-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kush janë “djelmoshat” e ISIS-të në Lazarat?

Më të lexuarat

Pasi policia bëri publike emrat e 5 të rinjve nga Lazarati, të cilët ditë më parë kanë këmbyer të shtëna me policinë, media publikoi dhe ca statuse të tyre në FB, bashkangjitur ca fotove me luftëtarë që mendohet të jenë të ISIS-it, ku për pasojë është krijuar një lidhje në dukje logjike, mes akteve të tyre – të cilevë iu atribohen dhe shpërthimet e fundit me tritol – si dhe frymës që përfaqsojnë, gjegjësisht ekstremiste fetare.
 
Por ç`thuhet në fshat për ata djem? Si njihen ata në komunitetin e besimtarëve të atyshëm? Sipas tyre, vetëm dy prej tyre nga kushërinjtë Aliko, ndodh që të vijnë ndonjëherë në xhami, por nuk futen tek besimtarët e rregullt, nga ata që jetojnë përpikmërisht me normat fetare.
 
M.B, që i njeh nga afër, thotë se aktet e tyre janë më tepër aventura moshe, se sa për ndonjë arsye madhore. Dhe këtu ka parasysh përplasjen e tyre me policinë. Por sipas tij, nuk janë ata autorë të akteve me tritol, gjë të cilën djemtë në arrati ua kanë bërë me dije të afërmve.
 
Në Lazarat, për policinë ka disa këndvështrime. Një pjesë e madhe, edhe pse nuk janë përfshirë ose përfshihen në vepra penale apo aktivitete të paligjshme, e shohin atë si një forcë që u bën  karshillëk dhe ua cënon sedrën e krenarinë. Dhe kështu duhet parë dhe akti i atyre djemve atë natë kur kanë këmbyer të shtëna me policinë – sqaron  personi me iniciale që nuk do të identifikohet.
 
Sipas tij, kështu duhen kuptuar dhe ato foto në facebook, ose mesazhet me përmbajtje fetare. Duke i njohur nga afër,  ai thotë se dhe besimin e jetojnë si aventurë moshe, derisa dhe raportet me xhaminë i kanë fakultative.
 
Në gjykimin e tij, edhe pse herëherës vijnë në xhami, ata ende nuk mund të klasifikohen si besimtarë me norma të puthitura fetare.
 
Për M.B-në, tendenca për të menduar se nëpërmjet atyre djemve ISIS-i po hedh rrënjë në Lazarat, është krejtësisht navie në rastin më të mirë, e keqdashëse në rastin më të keq.
 
Sipas tij, fshati që i di mirë gjërat, ose që dhe i njeh më mirë njerëzit e vet, i shoqëron me nënqeshje lajme si ato për aksione të aluduara terrori në emër të ISIS-it nga ca të rinj që jetojnë në fazën e të besuarit se “çfarë fluturon hahet”.
 
“Në FB ata mund të kishin dhe simbole nazizmi, por kjo nuk do thotë se Rrajhu i Tretë po hedh në rrënjë në Lazarat; ose mund të vendosnin simbole Heavy Metal, por kjo nuk do të thotë se ndokush prej tyre luan në kitarë si Kirk Hamet i ‘Metalica’-ve” – ironizon personi në fjalë./Tesheshi
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit