-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Kush e shet votën në Shqipëri?

Më të lexuarat

Nga Vehap Kola

Sa herë përmendet shit-blerja e votës, është në interesin e propagandës së Rilindjes që në skajin e tjetër të transaksionit të përfytyrojmë një kryefamiljar/e të këputur që ofrohet të votojë për atë parti apo politikan që i jep atij në shkëmbim lekët e bukës. Po përse qeveria qenka e interesuar që ta paraqesë kështu pazarllëkun e votës? Sepse vetëm një kategori e tillë qytetarësh fakir fukarenj mund të jenë shenjestër e në mos njërës, tjetrës palë politikë.

Pra, propaganda e Ramës dëshiron t’u thotë nën zë shqiptarëve se nëse nuk e blej unë, atë votë do ta blejë kundërshtari. Dhe meqë njeriu do t’i ‘shitej’ me më shumë lehtësi atij që bind më shumë, Rama e shpalos zgjedhjen e njerëzve për t’iu shitur atij, dhe jo opozitës, si argument se ai është politikan më i besueshëm se kundërshtari. Ja pra, me këtë hesap të shthurur shit-blerja e votës bëhet një veprimtari e zakonshme e politikëbërjes.

Megjithatë, duhet pranuar e propaganda e regjimit të Ramës dhe Veliajt nuk do të mund të na e shisnin tallashin për krunde nëse një pjesë e madhe e popullsisë nuk do të vraponte të hidhte gurin e para. Ashtu si në metaforën e fuqishme biblike, gjurmuesit e paepur të prostitutës ishin të gjithë shkelësit e kurorës në atë qytet.

Ata që akuzojnë fakir-fukarain për shitjen një herë në katër vjet të votës janë bash ata që e shesin votën e tyre me një pazar shumë më të ‘mirë’ çdo ditë, çdo orë dhe çdo çast të jetës së tyre. Këta janë ajo e ashtuquajtura shtresa e mesme, që punojnë burrë e grua në administratë apo në sektorin privat dhe jo vetëm bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh përballë zullumit ashiqare dhe ditën për diell, por sa herë u kërkohet ata bëhen dekor për fushatat e propagandës së regjimit të Rama-Veliajt.

“Buka e fëmijëve” është argumenti i këtyre votëshitësve të pandalshëm. Por a është vërtet buka e fëmijëve? Sigurisht që jo. Ata harxhuan vitin e kaluar 236 milion Euro për të pushuar në Greqi. Kjo është 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Vetëm për pushime në Greqi. 75 mijë prej tyre sivjet i prenotuan dhe shijuan pushimet e verës në Turqi. Nuk ka nevojë të përmendësh makinat që blejnë me kredi me shpatullat e ngrohura nga rrogat e sigurta falë besnikërisë së pakushtëzuar ndaj pushtetit zullumqar të regjimit.

Votën në Shqipëri nuk e shet ai që blen një thes miell për fëmijët e tij/saj, por ai që prostituon shpirtin përditë për të kënaqur planet e tij/saj për të mobiluar shtëpinë në stilin e fundit, për të bërë thonjtë dhe krehur flokët çdo ditë në sallonet e shtrenjta të Tiranës, Durrësit, Fierit apo Vlorës. Këta, që e urrejnë të folurit e të vërtetës siç urrejnë humbjen e mirëqenies së tyre të pamoralshme, janë pazarxhinjtë e vërtetë të votës dhe të vetë Shqipërisë.

Ata kanë pjesën e tyre të fajit dhe mëkatit në çdo zullum që bëhet në këtë vend nga regjimi Rama-Veliaj. Jetesën e tyre të mirëqenë e ngrenë mbi eshtrat e Ardit Gjoklajt dhe mbi çdo copë Shqipëri që shitet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit