemi të përbashkët sikur të pyetesha unë dhe në mos, nuk do e terrorizoja prej cytjeve a mospajtimit, sepse e mira që duam ta ndajmë dhe ta gëzojmë, nuk çel veç para konakun tim! E mira dhe dashnija jeton tej busteve dhe përrallave të dalura boje për hesap të historianëve të paditun!

Dhe, për më tepër, sheshi mbetet i shqiptarëve pa dallim, të cilët besimi shpirtëror nuk i ka larguar kurrë prej atdheut! Ata që ngrejnë armën kundër të tjerëve n’festë; ata të cilët prishin gëzimin se me demek na qenkan mbuluar me turp heronjtë e heshtur, do duhej me u përmend e me kuptu se Skënderbeun e turpruam qysh atëherë kur në emër të dashnisë për atdheun e kombin, e dogjëm kadal – dal gati çdo pëllëmbë të Shqipërisë; e zhveshëm atë nga bukuria e brishtë, për ta zbuluar me lecka të sajuara, emrat e të cilëve i dijmë përmendsh, por përpiqemi me i qorru sytë për, me demek mos me i dëftu kur përplsemi me to ditë për ditë! /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit